Profesori universitar dhe artisti Milot Gusija ka bashkuar 24 vepra artistike, në të cilat ka bërë ndërhyrje përmes dizajnit grafik në figurat e shquara të historisë e mitologjisë ilire, si dhe ka shfaqur një video-performancë në të cilën bëhet një jetësim digjital i identitetit kulturor. “E kam vërejtur që institucionet e trashëgimisë kulturore shumë pak po vizitohen dhe periudha ilire ka mbetur në harresë, e kam ndier si borxh këtë art performancë me qëllim që ta ngre vetëdijen”, ka thënë Gusija sa u përket motiveve që e kanë shtyrë ta jetësojë këtë nismë
“Qasja ndaj trashëgimisë kulturore tregon nivelin tonë”, kështu beson autori i performancës artistike, “Unë jam ilir”, i cili ka gërshetuar të vjetrën e modernen në të.
Profesori universitar dhe artisti Milot Gusija ka bashkuar 24 vepra artistike, në të cilat ka bërë ndërhyrje përmes dizajnit grafik në figurat e shquara të historisë e mitologjisë ilire, si dhe ka shfaqur një video-performancë në të cilën bëhet një jetësim digjital i identitetit kulturor.
“E kam vërejtur që institucionet e trashëgimisë kulturore shumë pak po vizitohen dhe periudha ilire ka mbetur në harresë, e kam ndier si borxh këtë art performancë me qëllim që ta ngre vetëdijen”, ka thënë Gusija sa u përket motiveve që e kanë shtyrë ta jetësojë këtë nismë.
Shumica e figurave të cilat qëndrojnë hijshëm në Lapidariumin e Muzeutg Kombëtar të Kosovës i takojnë periudhës ilire e greke. Disa kanë edhe motive mitologjike. Ndërkaq autori i quan ato “kryevepra të trashëgimisë kulturore të Kosovës e Shqipërisë”.
“Qëllimi im ka qenë t’i qasem periudhës ilire, sepse është ajo e cila i bashkon Shqipërinë e Kosovën, të cilat i kam paraqitur përmes imagjinatës në mediumin e dizajnit grafik”, ka thënë ai. Por ka shkuar edhe më tej sa i përket “lojës” me eksponate të rëndësishme të këtyre anëve.
“Hyjnesha në fron”, “Perëndesha ilire”, Kletia e Artemizi janë disa prej protagonistëve të kësaj performance artistike. Mirëpo, ato nuk kthehen në formën e busteve, por në mediumin e pllakatit
Ravijëzime, forma, shkrirje e ngjyra të shumta të përdorura në këto vepra arti i kanë dhënë edhe më shumë gjallëri ekspozitës, duke i bërë të qëndrojnë mes retrospektivës e aktuales.
“Çdo pllakat e ka një rrëfim. E përbashkëta është se kam tentuar t’u jap elemente sa më njerëzore këtyre skulpturave”, ka thënë profesori universitar për ekspozitën që është hapur të shtunën.
E arsyeja e këtij veprimi, sipas tij, është “dhënia e ndjenjave”. Disa nga figurat kanë shprehësi emocionale
“Duke iu dhënë elemente njerëzore kam tentuar ta preki audiencën e të ngjalli emocione”, ka shpjeguar Gusija.
Ka thënë se në mbrëmjen e hapjes së performancës artistike vizitorët kanë “medituar nga muzgu gjerë në mbrëmje”.
“Këto figura antike e kanë marrë rolin e njeriut, vizitorët janë lidhur me to, duke u ulur pranë tyre dhe e kanë përcjellë videoperformancën e cila është ndjekur në Lapidarium”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, ai e ndërlidh këtë jetësim emocional me periudhë kohore.
“Përmes ndjenjave jemi kthyer në të kaluarën tonë”, vlerëson ai.
I frymëzuar nga kuptimi i fjalës “ilir”, që mund të kuptohet edhe si “i lirë”, autori ka dashur të shprehë një dimension të së kaluarës.
“Qëllimisht e kam pagëzuar që ta vetëdijesoj brezin e ri për trashëgiminë e pasur kulturore që e kemi ne, si brezi i ardhshëm i një kulture komplekse, e cila fatkeqësisht kohëve të fundit ka mbetur në harresë”, ka sqaruar Milot Gusija.
është pjesë e videoprezantimit ku unë kam luajtur me tipografi dhe me fjalën ‘unë jam ilir’, pra ‘unë jam i lirë’, në kontekstin tonë që askush nuk na ndalon t’i qasemi trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Gusija.
E përtej protagonistëve, “Unë jam i lirë” është edhe një shprehësi poetike. Në njërën nga pllakatet ku rri dukshëm kombinimi i së bardhës me të zezën dhe i refleksionit e artit grafik, “Mauzoleu” është mbishkrimi i cili bie menjëherë në sy.
“Mauzoleu është art performancë që e kam punuar edhe më herët, janë një cikël poezish që i kam krijuar rreth udhëtimit urban në rrugët e Prishtinës, një pllakat tipografik”, ka thënë Gusija.
Pjesë e performancës “Unë jam ilir” është edhe interieri i brendshëm i lapidariumit, të cilin e ka ndryshuar me disa ndërhyrje.
“Me qëllim i kam vendosur disa bazamente të zbrazëta për të simbolizuar mungesën e vizitorëve në muzetë e Kosovës e Shqipërisë”, ka thënë ai.
E në punën e tij artistike ndërlidhen edhe pikëpamjet e tij për profesionin të cilin e ushtron.
“Dizajni grafik është mundësi e komunikimit vizual, i cili e vetëdijeson masën”, ka thënë Gusija.