Kulturë

Festivali i Venecias: Nis ceremonia e ndarjes së çmimeve, në garë edhe “Vera andrron detin”

Ka nisur ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. “Vera andrron detin” ka çuar edhe Kosovën në festivalin më të vjetër të filmit në botë.

Filmi nën regji të Kaltrina Krasniqit garon në kategorinë “Orizzonti” për çmimet: Filmi më i mirë, Regjia më e mirë, Çmimi special i jurisë, Aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe Skenari më i mirë.

“Vera andrron detin” ka dhënë sinjale se gjasat që të kthehet nga Venecia me çmim, nuk janë të vogla. Të premten vonë, ka marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur, “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” që i ka ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqit për filmin “Vera andrron detin”. Po ky film ka marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipi Mbret) që u jepet figurave globale të filmit, që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit.

Filmi është shfaqur pesë herë gjatë Festivalit të Venecias dhe ka marrë vëmendje të madhe nga mediat dhe vetë platformat e Festivalit që nisi në ditën e parë të këtij muaji.

Përderisa barra e rolit kryesor në filmin me producent Shkumbin Istrefin, i është besuar aktores shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini-Jegeni, audienca e festivalit të Venecies ka parë disa prej aktorëve më të mirë që ka Kosova, si Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e të tjerë.

Rrëfimi me skenar të Doruntina Bashës sjell një grua 64-vjeçare, interpretuese e gjuhës së shenjave, duhet ta sfidojë burrin e saj patriarkal për ta mbrojtur vajzën e tyre të cilën ai e ka zhbirësuar. Vera është e martuar me Fatmirin, një gjyqtar i pensionuar, në një martesë ku ai kontrollon gjithçka dhe ajo asnjëherë nuk e vë në pyetje autoritetin e tij. Megjithatë, gjithçka ndryshon kur Fatmiri vendos ta ndajë trashëgiminë, në të cilën nuk i përfshin as gruan e as vajzën që e kanë rritur. “Vera...” zbërthen temën e trashëgimisë së pronës te femrat që është problematikë jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion e më gjerë. E kësisoj bëhet temë universale.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.