Kulturë

Statuja “përçarëse” e Davidit

Statuja origjinale e Davidit është lakuriq dhe disa vizitorë e shohin pamjen e kufizuar të kopjes së saj në “Expo 2020” të Dubait si një formë censure.

Të tjerë thonë se mënyra se si shfaqet Davidi në këtë ekspozitë është një formë e shprehjes artistike. Vetëm personat me bileta “VIP” kanë mundësi ta shohin statujën të plotë, nga koka te këmbët.

“Nuk është rastësi që Davidi nuk shihet nga koka te këmbët, siç mund të shihet skulptura normale, por i mirëpret njerëzit duke i parë në fytyrë”, ka thënë David Rampello, drejtor i artit në Pavijonin italian.

Një historian arti në Romë ka thënë se zgjedhja se kush mund ta shikojë statujën në tërësi dhe kush nuk mund ta shohë krijon një hierarki.

“Ajo që të pasurit, njerëzit me reputacion mund të shohin dhe ajo që njerëzit e zakonshëm mund të shohin nuk duhen të jenë dy gjëra të ndryshme”, ka thënë profesori Paul Gwynne, i cili jep mësime për rilindjen dhe mesjetën në Universitetin amerikan të Romës.

Një ekipi ekspertësh italianë iu deshën 40 orë skanim digjital për të krijuar kopjen, realizuar me atë të pajisjes që organizatorët e përshkruajnë si një nga printerët 3D më të mëdhenj në botë.

Artistët përdorën pjesë nga materiali plastik i ricikluar, pastaj një përzierje rrëshirash dhe pluhur mermeri për ta realizuar atë.

Në shtëpinë e tij, në “Galleria dell'Accademia” të Firences, që nga viti 1873, Davidi origjinal tërheq shikimet e mijëra njerëzve deri më sot.

Mjeshtëria e Michelangelos dhe pasioni i tij për anatominë njerëzore, nga muskujt e kontraktuar të barkut të Davidit deri në përkuljen e muskujve të kofshës së tij të djathtë, e bëjnë këtë vepër të paharrueshme për ata që shikojnë atë. Në Dubai, ato detaje fshihen.

David qëndron në qendër të një boshti të ngushtë tetëkëndësh, të paraqitur në profil dhe i rrethuar nga kopje të kolonave romake. Pjesa tjetër e trupit të tij është brenda një ndarjeje të qartë në dyshemenë e veçantë. Organet gjenitale dhe vithet e tij gjenden midis dyshemeve, edhe pse plotësisht të dukshme nëse një shikues qëndron pranë ndarjes dhe shikon lart.

Lakuriqësia e Davidit ka qenë pjesë e një debati shekullor rreth artit që shtyn kufijtë dhe rregullat e censurës.

Në vitet 1500, gjethet e fikut metalik mbulonin organet gjenitale të statujave si Davidi, kur Kisha Katolike Romake e konsideronte lakuriqësinë si të pahijshme dhe të turpshme. Lakuriqësia madje përplaset me zakone të tjera në epokën moderne.

Image
Vetëm personat me bileta “VIP” kanë mundësi ta shohin statujën të plotë, nga koka te këmbët

Polemikat shpërthyen në vitin 2016 kur zyrtarët ngritën panele druri për të mbrojtur statujat lakuriq në muzetë e Romës gjatë një vizite të presidentit të atëhershëm të Iranit, Hassan Rouhani.

Kjo i shtyu disa politikanë të akuzojnë qeverinë se po i bindet “nënshtrimit kulturor”, megjithëse vetë Rouhani falënderoi italianët si “njerëz shumë mikpritës” kur u pyet për gjestin.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, disa vepra arti nudo mund të shihen në “Louvre Abu Dhabi”, megjithëse muzeu kryesisht u shërben pjesëve më konservatore.

Rampello këmbëngul se zgjedhja e shfaqjes nuk është as autocensurë parandaluese dhe as rezultat i ndonjë kërkese nga autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të mbuluar tiparet më të diskutueshme të statujës.

“Kjo ide lindi me idenë e teatrit të kujtesës dhe prandaj ky teatër mund të bëhet këtu ose në Japoni, ose në Gjermani, ose në Amerikë, ose kudo”, ka thënë ai.

Të shohësh Davidin siç duhej të shihej vë në pah një gjë, ka thënë historiani i artit Gwynne. “Bëhet fjalë për privilegjin, apo jo? Është vërtet një çështje privilegji”, ka thënë ai. “Ju po flisni për privilegjin, ata që e kanë dhe ata që nuk e kanë atë privilegj”.

Përktheu: Alberina Haxhijaj