Kulturë

Animatorja në njohjen e vetvetes

“Dëshiroja të bëja film erotik dhe kërkoja material në internet. Aty u ndesha me informacione për trupin në ‘Wikipedia’ dhe pashë se nuk dija sa duhet për të”, ka thënë regjisorja Lori Malépart në prezantimin e saj të dielën në “Anibar”. Një moment si ky qe i mjaftueshëm për t’i dhënë drejtim krejt krijimtarisë së saj, që u shndërrua në një lloj njohjeje të trupit të saj, vetvetes

Sensualiteti femëror ka ditur t’i ngacmojë frymëzimet krijuese të poetëve, muzikantëve e shumë artistëve të tjerë. Mirëpo, sa ka arritur animacioni ta transmetojë atë nëpërmjet botës shpirtërore të sekuencave lëvizëse? Kjo ia kishte ngacmuar kureshtjen regjisores së filmave të animuar Lori Malépart nga Kanadaja, e cila interesimin e saj e ktheu në shtrirje të një rrugëtimi të ri për të. Si ish-studente e filmave të animuar dhe arteve pamore në Universitetin e Concordias, ajo dëshironte të depërtonte në një dimension tjetër. Për ketë ajo ka folur paraditen e së dielës në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Përtej temave të përditshme, problemeve psikike e pasqyrimeve nganjëherë komike të situatave njerëzore, ajo kishte dashur të hynte në brumin e krijimit të gjeneratave njerëzore.

“Dëshiroja të bëja film erotik dhe kërkoja material në internet. Aty u ndesha me informacione për trupin në ‘Wikipedia’ dhe pashë se nuk dija sa duhet për të”, ka thënë Malépart, në prezantimin e saj nëpërmjet video-lidhjes.

Kur e ka thënë këtë dukej sikur e pasqyronte edhe gjendjen e popujve të Lindjes e të Ballkanit, te të cilët shpeshherë mungon njohja personale e seksualitetit trupor duke qenë një temë që nuk diskutohet as në familje, as në shkollë. Gjatë prezantimit të rrugëtimit të saj ka thënë se ndihej e turpëruar për paditurinë e saj, teksa lexonte informata të cilat kishin të bënin edhe me “trupin e saj”.

Si fanatike e erotikes, njëra ndër personazhet e para të saj – realizuar rreth viteve 2011-2012 – kishte qenë një vajzë e tëra në ngjyrë vjollce, e cila ndiente kënaqësi seksuale në një dhomë e vetmuar.

“Mësimdhënësi im nuk dinte çfarë të më thoshte kur e pa punimin”, ka thënë ajo duke qeshur.

Gjatë kohës sa ka shpalosur karrierën e saj të animacionit, seksualja ishte tok me këtë rrugëtim.

“The beat of sex” nga Signe Baumane, “La fabuleuse historie du clitoris” nga Jean Claude Piquard kishin qenë dy libra udhërrëfyes për krijime të reja artistike.

“Këtu është koha kur zbulova gjithçka rreth animacionit dhe u dashurova me të”, ka thënë ajo me mallëngjim për kohën e studimeve.

Teksa është rikthyer në kohë për të qenë një rrëfim inspirues për animatorët e rinj të cilët me kureshtje e dëgjonin nga ulëset e kinemasë së mbyllur, ajo sot ka arritur të bëjë nam në këtë fushë. Filmat e saj të shkurtër “The Clitoris”, “Sparky Ketchup”, “Extra Mushrooms”, kanë arritur të shëtisin në festivale të ndryshme botërore.

Përderisa sot punon me projekt filmik për masturbimin femëror në Bordin Kombëtar të Filmit në Kanada, fillet nuk i kishte pasur të lehta. Me modestinë e madhe shpalos detaje nga koha kur nga dhoma e saj e punës ëndërronte të bëhej kjo që është sot.

“Kam qenë studente e varfër materialisht dhe kjo është arsyeja pse i kam bërë animacionet e para në letër”, ka thënë ajo, teksa në ekran janë shfaqur skica të punës së saj.

Vija të lehta të kuqe e forma të cilat dallohen lehtë për kuptimin e tyre, përbëjnë personazhet e saj, të cilat janë një bashkim mes organit mashkullor e femëror dhe formësimi i tyre si njeri bëhet nëpërmjet këmbës e fytyrës.

“Ky ka qenë momenti kur e pashë se mund të bëj nga ta karaktere”, ka thënë Lori Malépart.

Me versione të shfaqura të evoluimit artistik të saj dhe punës disavjeçare deri në cakun final të së sotmes, Lori Malépart bëhet reflektim i produktivitetit të vazhdueshëm për përmbushje të ëndrrave.

E, për fund, për t’iu përshtatur edhe motos së sivjetme, audiencën në Kosovë e ka përshëndetur me fotografi përgjatë karantinimit, teksa një ambient pune në kushte shtëpiake, editime të zërit e të pamjeve bashkë me macen e saj e cila qëndron pranë kompjuterit, kanë qenë epilogu i prezantimit.