Kulturë

Bekim Lumi i artësimit nëpërmjet artit

Në trevjetorin e vdekjes së tij, familjarë, miq e bashkëpunëtorë të tij kanë ndier që misioni i Bekim Lumit nuk ka përfunduar. Sa qe gjallë, ai krijoi neologjizmin “artësim”, që tek ai shkoqitej kuptimisht si lartësim, emancipim, iluminim dhe fisnikërim përmes artit. Në këtë përvjetor të ikjes së tij do të shpaloset edhe një profil tjetër jo fort i njohur i tij – si poet. Të shkruara hem në Tiranë, hem në Mynih, një duzinë poezish janë dëshmi e një shpirti që përpiqej për “artësimin” e të tjerëve. Gjatë viteve studentore, regjisori i ardhshëm, Bekim Lumi, po e sprovonte veten me poezi. Duke eksperimentuar sipas lirshmërisë së infinitshme të postmodernes, artisti-misionar nga Prishtina përcillte me varg, metaforë e gjuhë poetike nënqiellin e murrëtyer të viteve ’90 në Kosovë

 

Ishte ditë e hënë e 30 korrikut të vitit 2018 kur mileut të artit iu mpakën radhët. Një betejë thjesht e pamundur me sëmundjen i preu jetën regjisorit, skenaristit e krijuesit Bekim Lumi, në moshën 52-vjeçare. Edhe kur fuqitë po e linin dora-dorës nga terapitë që merrte, ai prapëseprapë merrte rrugën drejt Teatrit Kombëtar të Kosovës për shfaqjen “Arturo Ui”, tek e cila kërkesat i mbante të larta gjer në hollësitë më të imta. Kjo shfaqje, së cilës nuk ia pa kurrëherë premierën, do të merrte çmimin “Regjia më e Mirë e Vitit” nga Ministria e Kulturës.

Në trevjetorin e vdekjes së tij, familjarë, miq e bashkëpunëtorë të tij kanë ndier që misioni i Bekim Lumit nuk ka përfunduar. Sa qe gjallë, ai krijoi neologjizmin “artësim”, që tek ai shkoqitej kuptimisht si lartësim, emancipim, iluminim dhe fisnikërim përmes artit.

Image

“Engjëlli blu” me poezitë e Bekim Lumit, do të promovohet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Profili i panjohur: Lumi si poet

Duke rrëmihur mes arkivit jo të paktë të tij, ku ngrenë krye stiva fletoresh, 54 poezi janë konsideruar si të mjaftueshme që në formë libri të sjellin edhe profilin e tij të panjohur: Bekim Lumin si poet.

Botim i qendrës “Multimedia”, me përkrahjen financiare të Ministrisë së Kulturës, libri “Engjëlli blu” sjell sprovat e Lumit në truallin e poezisë. 3 qershor 1994 është data kur ai shkroi poezinë pesëvargëshe “Deti dhe loti”.

Ajo është një nga 54 simotrat poetike që janë përndarë në kapitujt “Deti dhe loti”, “Testament”, “Streaptease i shqiptarit”, “Rozafë ajo bahet” dhe “Me dashtë kur me dashtë nuk duhet”.

I përgatitur për shtyp nga miku i tij Afrim Demiri, përmbajtja e librit e ka të vraguar edhe kohën kur u shkruan: kështu, gjendja e nderë politike e gjysmës së dytë të viteve ’90 përcillet me vargje, ndjesi e gjuhë poetike.

“Ku pa pra/ i mërzitshmi, i tejdukshmi, i pangjyrshmi, i lagshti, i ujti, i pikshmi, i qullti/ shi pikon/ ku je engjëll blu, engjëll blu, engjëll blu”, janë vargjet e poezisë “Engjëlli blu”, që është zgjedhur edhe si titull i librit.

E poshtë saj si “post scriptum” është edhe sugjerimi që poezia duhet të lexohet duke e dëgjuar “Stairway to Heaven” të “Led Zeppelinëve”.

Kadriu: “Shprehja poetike, gjithnjë e pranishme në punën e tij në teatër”

Aurela Kadriu nga qendra “Multimedia” ka thënë se ky botim vjen në dritën e një numri të madh njerëzish që besojnë se puna artistike e Lumit duhet të ruhet e të përkujtohet. Ajo ka vlerësuar se libri me poezi plotëson imazhin e një krijuesi shumëdimensional.

“Shprehja poetike, për këdo që pati fatin e mirë t’ia shohë shfaqjet, ka qenë gjithnjë e pranishme në punën e tij teatrore”, ka thënë Kadriu.

Ajo ka treguar se “Engjëlli blu” është vetëm përvijim i nismave të mëparshme të kësaj qendre për të afirmuar krijimtarinë e tij prej artisti: kështu, post-mortum më 2019 ishte botuar libri i tij në dorëshkrim “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Po atë vit, në festivalin ndërkombëtar të letërsisë “Polip” ishin lexuar dhe interpretuar poezitë e Lumit, që tashmë janë të botuara në formë libri.

“Botimi i ‘Engjëllit blu’ vjen si vazhdimësi e këtyre përpjekjeve”, ka thënë Kadriu, e cila ka bërë me dije se hisen kryesore të meritës e kanë vetëm familjarët e Lumit.

Ashtu si në promovimin e para dy vjetësh, edhe mbrëmja e sontme në TKK do të jetë e përqendruar kryesisht në leximin e poezive nga aktorë si Melihate Qena, Afrim Muçaj, Arta Muçaj e Afrim Kasapolli.

Krasniqi: “Më e pakta që mund të bëhet”

E vëllimshmja krijimtari artistike e Bekim Lumit edhe përtej vokacionit të tij regjisorial kërkon kohë për t’u shpalosur e për t’u ndriçuar në çdo segment.

Këtë bindje ka miku i tij, dramaturgu Arian Krasniqi, që është një nga ata që i janë rrekur punës për t’i bërë bashkë poezitë e Lumit brenda një libri e për t’i promovuar sprovat e tij në poezi.

“Bekimi, përveç trashëgimisë të bujshme teatrore, ka lënë një trashëgimi edhe poetike”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, trevjetori i vdekjes e zbulon edhe një dimension të rrallë artistik të Lumit: letërsinë.

Duke qenë një nga ata që janë përfshirë në një grup “informal” për manifestimin përkujtimor, ai ka falënderuar familjen Lumi, e cila e vuri në dispozicion të gjithë arkivin e dorëshkrimeve të tij poetike. Sipas Krasniqit, botimi i kësaj vepre është më e mira e mundshme, “por më e pakta që mund të bëhej në këtë trevjetor të shkuarjes së tij në amshim”.

“Nëse Lumin e kemi njohur si regjisor inventiv e kreativ, avangard, hulumtues, eksperimentues e pedagog të përkushtuar, atëherë përmes këtij vëllimi poetik e shohim atë edhe si poet”.

“Një gegnishte e rrjedhshme poetike”

Duke folur për librin e botuar, ai ka thënë se shumica e tyre janë shkruar gjatë viteve të qëndrimit në Tiranë, kur po studionte në Akademinë e Arteve të Bukura, kurse një pjesë tjetër edhe gjatë kohës sa ishte në Mynih të Gjermanisë.

Kështu, sipas tij, temat variojnë nga malli për vendlindjen, për nënën e tij, ndjeshmëria rreth gjendjes politike e sociale të kohës e deri tek ato që mund të përkufizohen si tema të dashurisë.

“E veçanta e këtij libri është se Lumi me një gegnishte të rrjedhshme poetike na sjell përjetimin emocional të asaj kohe, ose viteve kur i krijoi këto poezi”, ka shtuar dramaturgu Krasniqi.

Hysaj: “Ai synoi përsosmërinë…”

Regjisori dhe profesori në Fakultetin e Arteve, Fadil Hysaj, ka thënë se Lumi ishte një regjisor i një formati unik që besoi në fuqinë ndikuese të artit në kultivimin dhe avancimin shpirtëror të njeriut. I tillë ai qe edhe kur bënte shfaqje teatrore, kur merrej me shkrime apo kur ligjëronte në fakultet.

“Ai synonte përsosmërinë, finesën artistike duke besuar se arritja deri te finesa është ajo që një artist, shkencëtar apo intelektual e bën të ndryshëm nga të tjerët”, ka thënë Hysaj për KOHËN.

Ai ka vlerësuar se Lumi gjatë gjithë jetës së tij nuk iu shkëput idesë së tij që mund të ndikojë në fisnikërimin dhe “artësimin” e të tjerëve.

“Besimi në art dhe besimi se përmes artit mund të bëhet ‘artësimi’ i atyre që e duan artin, ka qenë platforma të cilën e ka ndërtuar me veprat e tij Bekim Lumi dhe atë platformë na e la trashëgimi”, ka shtuar Hysaj.

Nga Suhareka, ku u lind më 17 dhjetor 1966, Bekim Lumi do të zhvendosej në Prishtinë. Nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar për Regji Teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës.

Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.

Gjatë këtyre viteve ai ka punuar si regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona”, si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. “Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”, janë disa prej shfaqjeve me të cilat mbahet mend Lumi. Ishte një prej regjisorëve kosovarë, shfaqjet e të cilit kanë marrë pjesë në shumë festivale, si në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë e në vende të tjera.

Më 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë, e më 2016 ka fituar “Çmimin vjetor për shfaqjen më të mirë”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës. Lumi ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja”, e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010.