Kulturë

KOHA në premierën e “Zgjoit”: Mbijetesa si shpresë në Kosovën e pasluftës

 

Plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish nuk janë më vetëm historia që e dimë. Është histori që bota jo vetëm po e njeh, por edhe po kondenson prej saj frymëzimin për mbijetesë. Ndërsa publiku filmdashës në Amerikë është ende i mrekulluar nga befasia e vërtetë e “Sundance Film Festival”, produksioni “Ikonë” i ka lejuar ekskluzivisht ekipit të KOHËS ta ndjekë filmin e metrazhit të gjatë që krijoi histori të shumëfishtë në botën e kinemasë

E para ndjesi që përftohet është ajo e marramendjes gjersa Fahrija nxiton fshehurazi të hapë thasët me mbetjet mortore të banorëve të vrarë të Krushës së Madhe. Kjo mënyrë e të xhiruarit përkap si mos më mirë agoninë e pambarimtë të atyre që jetojnë në pritje të më të dashurve që nuk u kthyen asnjëherë.

Skena e radhës është gati si shkëputje që shikuesin e vë mes zukamës së koshereve të bletëve. Aty Fahrija si bletare hedh hapat e parë në një mbijetesë për shumëkënd të pamundur: zhdukja e burrit ka prerë si me thikë fatin e një familjeje të tërë.