Kulturë

Bibliotekarja afgane shpreson ta ringjallë bibliotekën për gratë

Descriptive Text

Ishte mesdita e 13 gushtit kur punonjësja shëndetësore, Homaira Nawrozi (23) – e cila zotëronte një bibliotekë për gratë në qytetin Lashkar Gah të provincës Helmand – dëgjoi lajmin se talebanët po hynin në qytet. Ajo e mbylli shpejt bibliotekën e saj. Por kur të nesërmen, bashkë me të vëllain u kthye për të marrë librat në shtëpi, ajo pa se të gjitha dritaret ishin thyer dhe disa libra ishin dëmtuar.

Provinca jugore e Afganistanit, Helmand, një bastion i vjetër i talebanëve, nuk ka qenë kurrë një vend i lehtë për gratë që punojnë.

Por, Nawrozi prapë arriti të kursejë 48 mijë afgani nga paga e saj si infermiere në një spital lokal, për të blerë libra dhe për të themeluar bibliotekën e vetme për gra.

Ajo e pagëzoi bibliotekën e saj sipas japonezit, Dr. Tetsu Nakamura, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke punuar në projekte humanitare në provincën Nangarhar, para se të vritej nga persona të armatosur e të panjohur në vitin 2019.

Koleksioni i saj, nga më shumë se 800 libra mbulon tema të ndryshme nga të drejtat e grave e deri te të drejtat e fëmijëve, si dhe libra islamikë dhe kulturorë, në të dyja gjuhët: dari dhe pashto.

Nawrozi u kërkonte lexuesve të paguanin 10 afgani (15 cent) për huazimin e një libri, të cilin ata duhet ta mbanin për një javë. Nisma e saj zgjoi interes të shumë grave për të lexuar libra.

Ajo ishte lënduar kur biblioteka e saj e vogël u dëmtua dhe u mbyll pasi talebanët pushtuan qytetin. Nawrozi ka thënë se ajo që e shqetëson më së shumë është fakti se nuk e di se kur do të rinisë punën në bibliotekë.

“Shoqëria jonë ka nevojë për ne tani, jo në një kohë kur gjithçka është e qëndrueshme... Tani për tani, gratë kanë nevojë që ne t'u japim atyre një libër për të lexuar në një kohë kur dyert e shkollave janë të mbyllura për to”, ka thënë ajo.

Nawrozi vjen nga komuniteti pakicë shiite i Afganistanit dhe ishte vetëm dy vjeçe kur familja e saj u shpërngul nga Ghazni në provincën Helmand.

Përkundër të gjitha kërcënimeve dhe sfidave, ajo vazhdon të qëndrojë në vendin e saj dhe të punojë për njerëzit e saj, veçanërisht për gratë.

“Do të ishte shumë mirë nëse talebanët do të më lejonin të rifilloja dhe të krijoja bibliotekën për gratë, sepse ne kemi nevojë të kemi një bibliotekë të tillë”, ka thënë Nawrozi.

Tani, biblioteka e vetme në qytet është në qytetin Lashkar Gah që drejtohet nga Departamenti Provincial i Kulturës dhe Informacionit, dhe të gjithë vizitorët janë burra.

Drejtori krahinor i Departamentit të Mediave dhe Informacionit në Helmand, Mawlavi Hamdullah Mudasir, ka thënë se biblioteka është e hapur për të gjithë, por nuk pranoi të komentojë nëse gratë mund ta vizitojnë atë.

Në shtator, talebanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial, duke sinjalizuar fillimin e punës së qeverisë së re. Bota është duke shikuar se në çfarë mënyre talebanët mund të veprojnë ndryshe nga hera e parë kur ishin në pushtet, në fund të viteve ‘90.

Gjatë asaj epoke, vajzave dhe grave iu mohua arsimimi dhe u përjashtuan nga jeta publike.

Talebanët morën pushtetin më 15 gusht, ditën kur pushtuan Kabulin pasi pushtuan provincat periferike përmes një fushate të shpejtë ushtarake.

Ata fillimisht premtuan përfshirje dhe një amnisti të përgjithshme për kundërshtarët e tyre të mëparshëm, por shumë afganë kanë frikë nga sundimtarët e rinj.

Zyrtarët e policisë talebane kanë rrahur gazetarët afganë dhe kanë shpërndarë dhunshëm protestat e grave.

Përktheu: Alberina Haxhijaj