Kulturë

“Visar Kuçi Trio” me “Departures” në turne evropian për jazz nga Kosova

Treshja, e cila u bë bashkë në vitin 2013 – Visar Kuçi në kitarë, Enver Muhamedi në kontrabas dhe Enes Bajramliqi në tupana – të shtunën do të aterrojë me koncert në “Altes Pfandhaus” në Köln, një qendër kulturore, ku prezentohen yje botërore të jazzit. Dy ditë më vonë, për trion nga Kosova teatri i mirënjohur vjenez, “Das Vindobona”. Emëruesi i përbashkët: albumi “Departures” dhe nisja e turneut evropian në promovim të tij

“Departures” niset në turne evripian. Kölni e Vjena – dy stacionet e para. “Visar Kuçi Trio”, tashmë është akorduar për koncertet promovuese të albumit me këtë titull, që u lansua në fund të 2020-s. “Departures” (Nisjet) – që nisi si dedikim për nisjet e reja, gjeti një kontekst të ri në situatën e krijuar vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Kur gjithçka u ndal, muzika u kthye në një ekspeditë, për të kërkuar forma të reja të udhëtimit.

Treshja e cila u bë bashkë në vitin 2013 – Visar Kuçi në kitarë, Enver Muhamedi në kontrabas dhe Enes Bajramliqi në tupana – të shtunën do të aterrojë me koncert në “Altes Pfandhaus” në Köln, një qendër kulturore, ku siç shkruan grupi, vazhdimisht prezentohen yje botërore të jazzit. Dy ditë më vonë, për trion nga Kosova, dyert do t’i hapë një tjetër hapësirë e njohur kulturore. Bëhet fjalë për teatrin e mirënjohur, “Das Vindobona”. Si për qendrën në qytetin gjerman, njashtu edhe për institucioin teatror vjenez, muzika nga shteti më i ri në Evropë, s’është e panjohur. Aty, para dy vjetësh mbajti koncert “Rona Nishliu Quartet”.

Dy shfaqjet e para të turneut për “Departures”, sipas “Visar Kuçi Trio”, fillojnë falë dy shoqatave shumë të njohura dhe një ndër më aktivet në diasporë: “K” nga Vjena dhe “URACult” nga Kölni, të cilat vazhdimisht kanë kontribur në promovimin e vlerave artistike me aktivitete të ndryshme artistike.

“Shoqatat ‘KÂ’ dhe ‘URACult’ janë treguar shumë mikpritëse dhe profesionale që nga hapat e parë të komunikimit tonë e deri më sot. Ftesa fillimisht erdhi nga Ali Salihu (URACult), i cili ishte entuziast pasi që kishte dëgjuar albumin tonë ‘Departures’, shumë shpejt pas asaj ftesës iu bashkangjit edhe Ermal Vejsa (KÂ)”, ka thënë Visar Kuçi për KOHËN. Muzikanti i shquar ka çmuar trajtimin serioz nga shoqatat që i ka ftuar, nivelin e lartë të njohurive, si nga ana teknike ashtu edhe ajo artistike. “Përzgjedhja e sallave në të cilat ne do të performojmë tregon për seriozitetin dhe qasjen që kanë keto organizata ndaj promovimit të vlerave tona artistike, duke na dhënë mundësinë të performojmë në kushte ideale”, ka thënë ai.

“Departures”, në fundvit, erdhi me tetë krijime të reja të kompozuara nga Kuçi, përveç këngës emrin e së cilës e mban ky album, që është kompozuar nga Enver Muhamedi dhe Visar Kuçi. Siç kishte shkruar KOHA, për koncertin promovues të albumit, më 22 dhjetor në Prishtinë, veprat janë janë një kalim i ngadaltë dhe gradual nëpër gjendjet shpirtërore të ndryshme.

Për dy koncertet e para në kuadër të turneut, Kuçi ka thënë se do të jenë prezantime shumë të rëndësishme për trion.

“Si para publikut evropian ashtu edhe para diasporës shqiptare, tek e cila, sipas këndvështrimit tim, vërehet një frymë e re në përkrahjen dhe promovimin e artit në përgjithësi, si në teatër, pikturë, film ashtu edhe në muzikë”, ka thënë ai. Dëshmia më e mirë e kësaj, sipas tij, janë dy shoqatat të cilat po e mundësojnë një turne të këtillë prej të cilit presin shumë.

Kur për herë të parë ia prezantuan publikut në Kosovë me koncert live – transmetuar në Kohavision në maj – një ndër violinistët më të dalluar të gjeneratës së re në Kosovë, që luan edhe në violinë, kontrabas, kitarë, bas-kitarë, violë dhe piano, koncertmjeshtër i Filarmonisë së Kosovës, albumin e kishte përshkruar si një “trajtim muzikor i përjetimeve jetësore dhe i rrugëtimit artistik”. Dhe prej atëherë, “Departures” është pritur mirë.

“Ai është dëgjuar kryesisht nëpërmjet platformave digjitale, gjë që ka mundësuar që albumi të dëgjohet në tërë botën dhe të marrim ftesa të tilla për koncerte si këto”, ka thënë Kuçi.

“Visar Kuçi Trio” debutimin e pati në vitin 2013, në “Prishtina Jazz Fest”. Në vitin 2017 publikoi albumin e parë "Modern Waves", titulli i të cilit kishte ardhur duke reflektuar mbi arkitekturën moderne në Prishtinë, por edhe mbi rrymat muzikore që kanë ndikim tek artistët.

E “Departures” qe përshkruar si gërshetim në mes të jazzit “mainstrem” në skenën e Amerikës dhe asaj të Evropës me detaje etnike, por që zakonisht nuk vërehen brenda si ngjyrë. “’Departures’ e karakterizon të gjithë albumin, sepse e dëshmoi për neve si trio, por edhe për komunitetin e krijuesve, e bile të gjithëve ndoshta, pasi që në një kohë kur 'Nisjet' dhe destinacionet u ndalën tërësisht, ne përfunduam duke kërkuar forma të reja të udhëtimit, kërkimit të kuptimeve të reja, krijimeve që burojnë prej eksplorimeve nga brenda”, kishte thënë Kuçi për gjenealogjinë e albumit. E tash, vërtet trion e albumin e pret një udhëtim i ri.

“Turneu ka për qëllim prezantimin tonë sa më të mirë para publikut evropian, promovimin e muzikës sonë, si dhe krijimin e kontakteve të reja”, ka thënë Kuçi.