Kulturë

Një koncert në dikotomi zhanresh me transformimin e muzikantëve të rinj

Për dirigjentin dhe muzikantin Gregory Charette, Kosova është një vend i veçantë për të shpërndarë përvojën e tij muzikore. Sekretet e suksesin në muzikën bashkëkohore i ka ndarë edhe me studentët e Kosovës. “Që nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit të koncertit ata duken si muzikantë të tjerë”, ka thënë Charette për studentët

Dirigjenti dhe kompozitori amerikan Gregory Charette për një javë ka punuar intensivisht me një grup të rinjsh në kuadër të programit “DAMcademy”, pjesë e edicionit të dytë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Një dëshmi e përkushtimit dhe angazhimit ishte koncerti i së hënës mbrëma që u transmetua online për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kur gjithçka nisi në orën 22:00, studentët ishin një me mjeshtërit e kolektivin ndërkombëtar “Oerknal” që udhëhiqet nga Charette. Ky interpretim i përbashkët erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të ansamblit me pjesëmarrësit e sivjetmë të shkollës së muzikantëve “DAMcademy”. Prezantuan atë që e titulluan “Dichotomies”.

Titulli i koncertit është rezultat i programit të përzgjedhur: eksplorim stilesh muzikore në dukje kontradiktore: klasike/pop, moderne/barok, serioze/absurde. Melodi të cilat duken të largëta nga njëra-tjetra madje edhe kundërshtuese, por që u bashkuan për të krijuar muzikë plot energji, për të vënë në pah një shprehje muzikore të zgjuar e sofistikuar.

Koncerti virtual nisi me veprën “Divertimento” të Alfred Uhls, që konsiderohet si një përplasje e gëzueshme e ekspresionizmit dhe neoklasicizmit. Kompozimi “Viola Zombie” e Michael Daugherty mjeshtërisht “vjedh” materiale nga fonogramet televizive të viteve 1960 dhe himnet mesjetare latine, e “Blue Dress” e Julia Wolfe merr frymëzimin nga muzika e fyellit amerikan dhe kërkon që kuarteti me tela të këndojë gjatë lojës. U përmbyll me premierën e veprës “Far from the end” nga Damjan Joviçin, fitues i edicionit të parë të Garës së Kompozitorëve Ballkanikë. Kjo vepër theksoi lidhjen që ka “DAMcademy” si program i veçantë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Në anën tjetër, koncerti theksoi potencialin që ka “DAMcademy” për t’u shkëputur e qëndruar si një organizim më vete.

E themeluar në vitin 2019, “DAMcademy” është një akademi për muzikën bashkëkohore dhe vjen si bashkëpunim në mes të ansamblit “Oerknal” dhe festivalit “DAM”. Qëllimi është që t’u ofrojë studentëve të Kosovës mundësinë që të luajnë repertor bashkëkohor krahas muzikantëve që tashmë kanë një karrierë të etabluar në Evropë.

Gregory Charette ka treguar më shumë detaje për periudhën intensive me ushtrime prej 6 deri më 10 shtator e që ndikuan edhe në avancimin e të rinjve.

“Për mua ka qenë vërtet kënaqësi të shihja nivelin që kanë arritur studentët e Fakultetit gjatë një jave. Që nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit të koncertit ata duken si muzikantë të tjerë. Niveli i tyre ka qenë shumë i lartë dhe energjia që i kanë dhënë koncertit ka qenë shumë e veçantë”, ka thënë ai. Charette nuk është emër i panjohur në vend, pasi që disa herë ishte dirigjent i Filharmonisë së Kosovës. Ai nuk e ka fshehur mahnitjen e tij karshi avancimit të të rinjve.

“Duke qenë se gjatë qëndrimit në Kosovë kam pasur mundësinë që mëngjeseve të punoja me orkestrën dhe pasdite me studentët dhe kolektivin ‘Oerknal’, është e mrekullueshme që tani në orkestër shoh shumë fytyra të reja, dhe kjo më jep shumë shpresë për vazhdimësinë e këtij institucioni. Sa i përket avancimit të studentëve, me shumicën prej tyre kam punuar edhe gjatë vitit 2019, është si një vijë vertikale. Është e pabesueshme, duket sikur nuk janë njerëzit e njëjtë. Janë rritur shumë teknikisht dhe muzikalisht”, ka thënë kompozitori e dirigjenti që jeton në Holandë.

Ne mesin e studentëve që u bënë pjesë e “DAMcademy” ishte edhe flautistja Zanë Abazi.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë nga e cila të gjithë ne instrumentistët e rinj kemi përfituar shumë profesionalisht”, ka thënë ajo.

Në mesin e atyre që e kanë parë koncertin ka qenë edhe kompozitori Hajrullah Syla, sipas të cilit organizimet e tilla për studentët janë mjaft profitabile në aspektin profesional.

“Mendoj se u ndihmojnë shumë në zhvillimin e tyre profesional. Programi dhe paraqitja e tyre në këtë performancë ishin mjaft të mirë dhe shumë të domosdoshme për studentët tanë, ku ndoshta edhe për dikë ka qenë hera e parë që ka interpretuar muzikë bashkëkohore”, ka thënë ai.

Në kuadër të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë sivjet janë dhënë tri koncerte dhe dy performanca. Data e koncertit të fundit që po ashtu do të transmetohet online pritet që të bëhet e ditur së shpejti. Koncerti i radhës i kësaj garë do të shënojë përfundimin e një etape të “DAM-it” dhe fillimin e një kapitulli tjetër. Edicioni i sivjetmë i festivalit ndërkombëtar të muzikës ”DAM” planifikohet të mbahet nga 10 deri më 14 tetor. Nuk ishte mbajtur në gusht për shkak të pandemisë.

Megjithatë, “DAM” po përfundon një edicion të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit përmes së cilës po vë në pah fuqinë krijuese dhe interpretuese të muzikantëve të rinj. Fitues i edicionit të sivjetmë të kësaj gare është kompozitori Tomislav Oliver nga Kroacia, i cili me veprën e tij “Mixórdia IV” mori “Rrëqebullin e argjendtë”.