Dokumentari “Fantazmat e Afganistanit” (Ghosts of Afghanistan), i shfaqur në Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin, përcjell rrëfimin e korrespondentit kanadez të luftës Graeme Smith që kthehet në Afganistan dhe viziton njerëz të ndryshëm që janë përfshirë në rindërtimin e vendit ose që mund të ofrojnë një perspektivë të brendshme mbi kontekstin social dhe politik.
Ndarjet e thella në Afganistan janë veçanërisht të dukshme nëpërmjet perspektivës së grave të ndryshme të intervistuara për film. Midis tyre është edhe Shaharzad Akbar, mbështesja më e madhe e të drejtave të njeriut në vend, e cila denoncoi abuzimin si nga talebanët ashtu edhe nga Qeveria.
Smith gjithashtu takon studentë nga Universiteti i Kabulit të cilët diskutojnë sesi talebanët mund të kërcënojnë të drejtat dhe liritë e tyre të fituara me vështirësi.
Një kontrast veçanërisht goditës zbulohet përmes një takimi me një grup grash të veshura me burka në Kandahar, që jetojnë në përputhje me pritjet e talebanëve, në krahasim me një person tjetër të intervistuar, Farahnaz Forotan, e cila është një nga feministet më të spikatura të vendit.
Shtëpia e saj, e zbukuruar me autoportretin e madh të Frida Kahlo ku e ka të zbuluar gjoksin e saj, do të tronditë shumë konservatorë.
Zhvillimet aktuale në Afganistan e bëjnë filmin shumë aktual, por pasi që filmi që u xhirua në vitin 2019, vë ne pah prapaskenat mbi strukturat që lejuan talebanët të rimarrin Afganistanin.
Siç shpjegoi Smith në Festivalin e Berlinit, versioni fillestar i filmit ofroi një përfundim shpresëdhënës për një zgjidhje politike: “Ne nuk prisnim që talebanët të merrnin një kontroll të plotë ushtarak të vendit, kështu që u përfshinë shumë redaktime në minutën e fundit”, ka thënë ai. “Ne kishim shpresuar se procesi në Doha mund të çonte në një kompromis midis talebanëve dhe armiqve të tyre”.
Mundësia për të kuptuar situatën si ka ndodhur përmes dokumentarit është veçanërisht interesante. Regjisori Julian Sher ka thënë: “Një pikë kryesore e filmit tonë është se talebanët janë shumë, shumë më të fortë sesa Qeveria afgane ose ushtritë perëndimore ishin të gatshme të pranonin”.
Dy intervista në film e shprehin këtë ide veçanërisht mirë. Në një skenë, Rahmatullah Amiri, një nga analistët politikë më të respektuar të Afganistanit, paralajmëron qysh më 2019 se talebanët kishin një pjesë të madhe të vendit “nën kontrollin e plotë”.
Kjo deklaratë pasohet nga një pretendim optimist nga këshilltari për sigurinë kombëtare Hamdullah Mohib, i cili thotë: “Ne kemi thyer kurrizin e talebanëve”. Ai shton: “Ne kemi një rrugë ushtarake drejt fitores në këtë konflikt”.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, është reagimi i Amirit ndaj informacionit. “Nëse shpina e talebanëve mund të thyhej, kjo do të ishte bërë gjatë viteve 2009-2014, ku mijëra trupa ndërkombëtare ishin atje dhe miliarda dollarë u dhanë për ndërtimin e kombit dhe gjithçka tjetër”, vijon tutje Amiri, i cili parashikon saktë se talebanët “nuk e kanë arritur akoma kulmin e tyre”.
Shumë njerëz ishin të prirë të besonin dhe shpresat i kishin te këshilltari 38-vjeçar i sigurisë kombëtare i shkolluar në Perëndim, Hamdullah Mohib, i cili kishte shërbyer si ish-ambasador afgan në SHBA dhe shihej si një nga ndihmësit më të besuar të presidenti Ashraf Ghani. Ata të dy u larguan nga vendi më 15 gusht.
Gazetarja afgane Khwaga Ghani, e cila punoi si ndërmjetësuese te “Fantazmat e Afganistanit”, ishte në mesin e atyre që u zhgënjyen thellësisht nga Mohib-i, një figurë që ajo e kishte gjetur veçanërisht frymëzuese gjatë xhirimit të dokumentarit në vitin 2019.
“Unë kisha një perspektivë dhe ide krejtësisht të ndryshme mbi atë që ai do të bënte për vendin. Mendova se ai mund të sillte ndryshime në shoqëri, sa i përket sigurisë”, kishte thënë ajo. “Por në fund ai me të vërtetë theu jo vetëm besimin tim, por besimin e të gjithëve”.
Ashtu si shumë të tjerë, Khwaga Ghani u detyrua të largohej nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin. Pasi që ajo po punonte gjithashtu për media të ndryshme, përfshirë “The New York Times”, “NPR”, “Vice” dhe “National Geographic”, ajo arriti të ikte nga Kabuli me familjen e saj falë ndërhyrjes së kolegëve të saj amerikanë.
Ishte një proces i ndërlikuar. Pas katër ditësh të fshehur në një hotel pas pushtimit të Kabulit nga talebanët, familja e saj u shoqërua për në aeroport. Ghani thotë se duhej të kalonin dy net pranë pistës para se të hynin në një aeroplan që ishte i mbushur me më shumë se 400 persona.
Ndalesa e tyre e parë ishte në Katar, ku ata kaluan shtatë orë të bllokuar në aeroplan, duke pritur autobusët që do t'i çonin në bazën ushtarake. “Fëmijëve po u binte të fikët brenda aeroplanit, nuk kishte oksigjen”, ka treguar ajo.
Pas një ndalese të dytë në bazën ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani, ata më në fund u dërguan në bazën “Fort McCoy “në Wisconsin, ku janë ende duke pritur. Edhe pse Ghani ka kontakte në zonë, ajo nuk lejohet të largohet nga kampi ku po qëndron më shumë se 20 ditë.
Nuk e dinë saktësisht se kur do t’u lejohet që të largohen, pasi që duhet përfunduar hetimet për refugjatët. Ghani dhe familja e saj planifikojnë të shkojnë përfundimisht në Kaliforni, ku vëllai i saj tashmë jeton. Asaj i është dhënë një bursë për të vazhduar studimet në gazetari dhe të drejtat e njeriut.
Ashtu si shumë afganë të tjerë, ajo synon të përballet me fantazmat e Afganistanit në të ardhmen. “Shpresoj që situata në vendin tim të përmirësohet, kështu që unë të mund të kthehem”, ka thënë gjersa ka shtuar se tani dëshiron që të mësojë gjëra që do të sjellin ndryshime në vendin e saj.