Kulturë

“Adem Mikullovci” me pesë aktorë synon aktivizimin teatror në Vushtrri

Me synimin për të ngjallur jetën teatrore në qytet, Teatri i Qytetit “Adem Mikullovci” në Vushtrri, është bërë për herë të parë me trupë rezidente. Pesë aktorëve – Bujar Haxhaj, Blerta Gubetini, Blerina Veseli, Ekrem Ismajli dhe Besart Bunjaku – Komuna e Vushtrrisë u ka nënshkruar të martën kontrata të përkohshme. I vlerësuar si një hap për funksionalizimin e këtij teatri, kjo ka sipërfaqësuar edhe një herë kërkesat e kahershme të teatrove komunale për trupa rezidenciale të aktorëve kundrejt Ministrisë së Kulturës dhe refuzimit të kësaj të fundit për shkak të kufizimeve buxhetore

Për disa vjet funksionimi, vetëm puna vullnetare e aktorëve vushtrrias e kishte mbajtur gjallë Teatrin e Qytetit “Adem Mikullovci”. Por nga e marta, ky teatër është bërë për herë të parë me trupë rezidenciale me aktorë nga po ky qytet.

Lajmin e ka bërë me dije gjatë ditës kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nëpërmjet një afishimi në faqen e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se Departamenti i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar një kontratë me trupën rezidenciale të aktorëve për herë të parë në historinë e këtij teatri.

“Kjo ngjarje është me rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën në Vushtrri”, ka shkruar Tahiri teksa ka shprehur bindjen që aktorët e rinj me punë do të ecin gjurmëve të aktorëve të mëdhenj nga Vushtrria si Abdurrahman Shala, Adem Mikullovci, Xhemajl Cecelia e shumë të tjerë.

Ismajli: Këta aktorë punuan vullnetarisht për teatrin

Sipas kontratave të nënshkruara, aktorët Bujar Haxhaj, Blerta Gubetini, Blerina Veseli, Ekrem Ismajli dhe Besart Bunjaku, do të jenë pesëshja e trupës rezidente. Në një prononcim për KOHËN, drejtoresha për kulturë në Komunën e Vushtrrisë, Arta Ismajli, është shprehur e kënaqur që u jetësua angazhimi i këtyre aktorëve.

“Ata, edhe kur ishin pa kontrata, punuan në disa shfaqje si vullnetarë vetëm e vetëm që ta mbajnë gjallë teatrin”, ka thënë Ismajli teksa ka shprehur synimin që së shpejti të jenë 10 aktorë të trupës rezidente sipas statutit të Teatrit.

Në bazë të nenit 19 të statutit të Teatrit të Vushtrrisë, Teatri mund të ketë ansambël rezident, të përbërë prej më së paku 10 aktorësh cilësorë të të gjitha gjeneratave. E po ashtu në të njëjtin nen sqarohet se me propozim të drejtorit apo udhëheqësit artistik, mund të angazhohen edhe aktorë të tjerë me kontratë mbi shërbime të veçanta në projekte të caktuara.

Nis puna për realizimin e shfaqjes së parë

Ky Teatër prej vitesh udhëhiqet prej përgjegjësit Fazli Muharremi, por sipas drejtoreshës për kulturë, shumë shpejt do të zgjidhen drejtori i Teatrit si dhe udhëheqësi artistik. Deri në vitin e kaluar, Teatri vushtrrias kishte qenë peng i restaurimit të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, aty ku, pos Teatrit, ushtrojnë paralelisht aktivitete edhe biblioteka, arkivi si dhe Ansambli i këngëve dhe valleve.

“Në këtë qendër është salla shumë funksionale për realizimin e shfaqjeve”, ka thënë Ismajli, teksa ka bërë me dije se buxheti i çdovitshëm për këtë teatër është 10 mijë euro.

Në nëntor të vitit të kaluar, kuvendi i Komunës së Vushtrrisë kishte miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Teatrit të Qytetit të Vushtrrisë. Me këtë rast, ishte vendosur që emërtimit “Teatri i Qytetit të Vushtrrisë” t’i shtohej emri i aktorit, Adem Mikullovci.

Derisa emri i ri është në procedura të regjistrimit, Ismajli ka bërë me dije se aktorët, tok me përgjegjësin e Teatrit, tashmë kanë filluar përgatitjet për realizimin e një shfaqjeje që do të ketë premierën e saj në muajin shtator.

Tahiri: MKRS-ja, e shurdhër ndaj kërkesave tona

Themelimi i trupës rezidente të këtij Teatri ka sipërfaqësuar problemet e kahershme të teatrove nëpër komuna kundrejt Ministrisë së Kulturës. Në një bisedë për gazetën, kreu i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se kjo zgjidhje është tranzitore derisa institucioni më i lartë kulturor në vend të aktivizojë trupën teatrale e ta paguajë atë nga buxheti i Ministrisë së Kulturës.

“Ne i kemi marrë aktorët me kontrata të përkohshme, në bazë të Ligjit të Punës, për shkak se Ministria nuk po na lejon”, ka thënë Tahiri për të shtuar se Teatri deri më tani ka qëndruar i mbyllur dhe aktorët të papunë.

Duke vlerësuar se e gjithë përpjekja është që të funksionalizohet Teatri, ai ka thënë se në Ministri vazhdimisht janë arsyetuar se nuk mund t’i paguajnë të gjithë aktorët.

“Derisa Ministria të ketë buxhetin e saj, ne do t’i paguajmë aktorët nga buxheti ynë komunal”, ka theksuar Tahiri.

Sipas nenit 16 mbi financimit e teatrit në Statutin e Teatrit të Qytetit “Adem Mikullovci”, mjetet për punën e Teatrit sigurohen nga buxheti i Komunës, të hyrat vetanake të realizuara nga veprimtaria teatrore si dhe nga donatorë të tjerë.

Kreu i Vushtrrisë po ashtu, ka shtuar se kërkesat e tyre për trupë rezidenciale, si në qytete të tjera, kanë hasur vazhdimisht në vesh të shurdhër.

Për këtë arsye, sipas tij, Komuna ka vendosur që t’i angazhojë pesë aktorë përmes kontratave mbi vepër, çka është e lejueshme për artistët.

“I gjithë synimi ynë është të që teatri të ketë dinamikë të re, të jetë funksional dhe artistët t’i përmbyllin detyrat e tyre”, ka thënë Xhaferi.

“Që qyteti ta ketë teatrin që meriton”

E këtë bindje e ka ndarë edhe aktorja, Blerta Gubetini, e cila është shprehur e vendosur që tok me kolegët t’i sjellë Vushtrrisë teatrin që e meriton. Me synimin për gjallërimin e jetës teatrore në qytet, ajo e ka përshkruar si ndjenjë të veçantë që është bërë pjesë e një trupe të re në historinë e teatrit vushtrrias.

“Vushtrria është qyteti im i lindjes dhe vendi ku jam rritur, është nder dhe privilegj për mua ta kem mundësinë t’i ofroj një krijimtari që me shpresë do të zgjasë shumë”, ka thënë Gubetini.

Edhe aktori tjetër, Besart Bunjaku, është shprehur i lumtur që teatri i qytetit po u rikthehet aktiviteteve të tij pas një shkëputjeje dyvjeçare për shkak të rinovimit.

“Natyrisht që është ndjenjë e mirë që sot i nënshkruam kontratat, por unë që nga fëmijëria kam realizuar shfaqje në këtë teatër”, ka thënë Bunjaku teksa ka thënë se tashmë kanë nisur provat për shfaqjen e parë që do ta ketë premierën e saj në shtator.

Ndryshe, kërkesat shumëvjeçare të komunitetit teatror për zgjidhjen e statusit të tij u vunë në binarë pas pavarësimit buxhetor që u mundësua kur Komisioni i Granteve, në kuadër të Ministrisë së Financave, në prill të vitit 2019 miratoi financimin komunal për teatrot sa u përket viteve 2020-2022.

Ndërkaq, me miratimin e buxhetit të vjetshëm, në mars, tetë teatrove të qyteteve u ishte hapur rruga që të shpallnin konkurse për staf rezident.

Gjilani, Prizreni dhe Gjakova e me pas edhe Peja, kanë qenë teatrot e para që gjatë korrikut të vitit të kaluar nënshkruan kontratat e rregullta të punës për angazhimin e aktorëve dhe punonjësve të stafit teknik dhe administrativ.