Banorë të fshatit Miradi e Epërme të Fushë-Kosovës po e kundërshtojnë rrënimin e objektit të vjetër, që kishte shërbyer si Shtëpi e Kulturës para luftës. Sipas tyre, ky është objekti i vetëm i vjetër, gati njëshekullor, që ka mbetur në fshat, pas rrënimit të xhamisë dhe shkollës. Ata thonë se rrënimi po bëhet me qëllim që të përfitojnë individë brenda Komunës. Ndërkohë, zyrtarët komunalë thonë se Kuvendi Komunal ka marrë vendim që t’i rrënojë objektet e vjetra nëpër fshatra
I papranueshëm konsiderohet nga disa banorë të fshatit Miradi e Epërme të Fushë-Kosovës vendimi për rrënimin e një objekti që kishte shërbyer si Shtëpi e Kulturës. Ata thonë se ky ka qenë objekti i vetëm i vjetër, gati njëshekullor, që ka mbetur aty, pas rrënimit më herët të xhamisë dhe shkollës.
Disa prej tyre, në kushte anonimiteti kanë deklaruar se vendimi për rrënim nuk ka qenë në rregull dhe se kjo po ndodh me qëllim që të përfitojnë zyrtarë të caktuar komunalë.
Vlonjat Hasani, banor i këtij fshati dhe kandidat për Kuvend Komunal nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga pushteti komunal që ta restaurojë këtë objekt dhe ta funksionalizojë, në mënyrë që banorët dhe rinia të kenë ku t’i zhvillojnë aktivitetet kulturore.
“Ky objekt është një shenjë e fshatit dhe është objekt afërsisht njëshekullor. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që Komuna të marrë vendim që ta bëjë restaurimin e këtij objekti, ta kthejë në funksion, duke ua mundësuar edhe banorëve, edhe rinisë zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Rëndësia e këtij objekti është e veçantë, për shkak se veprimtaria aty ka vazhduar edhe nën masat e dhunshme të pushtetit të kaluar të regjimit serb, në kohën kur u ndaluan të gjitha aktivitetet nëpër objektet publike. Yjet e estradës, artistët e vendit kanë performuar dhe i kanë mbajtur programet e tyre pikërisht në këtë objekt”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se të gjithë banorët e dinë rëndësinë e këtij objekti dhe se, sipas tij, është e rëndësishme që të mos i ndërrohet natyra.
“Tani Kuvendi Komunal me propozim edhe të pushtetit lokal e ka marrë një vendim të pamenduar mirë. Përveç të pamenduar mirë, e kanë marrë edhe pa u konsultuar me të gjithë banorët e fshatit. Vendimi i tyre ka qenë që ky objekt të rrënohet dhe të mbetet vetëm një hapësirë që të mos shfrytëzohet për aktivitete kulturore. Ne mendojmë që këtij vendimi është dashur që t’i paraprijë edhe një vendim tjetër që të ndahen mjetet dhe të fillojë menjëherë ndërtimi i objektit të ri”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, ka thënë se në prill të këtij viti Kuvendi Komunal ka marrë vendim për rrënimin e disa objekteve të vjetra nëpër fshatrat e Fushë-Kosovës.
“Asgjë nuk është bërë pa një hulumtim, pa një studim dhe sigurisht se ka ardhur deri tek ai propozim. Vendimi është marrë që të rrënohen këto objekte të vjetra. Tani nuk e di si është gjendja e atyre, mund të ketë qytetarë të pakënaqur me këtë, por ky është vendim i Kuvendit dhe Kuvendi përfaqësohet nga të gjitha subjektet politike në Komunën e Fushë-Kosovës dhe anëtarët e fshatrave që janë përfaqësues në Kuvend”, ka thënë Ali Topalli. Sipas tij, ato janë objekte të vjetra, janë jashtë përdorimit, jashtëfunskionale dhe në to ka pasur vetëm grumbullim mbeturinash.
“Ka pasur do të thotë rrënoja, ka pasur keqpërdorime të këtyre objekteve dhe nuk e kemi parë të arsyeshme që t’i lëmë më në atë gjendje”, ka thënë ai.
Topalli ka thënë se nuk kanë ankesa nga banorët për rrënimin e këtij objekti.
“Aty është një qytetar, i cili e ka shfrytëzuar ditën kur ka filluar fushata zgjedhore dhe ai është një prej personave që është në listë, kandidat i një subjekti politik dhe sigurisht se nga dëshira dhe vullneti i mirë se po dua të bëj diçka, nuk e ka marrë shtruar dhe ashtu normalisht se si funksionojnë institucionet e Komunës”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës. “Se çka parashihet në këto vende, sigurisht se ato do të jenë hapësira publike për momentin do të jenë të pastruara dhe do të shohim në të ardhmen se a do të kemi mundësi investimi për objekte të reja, në këtë rast edhe për fshatin Miradi, ndoshta pse mos të jetë prapë aty edhe një shtëpi e kulturës, gjithherë duke pasur parasysh edhe kërkesat e banorëve të fshatit”.
Vlonjat Hasani ka thënë se nuk do të ketë kuptim asnjë objekt tjetër pos Shtëpisë së Kulturës, emrin e së cilës e mban edhe vetë rruga aty.