Institucionet shtetërore bashkë me ndihmën e fondeve të shteteve të tjera, prej vitit 2009 deri më tash kanë investuar mbi 1.5 milionë euro në Kalanë e Prizrenit. Por pavarësisht kësaj qasjeje, që e ka shndërruar Kalanë në një ambient goxha atraktiv të përballjes me trashëgiminë kulturore e historinë, nuk është bërë një hap që e rrezikon fort Kalanë: largimi i rezervuarit të ujit që u bë shkak kryesor i shembjeve në shkurt të këtij viti. Ai do të mbetet aty edhe pas punimeve që pritet të zgjasin dy muaj
Tetë muaj pasi një pjesë e strukturës së Kalasë së Prizrenit u shemb, shteti planifikon të ndërhyjë. Por prapë problemi nuk do të marrë epilog. Do të bëhet një sanim i dëmeve pa e larguar rrezikun.
Institucionet shtetërore bashkë me ndihmën e fondeve të shteteve të tjera, prej vitit 2009 deri më tash kanë investuar mbi 1.5 milionë euro në Kalanë e Prizrenit. Por pavarësisht kësaj qasjeje, që e ka shndërruar Kalanë e Prizrenit në një ambient goxha atraktiv të përballjes me trashëgiminë kulturore e historinë, nuk është bërë një hap që rrezikon fort Kalanë: largimi i rezervuarit të ujit.
Pasojë e prekshme e rezervuarit me kapacitet prej 360 metrash kubë dhe gypave përreth, në shkurt të këtij viti ishte shembja e një pjese të murit në anën jugperëndimore të monumentit.
Nëpërmjet një konkursi publik, Ministria e Kulturës synon vazhdimin e projektit kapital “Kalaja e Prizrenit” për vitin 2021. Sipas MKRS-së, bëhet fjalë për projekt me karakter të konservimit, restaurimit, menaxhimit dhe promovimit të lokalitetit. Sipas konkursit, projekti synim primar ka vazhdimin e konservimit dhe menaxhimin e lokalitetit, si dhe botimin e rezultateve shkencore arkeologjike.
“Sezoni i punës në Kalanë e Prizrenit është planifikuar të fillojë në javën e katërt të muajit shtator, menjëherë pas përgatitjeve që janë bërë si punë kabinetike, projektim dhe pastrimi paraprak i tërë hapësirës së Kalasë. Projekti është paraparë të zgjasë 2 muaj kalendarik me gjithsej maksimumi 50 ditë”, shkruhet në konkurs. Në thirrjen që është e hapur deri në fund të orarit të punës së ditës së sotme (e enjte), kërkohen tre arkeologë për përgatitjen e katalogut arkeologjik, katër arkeologë ose historianë për menaxhim dhe promovim të Kalasë së Prizrenit, dy konservues, një disenjator, një skicograf dhe dymbëdhjetë punëtorë fizikë.
Arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, i cili do të vazhdojë t’u prijë punimeve në Kalanë e Prizrenit ka thënë se aktiviteti do të zhvillohet kryesisht në pjesën e dëmtuar të Kalasë.
“Do të merremi me shtresa izoluese të strukturave që preken nga lagështia. Shtigjet e ecjes po ashtu janë pak të dëmtuara”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, derisa rezervuari i ujit qëndron brenda Kalasë, problemet nuk do të ndalen.
Rezervuari i ujit zë një hapësirë të konsiderueshme brenda mureve rrethuese të Kalasë. Bile, është zonë që nuk është gërmuar nga arkeologët. Puna që rezervuari të vendosej aty kishte nisur në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, për t’u finalizuar më 1953. Kurse tash e shtatë dekada mbetet kërcenim real për monumentin. Zhvendosja del të jetë goxha e kushtueshme.
“Asnjë lëvizje nuk ka për rezervuar. Tash pushteti qendror dhe lokal duhet të kenë vullnet për ta kryer këtë punë. Kompania e Ujësjellësit nuk ka fonde për ta bërë zhvendosjen. Atyre u duhen donatorë të huaj ose nga institucionet vendore”, ka thënë Gashi.

Përtej kësaj, Gashi ka thënë se në projektet paraprake kanë pasur shumë vonesa në pagesën e punonjësve e po ashtu edhe sa i përket furnizimit me material. Ka thënë se shpreson që kësaj radhe MKRS-ja të jetë më azhure. Investimi i sivjetshëm pritet të shkojë prej 45 mijë deri në 50 mijë euro.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se do të bëhet mirëmbajtja e Kështjellës dhe do të merren masa në pikat më problematike.
“Do të bëhet edhe konservim i materialeve që ndodhen në Muze të Kalasë”, ka thënë Rexha. Sipas tij, për zhvendosjen e rezervuarit të ujit duhen më shumë se 100 mijë euro.
Në shkurt të këtij viti në ndërmarrjen publike “Hidroregjioni Jugor” nuk kishin marrë përgjegjësi për shembjet. Atyre nuk u bënte përshtypje fakti se pos rikonsolidimit, gërmimeve e ndërtimit të shtigjeve për vizitorë, hapësira është pasuruar edhe me një muze, ku paraqiten gjetjet arkeologjike si dëshmi historike e kësaj ane. Kësisoj, monumenti është shndërruar në një atraksion turistik. Bile, organizatat që merren edhe me turizëm kulturor Kalanë e fusin në top-dhjetëshen e monumenteve të Kosovës.

Zenel Zenelaj ka qenë drejtor teknik në kompaninë e ujësjellësit e në shkurt ishte ushtrues detyre i drejtorit të ndërmarrjes. Ai kishte thënë se ka pasur kërkesa për zhvendosje.
“Rezervuari është dëmtues potencial për Kalanë. Ne kemi bërë paramasën e zhvendosjes. Vlera është rreth 250 mijë euro dhe këtë projekt-propozim e kemi përcjellë në Ministrinë e Kulturës. Ne si kompani jemi të limituar që ta bëjmë këtë investim. Lokaliteti ku mund të vendoset është. Në momentin që sigurohen mjetet, ne jemi të gatshëm ta dislokojmë”, kishte thënë ai.
Kësisoj vazhdon të rrezikohet monumenti, për të cilin më 2014 Ministria e Kulturës, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe organizata “CHwB Kosova” kishin nënshkruar marrëveshjen për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit. Ambasada e ShBA-së në Kosovë, përmes Fondit të ambasadorit për trashëgiminë kulturore, në shtator të vitit 2014 kishte ndarë 700 mijë dollarë, që asokohe kishin vlerën e 549 mijë eurove. Restaurimi i mureve të Kalasë është vetëm njëra pjesë e projektit, derisa aty pos Muzeut janë përgatitur edhe shtigjet për vizitorë, sinjalizimi, e po ashtu edhe tabela shpjeguese.