Kulturë

“Mikro makro” zbërthen njësimin e hapësirës me tingujt muzikor

Tingulli nuk është krijim që “lind” vetëm si pasojë e relacionit midis instrumentit dhe njeriut. Dimensionet e tij shkojnë përtej, duke hapur mundësinë e përdorimit të çdo gjëje, në tentim të jetësimit të zërave artistik. Kështu, ndërtesat, hapësirat e brendshme dhe të gjitha objektet mund të kthehen në vet instrumente, të cilat japin mesazhin e këndvështrimit më ndryshe të një frymëzimi artistik.

Kjo ishte edhe arsyeja e ardhjes në Kosovë për të parën herë e artistit gjerman, Holger Maik Mertin, në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike. Në sytë e tij dhe të publikut, dyshemeja, sipërfaqet e dritareve, muret, ajri vibrues, topat, tullat dhe objektet e tjera në “Termokiss” shndërrohen në cak të krijimit të ritmeve.

Performanca e cila destinimin fillestar e kishte të zgjaste 12 orë u finalizua brenda 60 minutave pasditen e së dielës, “Mikro makro”, solli perspektivën e ndryshimeve ritmike varësisht sipas variacioneve të objekteve.

Përvojën disavjeçare me transformimin e skenës e të lëvizjeve përgjatë kontaktit me teatrin dhe vallëzimin, i diplomuari në etnomuzikologji, sociologji, filozofi e terapi muzikore në Universitetin e Colognes së Gjermanisë, e ka shfrytëzuar për të qenë unikal në atë çfarë sjell në skenë.

“Pavarësisht që është festival i muzikës klasike, çka unë bëj është në mes. Po e ndiej veten shumë të mirëseardhur”, ka thënë Maik Mertin në deklaratën e tij për KOHË-n, teksa shtoi se “njerëzit janë të hapur për këtë që po bëj unë”.

Ishte pandemia Covid-19 ajo që ndërroi rrjedhën e performancës e cila mendohej të ishte me kontakt të drejtpërdrejtë me publikun dhe me mungesën e pajisjeve elektronike në objekt. E kësaj radhe, publiku mungoi, mirëpo magjinë e akustikës patën mundësinë ta ndiejnë virtualisht.

“Gjithçka ndodhte brenda kornizës si hapësira e tij e lëvizjes, po ashtu edhe prodhimi i tingujve përmes tubave të metalit, bredhit, gjetheve të vyshkura, sferës së betonit në një hapësirë arkitekturale, ngjyrë hiri”, ka thënë drejtoresha e Festivalit, Donika Rudi, gjersa përmendi se kjo ishte edhe një simbolikë e izolimit.

Tutje, Rudi ka thënë se në këtë shfaqje, Mertin lundroi në mënyrë stilistike mes fushave të artit të tingullor “unplugged” dhe performancës, vallëzimit bashkëkohor dhe performancës muzikore.

“Performanca na bëri të vëmendshëm edhe një herë për rëndësinë e tingujve, karakteret e tingujve, teksturat, format dhe ngjyrat tingullore”, ka shtuar drejtoresha e Festivalit.

Për arsyen pse kjo performancë quhet “Mikro makro”, profesori universitar në Cologne, ka thënë se solli perspektiva dhe struktura të ndryshme përbrenda një objekti.

“Unë e dua arkitekturën, gjërat e vogla brenda objekteve, ngjyrën, dyshemenë, lulet”, ka thënë artisti, i cili pohoi se “Termokiss” ishte vend ideal për këtë performancë.

Performancën e tij e ka quajtur muzikore, ka thënë se pavarësisht që lind nga ajo, ka përfshirje të vallëzimit dhe dimensioneve filozofike e sociologjike.

“Për disa vjet me radhë, kam tentuar të mos i përdor instrumentet, por të nis me gjëra që valltarët i përdorin, për shembull me gjërat në dhomë”, thotë ai, teksa tregon se janë inspiruese për të.

Përmes kësaj, ai ndihet më eksplorues sesa të përdorte instrumente normale.

Ndërkaq që në përballjen e parë me Kosovën, Holger Maik Mertin, pati mendime të mira.

“Kosova është destinacion i mirë, ka diçka interesante dhe të bukur në të”, përfundoi ai, teksa përmendi se është interesante formësimi shoqëror dhe historik.

E “Mikro makro” u la mbresa edhe publikut, të cilët çmuan fillimin e qetë me lëvizjen e topit, e deri te zhvillimi kulminant, e rikthimi te ritmet e ngadalta.

“Performancat e tilla na rikujtojnë tingujt e ritmet e para të njerëzimit që prej gjërave të hapësirës ku jetojmë, natyrës, objekteve dhe jashtë asaj që ka përmbajtje teknologjike”, u shpreh kompozitori i ri, Ersan Januzi. E sipas tij, kjo e zgjon edhe studimin e hapësirës. Në 20-vjetorin e themelimit, Festivali i Ndërkombëtar i Muzikës, dikur i njohur edhe si Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Re, besonte në një rrugëtim të gjatë muzikor të artistëve me publikun. Dy dekada pas, takimi fizik me artdashësit është i pamundur, sado që organizatorët deri para pak javësh besonin që mund ta realizonin. Por, masat e reja kundër përhapjes së pandemisë përmbysën planet e sivjetme. Të gjitha koncertet janë zhvendosur në format “online”.