Kulturë

Kori i Filharmonisë në “Verën e Ohrit” nëpër shekujt e muzikës shqipe

Me himnin “Te Deum”, më të cilin zë lidhet edhe tradita iliro-shqiptare e interpretimeve korale, kori i Filharmonisë së Kosovës të enjten ka shkëlqyer me paraqitjen e tij në “Verën e Ohrit”, kryengjarje kulturore e qytetit mijëvjeçar buzë liqenit. Në edicionin e 61-të të këtij festivali, artistët nga Kosova kanë shpalosur një paletë të pasur interpretimesh të veprave të kompozitorëve shqiptarë e të huaj. Pak pas përfundimit të koncertit, Filharmonisë së Kosovës i ka ardhur ftesa nga profesori serb i kompozimit, Ivan Jevtiq, që ky kor të mbajë një prezantim edhe në Beograd

Narteksi i Kishës së Shën Sofisë në Ohër e afresket e turlifarshme bizantine përbëjnë një grishje të parezistueshme për kontemplacion shpirtëror. Por e tjetërbotshme mund të jetë ndjesia kur krejt kjo hapësirë është mbushur cep më cep nga zërat buçitës që interpretojnë kryehimnin e krishterë “Te Deum”.

Nga goja e interpretëve nga Prishtina, vargjet “Te Deum laudámus: te Dominum confitémur” (Ne të lartësojmë, o Zot, ne të njohim ty si Zot) të kësaj vepre korale janë bërë bashkë me historinë e fiksuar kudo në arkitekturën e veçantë të Ohrit.

Bash me këtë shpalim të veprës së njohur, që për autor pati peshkopin Niketë nga Remesiana, që jetoi në shekujt 4 dhe 5, Kori i Fihlarmonisë së Kosovës e ka nisur performancën e tij mbrëmjen e së enjtes në festivalin prestigjioz “Vera e Ohrit”.

Me një paletë shijehollësh me vepra të përzgjedhura autorësh nga vendi e bota, formacioni i Filharmonisë i ka falur publikut në Ohër përjetime të veçanta gjatë koncertit njëorësh.

Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, Kori ka çikur një vazhdimësi shumëshekullore të muzikës shqiptare, nga tradita korale e kohës së krishterimit ilir, e deri te vepra me përmbajtje nga lirikja deri te avangardja të kompozitorëve Rafet Rudi (“Sharaveli – Sharavata”), Fahri Beqiri (“Shkoj e vij fluturim si zogu”), Mendi Mengjiqi (“Oeia”) e Baki Jashari (“Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”). E atyre u janë ndajshtuar edhe interpretime të tjera, si: “Humoreska maqedonase” e Todor Skalovskit, “Introitus / Kyrie” e Steve Dobrogosz, “Curse upon iron” me autor Veljo Tormis dhe “We can mend of the sky” e Jake Runestad.

Paraqitjen e së enjtes, solistja Adelina Paloja e ka përshkruar si tejet të veçantë ashtu sikundër edhe pritjen e ngrohtë të publikut ohërjan. Në një prononcim për KOHËN, pak pas përfundimit të koncertit, ajo ka thënë se paraqitja në këtë Festival ishte një satisfaksion i jashtëzakonshëm.

“Për mua ishte privilegj të paraqitem si soliste bashkë me Filharmoninë”, ka thënë Paloja.

Duke folur për festivalin që bën bashkë emra të shquar artistësh nga bota, ajo ka thënë se duartrokitjet bënë që kori i Filharmonisë të kthehej disa herë në skenë.

“Kjo na bëri të ndiheshim të vlerësuar për punën që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe që Kosova të paraqitej sa më denjësisht”, ka shtuar Paloja.

Këtë përshtypje ka ndarë edhe dirigjenti Hajrullah Syla, sipas të cilit, paraqitja e Korit në këtë eveniment ishte mjaft e rëndësishme. Ai ka treguar se të gjithë koristët janë pritur tejet mirë nga ana e publikut të pranishëm në mbrëmje.

Image
Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, Kori ka çikur një vazhdimësi shumëshekullore të muzikës shqiptare, nga tradita korale e kohës së krishterimit ilir, e deri te vepra me përmbajtje nga lirikja deri tek avangardja (Foto: Arben Llapashtica)

“Besoj që edhe Kori ynë sonte tregoi një nivel mjaft të lartë të interpretimit të veprave korale”, ka thënë Syla teksa ka treguar se ata kishin nisur përgatitjet qysh prej fillimit të korrikut.

Sebep që Kori i Filharmonisë së Kosovës të ishte i pranishëm në Ohër kishte qenë performanca e mbajtur gjatë vjeshtës së vjetme në Shkup.

Drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari ka thënë se performimi i mirë kishte sjellë edhe këtë bashkëpunim të rëndësishëm me “Verën e Ohrit”.

“Për ne, si institucion, është hera e parë që ftohemi nga ky festival prestigjioz”, ka thënë ai.

Por kjo nuk është hera e parë që formacione koristësh kanë mësyrë “Verën e Ohrit”: sipas tij, ishte viti 1985 kur kori i Radiotelevizionit të Prishtinës, nën drejtimin e Rafet Rudit, ishte ftuar në këtë ngjarje.

Jashari ka vlerësuar se paraqitja e Korit, tash në drejtim të Hajrullah Sylës, ka shpalosur një program të pasur, duke filluar nga veprat e Niketës e deri tek ato me përmbajtje më avangarde.

“’Vera e Ohrit’ nuk është ngjarje e vogël, ndaj mbrëmja e sotme mendoj se do të mbetet në CV-në e institucionit tonë si një nga paraqitjet më të rëndësishme të pasluftës”, ka thënë ai.

Kur sapo kishte përfunduar koncerti dhe anëtarët e Korit ishin ende nën mbresat e ovacioneve të publikut, atyre iu qas edhe një profesor i kompozimit nga Beogradi. I entuziazmuar me paraqitjen e koristëve nga Kosova, Ivan Jevtiq nuk ka ngurruar që t’i bëjë ftesë Filharmonisë së Kosovës që të prezantohet në Beograd. Jevtiq, është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, e cila jo rrallë është përfshirë në propagandë kundër shqiptarëve e Kosovës.

Për drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, ftesa mbetet interesante, por, sipas tij, janë shumë çështje organizative që duhen sqaruar.

“Nuk është e thjeshtë në këtë kohë e aq më tepër për problemet politike mes shteteve, por dihet se kultura, arti e sporti janë të prira për t’i tejkaluar këto”, ka thënë Jashari.

Dardan Selimaj, menaxher në Filharmoninë e Kosovës, koncerti i Korit në “Vërën e Ohrit” është dëshmi për nivelin artistik. E për këtë ai ka pasur edhe një porosi.

“Kori i Filharmonisë, anëtarë i të cilit isha për një dekadë, është vlerë që duhet ruajtur në këtë format për faktin se vetëm si i tillë mund të jetë konkurrent në rajon dhe më gjerë. Idetë për ta shndërruar atë në diçka tjetër, nuk duhet mbështetur”, ka thënë Selimaj. Sipas tij, vlerat e Korit tashmë po njihen edhe në skena të njohura.

“Duhet falënderuar selektoren e programit, pianisten Danica Stojanova e cila e ka njohur këtë vlerë të Korit dhe e ka përfshirë atë në programin e sivjetmë të festivalit”, ka thënë ai.

Qysh prej filleve të veta, festivali “Vera e Ohrit” njihet për emrat që kanë interpretuar aty, përfshirë tenorët spanjollë, Plácido Domingo e José Carreras, violinistin rus, Leonid Kogan, pianistin ukrainas, Svyatoslav Richter, pianistin rus Grigory Sokolov, çellistin francez, Andre Navarra, sopranon amerikane Jessye Norman, baritonin rus Dmitri Hvorostovsky, violinistin italian, Salvatore Accardo, sopranon spanjolle Victoria de los Ángeles, violinistin ruso-izraelit Maxim Vengerov, klarinetistin francez, Paul Meyer, baritonin italian Leo Nucci, sopranon italiane Barbara Frittoli kompozitorin e dirigjentin italian Ennio Morricone, kompozitorin, pianistin e dirigjentin rus Mikhail Pletnev dhe shumë emra të tjerë.