Hyrja në qendër të Prishtinës, përkatësisht rrethrrotullimi në “Lakërishte”, javën tjetër do të marrë një pamje krejtësisht tjetër. Festivali “Meeting of Styles” është gati për kapitullin e radhës. Do të bëjë bashkë rreth 80 artistë, të cilët me veprat e tyre të artit do të mbulojnë rreth 3 mijë metra katrorë
“Çfarë ndodh kur grafistë të njohur nga vende të ndryshme bëhen bashkë?”, kjo është pyetja që sivjet kanë parashkruar organizatorët e festivalit “Meeting of Styles”. Ata besojnë se qyteti bëhet më i gjallë, nis krijimi i tregimeve dhe njerëzit bashkohen. Diçka të tillë presin që të ndodhë edhe sivjet në edicionin e pestë të festivalit.
Drejtori i festivalit, Agon Xhelili, ka treguar detaje nga aventura treditore e ngjyrave, që pritet të nisë më 13 gusht. Ata janë kthyer në lokacionin ku ishin vendosur vjet. Kanë një arsye për këtë. Pandemia e numri i vogël i artistëve pjesëmarrës kishin bërë që të mbulonin vetëm 1/3 e hapësirës së planifikuar. Për këtë arsye, Olimpiada e artit publik, siç konsiderohet festivali ndërkombëtar i grafitit, “Meeting of Styles”, edhe këtë vit do të mbahet te rrethrrotullimi në lagjen “Lakërishte”. Muralet do t’i bashkojë tema e sivjetme e titulluar “Përrallat e Bashkimit”.
“’Përrallat e Bashkimit’ më shumë ka ardhur për shkak të rrethanave e situatës. Prandaj po presim që ky edicion t’i bashkojë më të vërtetë artistët prej shumë vendeve, të vijnë dhe të kthejnë atë energjinë që ka pasur ‘Meeting of Styles’ dhe atë efektin për transformimin e hapësirave”, ka thënë Xhelili.
Organizatorët dëshirojnë që hapësirës t’i japin ngjyra të freskëta. Për këtë kanë bërë bashkë artistë që tashmë kanë lënë gjurmë në kryeqytet, por edhe të tillë që vijnë për herë të parë. Të mbledhur nga vende të ndryshme të botës, këtë vit pritet që pjesë e festivalit të jenë rreth 80 artistë.
“Me murale të reja dëshirojmë që drejtpërdrejt të ndikojmë në imazhin e qytetit. Dëshirojmë që të tregojmë kush jemi dhe që rinia e vendit me shpalosë një vlerë përmes artit”, ka thënë ai. Ka shtuar se ekziston edhe ai qëllimi afatgjatë: turizmi kreativ.
“Për këta pesë vjet që punojmë (v.j. Festivali) ka ngjallur interes dhe kureshtje te dashamirët e artit, që ka më shumë jashtë vendit, por edhe te ne është shfaqur një interesim, pasi që është e lehtë për të kuptuar të mirën që e sjell Festivali. Prandaj ka rritje të vlerave, por edhe të atyre që i njohin vlerat”, ka thënë ai.
Por jo të gjithë ishin treguar aq miqësor ndaj veprave të tilla të artit. Ka të tilla që ishin mbuluar plotësisht. Madje një rast i tillë ishte në vitin 2019, pikërisht në lokacionin ku sivjet do të mbahet festivali. Bëhej fjalë për veprën e artistit “LUDO”, i cili kishte pikturuar një vajzë, në sfond të së cilës ishte një alamet qyteti. Artisti i lindur më 1976 është i njohur për ciklin e veprave “Nature’s Revenge” (Hakmarrja e natyrës). Nëpërmjet ekspozitave e ndërhyrjeve të tij ka lënë gjurmë në vende të ndryshme të botës. Parisi, Berlini, Amsterdami, New Yorku e Londra janë veç disa prej qyteteve ku ai kishte shprehur shkathtësinë. E Prishtina nuk e kishte “duruar” veprën e tij as katër muaj. E njëjta ishte mbuluar me ngjyrë hiri. Ky fakt kishte ngjallur reagime nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës e nga organizatat që e kanë organizuar festivalin, produkt i të cilit ishte murali. Krejt kjo kishte sjellë idenë që ky lloj i artit në hapësira publike të mbrohet me ligj.
Agon Xhelili ka thënë se fatkeqësisht as veprat e reja të cila do të krijohen sivjet nuk kanë një siguri. Diçka e ngjashme me këtë rast mund t’u ndodhë përsëri.
“Deri tani janë mbuluar katër murale pa dijeninë tonë. Të njëjtat kemi arritë me i kthye vetë, por jo përmes ndonjë zgjidhjeje që do të ofronte zgjidhje përgjithmonë, e që do të ishte miratimi i një rregulloreje apo kornize ligjore që mbron muralet, por që lidhet edhe me turizmin kreativ, që është edhe pikë-qëllimi ynë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, disa murale të cilat ka kohë që kanë zënë vend aty mund të vrojtohen vetëm edhe disa ditë. Ato do të zëvendësohen me vepra të reja të artistëve të njohur, si: “Bacon”, Delgan”, “Demos”, “Holem”, “Kemsa.RT” , “Ledis”, “Lud”, “Nash”, “Rezin” e të tjerë.
Këtë vit në kuadër të festivalit do të mbahen edhe punëtori e aktivitete të tjera. Festivali ndërkombëtar “Meeting of Styles Kosovo” është i pari i kësaj natyre në Kosovë dhe rajon. Organizatorët synojnë që në edicionet e ardhshme t’u japin ngjyrë edhe pjesëve të tjera të kryeqytetit.