Kulturë

Teatri i Operës dhe Baletit hap kapitull të ri me mbrëmjen e yjeve

Plácido Domingo dhe Ermonela Jaho në skenën e re të Teatrit të Operës dhe Baletit
 

Pesë vjet me dyer të mbyllura për artistët e publikun, por rihapja e Teatrit të Operës dhe Baletit ka hapur edhe një kapitull të ri për këtë institucion. Koncertit ia kanë shtuar peshën pjesëmarrja e tenorit të famshëm spanjoll, Plácido Domingo, dhe e sopranos së njohur shqiptare, Ermonela Jaho. Mbi dhjetë milionë euro janë investuar në objektin e TOB-it

I tillë, siç ishte paralajmëruar, ka qenë koncerti me të cilin është inauguruar Teatri i rikonstruktuar i Operës dhe Baletit, të mërkurën mbrëma – një grand-gala me pjesëmarrjen e yjeve, e peshën ia kanë shtuar tenori i famshëm spanjoll, Plácido Domingo, dhe sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho. I kanë pritur në skenë artistët me eminentë shqiptarë dhe krejt ky organizim është shenjë e një kapitulli të ri të TOB-it, i cili rihapet pas punimeve që zgjatën hiç më pak se pesë vjet. Skena ku dyshja Domingo-Jaho ka sjellë arie nga “La Traviata” e Verdit tashmë u ngjan atyre botërore ku kanë shkelur përgjatë karrierës. Dalja e këngëtarit lirik spanjoll qe pika kulmore e mbrëmjes dhe ka qenë kolegia e tij shqiptare ajo që e ftoi para publikut. Por Jaho nuk harroi të kujtojë hapat e parë të karrierës që i bëri pikërisht nga kjo skenë, në të cilën rikthehet pasi ka pushtuar ato botërore. “Edhe pse e vogël, por me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, këtu filloi ëndrra ime për t’u bërë këngëtare operistike. Ashtu si ata breza që na kanë frymëzuar neve, na kanë dhënë këtë shpresë, këtë forcë, uroj që ky teatër dinjitoz t’u japë të njëjtën shpresë, të njëjtin frymëzim, edhe brezave të rinj. Thuhet që ëndrrat janë të vështira për t’u arritur, por unë e arrita ëndrrën time, dhe ëndrra ime fillon pikërisht këtu”, ka thënë Jaho.

Ka thënë se sa herë që pedagogët e tyre, këngëtarët e bashkëkombësit e saj që kanë dalë nga kjo skenë kanë folur e ëndërruar për idhujt.