Studiuesit kanë përdorur algoritme për të kompletuar kompozimin e simfonisë së dhjetë të Beethovenit. Mirëpo, a kanë mundësi programet kompjuterike të jenë kreativë sikurse njerëzit?
Algoritmet dominojnë përditshmërinë e secilit. Gjatë vozitjes, punës ose aktiviteteve të tjera, në varemi në inteligjencën artificiale, pa marrë parasysh a e vërejmë apo jo.
Për një kohë të gjatë kreativiteti është parë si diçka që karakterizon vetëm mendjen e njeriut. Mirëpo ka shenja që, na pëlqeu apo jo, ky mund të jetë realitet i së kaluarës.
Kompjuterët tashmë kanë përfunduar kompozimin e veprave të Gustav Mahler dhe Franz Schubert.
Tani simfonia e papërfunduar e Ludwig van Beethovenit është marrë “për trajtim” nga inteligjenca artificiale.
Kur ky kompozitor i famshëm vdiq më 1827, ai la të papërfunduar simfoninë e tij të fundit, e cila do të kishte qenë e dhjeta. Vetëm disa skica të kësaj vepre kanë mbijetuar. Disa janë fragmente shumë të shkurtra dhe, edhe ato të papërfunduara.
Për të shënuar 250-vjetorin e vdekjes së tij, vepra e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale të shtunën erdhi premierë – edhe pse e vonuar, për shkak të pandemisë – si pjesë e “Beethovenfestit”
Kompania gjermane e telekomunikacionit, Telekom, me qendër në vendlindjen e Beethovenit në Bonn, mblodhi një ekip ekspertësh për të përfunduar punën.
Një grup muzikologësh, kompozitorësh dhe shkencëtarë kompjuterësh provuan të analizojnë dhe të mësojnë stilin e Beethovenit në mënyrë që të përfundojnë simfoninë e dhjetë të tij.
Të mendosh sikur Beethoveni
Skicat dhe notat muzikore të Beethovenit u vendosën në një program kompjuteri bashkë me vepra të bashkëkohësve të tij.
“Duhet të mendosh për këtë projekt sikur do të mendonte Beethoveni në momentin kur këto ide i erdhën në mendje. Nganjëherë si fjalë të shkruara, nganjëherë si nota muzikore”, thotë Matthias Roder, drejtor i Institutit Karajan në Salzburg.
Bazuar në këtë material, drejtori i projektit dhe ekipi i tij arritën te disa supozime duke shtruar pyetje si: “Si do t’i kishte zhvilluar ai disa gjëra?”, tregon Roder për procesin.
Skicat dhe notat muzikore të Beethovenit u vendosën në një program kompjuterik, bashkë me vepra të bashkëkohësve të tij
Muzika, supozohet, bazohet në njësi, sikur gjuha, dhe procesi i mësimit përfshin grumbullimin e njohurive. Për ta “mësuar” një kompjuter, simfonitë, sonatat për piano dhe kuartete harqesh nga Beethoveni u vendosën në program, duke trajnuar kështu inteligjencën artificiale.
Njëjtë si rrjeti i neuroneve në tru, edhe kompjuteri është i aftë të krijojë lidhje të reja në mënyrë të pavarur. Edhe rezultatet muzikore që përshtateshin më së shumti dhe që ishin të prodhuara nga inteligjenca artificiale u vendosën në program.
Njerëzit dhe teknologjia përmbushin njëri-tjetrin
Me kohë kompozimi u rrit. “Çka na mundëson inteligjenca artificiale është të zgjasim rrjedhën e një lëvizjeje në 20 apo 100 versione të ndryshme. Kjo është magjepsëse, sepse, nëse bëhet si duhet, secili version do të mund të ishte bërë nga vetë Beethoveni”, tha Robert Levin, pianist i muzikës klasike dhe muzikolog në Universitetin e Harvardit.
Për shkencëtarët, bashkëpunime të tilla janë shumë interesante dhe ofrojnë njohuri në atë se si teknologjia ka mundësi të ndihmojë apo edhe të imitojë njerëzit në krijimet e tyre muzikore.
“Ne duam të kuptojmë më mirë shkencën e të bërit muzikë dhe tentuam të testojmë limitet tona. Në fund, përdorëm disa module që asaj që quhet procesim i gjuhëve natyrore”, tha Ahmed Elgammal, drejtor i Laboratorit të Artit dhe Inteligjencës Artificiale në Universitetin Rutgers në New York dhe ideator i “Beethoven AI”
Mirëpo, çfarë të mirash sjellin zhvillimet e tilla për muzikantët?
“Mund të thuash që kompjuterët punojnë sipas algoritmeve. Po, mirëpo edhe njerëzit prodhojnë art në bazë të përvojave dhe trajnimeve të tyre. Njerëzit dhe kompjuterët nuk dallojnë fort nga njëri-tjetri”, tha Robert Levin.
“Marrë nga Deutsche Welle”. Përktheu: Lundrim Sadiku.