Kulturë

“Rrëqebulli i Argjendtë” për Tomislav Oliverin nga Kroacia, Bardh Dubovci nga Kosova merr Çmimin e publikut

 

Pas pesë ditësh intensive me punëtori e koncerte që u transmetuan online, Gara e Kompozitorëve Ballkanikë në Prishtinë, të premten mbrëma, ka shpallur fituesit e edicionit të dytë. “Rrëqebullin e Argjendtë” e ka marrë kompozitori Tomislav Oliver nga Kroacia për veprën e tij “Mixórdia IV”. Ai do të marrë shpërblimin prej 500 eurosh si dhe një vepër të re të komisionuar për “DAM Fest 2023”. Për Rrëqebullin e Argjendtë” ka vendosur juria në përbërje të kompozitorit holandez, Klaas de Vries (kryetar i jurisë), flautistes amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitorit iranian, Ashkan Behzadi, i cili jeton e vepron në Kanada. Çmimi tjetër i Garës së Kompozitorëve Ballkanikë ka mbetur në Kosovë. Kompozitori Bardh Dubovci me veprën e tij “TAH - They are here”, ka marrë “Çmimin e publikut” i cili është përcaktuar nga votat online dhe i cili përfshin edhe vepër të komisionuar për programin e “BCCP 2023”.

Për edicionin e sivjetmë të kësaj Gare, ishin përzgjedhur gjashtë finalistë. “Duam t’i falënderojmë të gjithë aplikuesit veçmas, gjashtë finalistët e edicionit të dytë: Deniz Aslanin (Turqi), Arda Bayramin (Turqi), Bardh Dubovcin (Kosovë), David Mastikosan (Bosnjë-Herzegovinë), Petra Strahovnikun (Sloveni) dhe Tomislav Oliverin “Kroaci)”, shkruhet në një njoftim të organizatorëve të Garës. Po aty, është falënderuar edhe flautistja e ansamblit “Oerknal” Susanne Peters për interpretimet mbresëlënëse të gjashtë veprave të finalistëve.