Kulturë

Mbi 10 milionë euro për objektin e Galerisë Kombëtare të Arteve

Përderisa muajin e kaluar – me koncert ku morën pjesë edhe yjet Plácido Domingo e Ermonela Jaho – u inaugurua objekti i rikonstruktuar i Teatrit të Operës dhe Baletit – një projekt që zgjati pesë vjet, me çmim fillestar prej mbi 10 milionë eurosh – po kaq do të investohen edhe në objektin e Galerisë Kombëtare të Arteve tash Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Ndër të tjera, hapësira ekspozuese do të dyfishohet

Mbi 10 milionë euro do të investojë shteti në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri apo Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Hapësira e këtij institucioni kulturor është paraparë të dyfishohet me projektin e rikonstruksionit dhe rehabilitimit. GKA-ja prej fillimit të kësaj jave ka mbyllur dyert. Jo më pak se tre vjet do të zgjasin punimet për konkretizimin e projektit. Orenditë, pajisjet, arkivi administrativ tashmë janë bartur në hapësirat e “Albafilm sh.a”, por aktiviteti i institucionit do të vijojë. Në bashkërendim me Muzeun Historik Kombëtar apo entitete të tjera do të zhvillohen ekspozita të përkohshme dhe programe publike. Po ashtu, në bashkërendim me Ministrinë e Kulturës dhe me drejtoritë rajonale arsimore do të zhvillohen aktivitete kreative për edukimin e fëmijëve në institucione arsimore.

Siç ka bërë të ditur Ministria e Kulturës e Shqipërisë, periudha e realizimit të punimeve në godinën e GKA-së do të shfrytëzohet për restaurimin dhe digjitalizimin e fondit artistik dhe arkivave, në bashkërendim me institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore. Ky projekt është prezantuar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka thënë se “projekti nuk synon tjetërsimin e godinës aktuale e projektuar nga arkitekti Enver Faja, por ruajtjen dhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese, duke dyfishuar edhe vëllimin nga pjesa e pasme e godinës”.

Një godinë tjetër do t’i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj, fëmijë e shërbime për vizitorët. Nga 4 mijë e 600 metra katrorë që është sot, Muzeu do të shtrihet në 10 mijë e 100 metra katrorë.

“Ky projekt përfshin jo vetëm restaurimin e godinës, që është një nga kërkesat kryesore për të gjithë projektin, por edhe shtimin e një sërë funksionesh, që duhet të kenë dhe muzetë tanë, që të flasin me gjuhën e kohës. Është një projekt që merret me pjesën ekzistuese dhe dyfishon vëllimin, duke shtuar në pjesën e pasme hapësira të reja dhe një fond të mirëfilltë në pjesën e nëntokës. Objektet qëndrojnë si dy objekte, dy vëllime të ngjashme, pranë njëri-tjetrit, por jo të ngjitur me njëri-tjetrin”, ka thënë ministrja Margariti lidhur me projektin e rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Sipas projektit, godina kryesore ekzistuese, e konsideruar si një vlerë e rëndësishme arkitektonike dhe urbane e trashëgimisë, rikonstruktohet duke nxjerrë në pah vlerat më të mira të arkitekturës moderne shqiptare të viteve ’70 dhe i jep zgjidhje përfundimtare problemit aktual të ruajtjes së veprave, ekspozimit të kryeveprave të artit shqiptar e botëror, si dhe restaurimit e konservimit të tyre.

Image
Maket i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura me projektin e rikonstruksionit dhe rehabilitimit

Muzeut të Ri të Arteve të Bukura, siç quhet ndryshe Galeria Kombëtare e Arteve, përveç ambienteve ekzistuese, do t’i shtohen ambiente të reja konservimi dhe restaurimi, klasa workshopi, salla polifunksionale, kafe- restorant dhe salla ekspozimi alternative nëpërmjet një volumi të ri. Duke unifikuar godinën e re dhe të vjetër, Muzeu i Ri i Arteve të Bukura do të jetë një objekt i cili ndihet dhe përdoret plotësisht si një godinë e shekullit XXI. Ambientet e reja që i shtohen programit të Muzeut krijojnë mundësinë për mbajtjen e ngjarjeve të ndryshme duke e kthyer Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura në qendrën më të madhe kulturore aktive publike për artet pamore. Sipas projektit, hyrjet e reja bëhen ndërmjet godinës së vjetër dhe asaj të re, duke krijuar një holl të lartë transparent i cili lidh funksionalisht dy godinat dhe krijon mundësi për zhvillim të gjerë aktivitetesh. Fasada e pasme e godinës ekzistuese, e cila nuk njihej nga publiku, por që ka të njëjtën forcë volumore dhe veshje me mozaikë, rivlerësohet duke e kthyer në fasadë shoqëruese të hollit kryesor.

Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura (MKAB) në Shqipëri është institucion kombëtar, qendror, muzeor, studimor, shkencor, me qëllim të vetëm ruajtjen, prezantimin, promovimin e trashëgimisë kombëtare të shtetit shqiptar në fushën e arteve pamore. Objekti është institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Kulturës. Galeria i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe të Komitetit të Arteve të vitit 1946. Pinakoteka ishte institucioni i parë i arteve figurative në Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë. Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në godinë më të përshtatshme, me tre kate në rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj. Ajo ndryshoi godinë disa herë. Ndërtesa e re u inaugurua më 29 nëntor 1974, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë ku ndodhet edhe sot. Fondi i Galerisë së re, deri në këtë periudhë kishte 4626 vepra dhe në arkivin e saj ishin regjistruar më shumë se 600 autorë. Që nga ky vit Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura funksionon si institucioni më i rëndësishëm dhe i vetëm kombëtar i ekspozimit, konservimit, studimit, restaurimit, edukimit, botimit, dokumentimit dhe arkivimit të veprave të artit në Shqipëri. Prej korrikut të vitit 1992, Galeria e Artit mori emrin Galeria Kombëtare e Arteve me këtë motivim: “Për të shprehur më mirë qëllimin dhe funksionimin e këtij institucioni si i vetëm, kombëtar që mbron dhe promovon interesat e arteve figurative shqiptare”.

Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkëkohor kombëtar e ndërkombëtar. Muzeu gëzon statusin monument kulture i kategorisë së dytë. Gjithashtu përfshihet brenda zonës së mbrojtur – “Qendrës historike të aksit kryesor të qytetit të Tiranës”.