Kulturë

Arti i qeramikës modelon pasione, bashkon gjenerata

Descriptive Text

Ende është çështje debati midis studiuesve nëse dëshmitë e para të artit të qeramikës datojnë 20 mijë vjet para erës sonë në paleolit, por e sigurt është që është një prej shprehjeve më të vjetra artistike. Por, punëtoria e Iniciativës së Historisë Gojore në Kosovë po nxjerr mjeshtër të rinj të këtij arti. Nën mentorimin e Lirije Buliqit bëhen bashkë pjesëmarrës gjeneratash të ndryshme

Pasditet e të hënave, pensionistja Vera Abydli, së fundmi i kalon duke zbuluar një pasion të ri. Për ta zhvilluar atë, ajo është bërë pjesë e punëtorisë së “Artit të qeramikës” që për tri javë rresht po e organizon Iniciativa për Histori Gojore në Kosovë. Për shkak të interesimit të madh për këtë punëtori, organizatorët kanë caktuar dy terminë gjatë së hënës kur rreth tridhjetë pjesëmarrës mund të zhvillojnë punën e tyre në baltë. Dhjetëra objekte që janë vendosur në një skaj dhe janë duke u terur kanë marrë forma të ndryshme. Ato dëshmojnë për përkushtimin e madh të pjesëmarrësve për këtë formë të artit. Punojnë nën mentorimin e artistes së qeramikës, Lirije Buliqi. Por për të marrë njohuri përtej kësaj, pjesëmarrësit ndjekin edhe video-udhëzuese në ekranin e vendosur në galerinë ku po punojnë.

Vera Abdyli ka treguar se në të kaluarën ka punuar si gazetare në kombinatin ndërtimor “Ramiz Sadiku”. Si punëtore, aty thotë se i ka përcjellë shumë nga ndërtimet në Prishtinë dhe jashtë saj. Për të realizimi i një vepre të vogël arti dhe koha që po e kalon me mbi dhjetë pjesëmarrës të tjerë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa” po i mundëson asaj që të përjetojë diçka ndryshe nga përditshmëria.

Ajo me kujdes përcjell punën e mentores Lirije Buliqi, teksa punon në njërën prej tavolinave.

“Gjithçka është organizuar mirë dhe po ka atmosferë pune. Këtu punojmë motive të ndryshme dhe ka mundësi që sa herë të vijmë të fillojmë me diçka tjetër. Më duket shumë interesant”, ka thënë ajo për KOHËN.

Image
Puna me rrotën e qeramikës, është përvojë e re për pjesëmarrësit

Por, Vera Abdyli me Nina Gusinë kanë gjashtë dekada diferencë. Por të dyja ndajnë vullnetin e njëjtë për një pasion të ri që po i bashkon në të njëjtën hapësirë çdo të hënë.

Nina 7-vjeçare mezi pret t’i përfundojë orët e mësimit për të ardhur në ambientet e Galerisë për të punuar me baltë. Ajo me nxitim i sjell pranë vetes edhe punimet që i ka punuar deri tash, ku në njërin prej tyre ka gdhendur profilin e një vajze. “Po më pëlqen, sepse po më duket sikur jam duke punuar me plastelinë dhe ka brushë”, ka treguar ajo.

Mbi 100 aplikacione kanë ardhur në drejtim të Iniciativës për Histori Gojore. Interesimi i madh për trajnimin, i ka bërë organizatorët që të organizojnë dy terminë për ta. Për dy javë janë marrë me modelim duke punuar në format që pjesëmarrësit i dëshirojnë. Në javën e tretë, në mesin e tyre e kanë sjellë edhe rrotën e qeramikës, në të cilën po provojnë një eksperiencë të re.

“Ka pasur interesim të madh. Fillimisht kemi munduar që mund t’i kemi vetëm 15 pjesëmarrës, por pastaj e kemi dyfishuar me grupin e orës 15:00 dhe të orës 17:00. Gjatë javës së tretë jemi duke provuar të ndërtojmë forma përmes rrotës që qeramikës që është një formë e re të eksplorojmë konsistencën e materialit dhe lagështinë e tij”, ka shpjeguar drejtoresha ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, Erëmira Krasniqi.

Çdo përvojë e re në artin e qeramikës po i bën pjesëmarrëset të shkëmbejnë përvojat me njëra-tjetrën dhe të punojnë së bashku në një tryezë. Sipas Krasniqit, socializimi ka qenë edhe një synim tjetër esencial i punëtorisë duke përfshirë kështu pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme.

Image
Mbi 100 aplikacione kanë ardhur në drejtim të Iniciativës për Histori Gojore. Interesimi i madh për trajnimin, i ka bërë organizatorët që të organizojnë dy terminë për ta

“Prej fillimit kemi qenë të hapur sa u përket grupmoshave dhe kemi qenë sa më ftues për njerëzit që duan të marrin pjesë. Nuk e kemi parë si aktivitet që ka të bëjë më fëmijët, mezo-moshë apo të vjetër. E kemi parë si një moment ku munden të gjithë me u taku, pa marrë parasysh prej prapavijës që vijnë dhe me u përfshi në një proces të prodhimit kreativ ku të gjithë shkëmbejnë përvoja mes tyre”, ka thënë tutje ajo.

Lirije Buliqi është kthyer në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, katër muaj pas hapjes së ekspozitës së saj personale ku i ka publikuar 60 vepra artistike në qeramikë. Tash, është aty për ta ndarë përvojën e saj me adhuruesit e artit. Me prapavijë akademike në skulpturë, Buliqi u orientua në artin e qeramikës në fillim të viteve 2000, kur ajo u njoh me teknikën raku. Buliqi ka treguar që këtë teknikë nuk po mund ta barttë te të tjerët për shkak të hapësirës ku po punojnë.

Image
Lirije Buliqi është kthyer në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, katër muaj pas hapjes së ekspozitës së saj personale ku i ka publikuar 60 vepra artistike në qeramikë. Tash, është aty për ta ndarë përvojën e saj me adhuruesit e artit në qeramikë

“Këtu janë të gjithë fillestarë që kanë shprehur dëshirën t’i mësojnë disa teknika në qeramikë. Kemi pasur dëshirë ta kemi teknikën raku që është një teknikë e njohur dhe e këndshme japoneze, por ajo kërkon hapësirë jashtë, jo brenda. Pjekja do të fillojë javën e ardhshme me teknikën e biskifit dhe pastaj me glazura”, ka treguar Buliqi, skulptorja në pension që për katër dekada ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

kjo javë, pjesëmarrësit do të përkushtohen më shumë për t’u dedikuar në realizimin e punimeve që do të mund t’i përmbledhin në një ekspozitë të përbashkët që dëshmon për pasionin e ri të pjesëmarrësve të gjeneratave të ndryshme.

 

Image
Nga kjo javë, pjesëmarrësit do të përkushtohen më shumë për t’u dedikuar në realizimin e punimeve që do të mund t’i përmbledhin në një ekspozitë