Se “GRANFesti” është bërë një adresë e fuqishme e romanit grafik me pjesëmarrje autorësh të njohur, e ka dëshmuar edhe ngjarja e dytë e ditës së dytë. “Digital Détox” me autoren Lili Sohn, pjesëmarrëse në këtë edicion, ka ardhur premierë botërore të shtunën mbrëma në “Kino Armata”. “GRANFest” e solli ekskluzivisht dokumentarin me autorizim nga televizioni “France” pasi që atje nuk do të shfaqet deri në nëntor. Filmi me titull paraqet artisten Sohn e cila shihet duke ecur në një pyll me një çantë krahu dhe duke i folur kamerës me të cilën po incizonte veten. Pamjet ndërrojnë nga një “realitet” në tjetrin ku ajo shfaqet edhe në shtëpinë e saj duke punuar nga kompjuteri, dhe brenda vaskës së saj duke shikuar telefonin e saj. Tema kryesore e këtij dokumentari është detoksofikimi nga teknologjia dhe rrjetet social. Fokusimi larg teknologjisë qoftë për një shëtitje në natyrë apo të lexuarit e librit, pa shpërqendrimet që vijnë nga telefonat dhe mjetet tjera digjitale, është ajo që përthekohet si mesazh.
“Lili Sohn është shumë e lidhur: mijëra ndjekës, dy video të postuara gjatë 24 orëve, 3 ekrane vazhdimisht të ndezura. Ajo vendos të bëjë një pushim dhe merr Camino de Santiago nga Franca në Spanjë duke ecur vetëm” , shkruhet në sinopsisin që i bëhet filmit.