Kulturë

Ideja e Capitolit: vepra arti zbukurojnë korridoret e “shtëpisë së popullit”

(Kentucky Today) – Korridoret e State Capitol në Frankfort, të cilat për vite me radhë kanë shpalosur posterë të Kentucky Derby nëpër mure, tashmë kanë një larushi të gjerë arti, falë banorëve kentukianë nga i gjithë shteti.

Guvernatori Andy Beshear dhe zonja e parë Britainy Beshear së fundmi kanë shpalosur të parën ekspozitë në atë që e quajnë “Team Kentucky Gallery”. Çifti Beshear ka vënë në dukje se Capitoli – “shtëpia e popullit” – është vendi më i mirë për të përshfaqur dhuntitë artistike të banorëve dhe të sjellin një zë të tyre të përfaqësuar nëpërmjet artit.

“Tani që kriza e pandemisë është pas nesh dhe kentukianët janë në gjendje ta vizitojnë Capitolin, ne duam të sigurohemi që ata të shohin të përfaqësuara rrëfimet dhe komunitetet e tyre”, ka thënë guvernatori Beshear. “Ne duam t’ua përkujtojmë atyre të gjitha arsyet pse Kentucky është kaq i veçantë, dhe kjo ekspozitë arti – nga kentukianët dhe për kentukianët – veçse e bën këtë”.

Vepra të përzgjedhura arti do të mbesin të ekspozuara për një rotacion gjashtëmujor në Capitol dhe, për ata që nuk mund të shkojnë në Frankfort, në “Team Kentucky Digital Art Gallery”. Rotacioni i parë u hap më 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor.

“Unë pashë nga dora e parë fuqinë shndërruese të artit për të ndihmuar të rinjtë të reflektojnë dhe të shërohen prej traumave”, ka thënë zonja Beshear. “Si nënë e di sa e rëndësishme është për ne t’u kushtojmë kohë fëmijëve tanë që të jenë kreativë. Dhe, si kentukiane, jam kaq e mbresuar nga artistët e jashtëzakonshëm që kemi në secilën pjesë të shtetit tonë. Kjo ekspozitë vë në pah diçka nga ky talent, dhe sjell kaq gëzim pas një viti vërtet të vështirë”.

Zonja Beshear ka mbështetur prej kohësh artistët në Kentucky. Ajo krijoi “Hope Gallery” kur Andy Beshear shërbente si prokuror i përgjithshëm, e që iu dha zë fëmijëve të Kentuckut që ballafaqohen me probleme dhe promovoi programet terapeutike të artit.

Mes dhjetëra artistëve veprat e të cilëve janë ekspozuar është edhe Marcheta Sparrow nga Frankforti, një ish-sekretare e kabinetit që iu kthye artit pasi u largua nga qeveria e shtetit.

“Pas largimit nga pozita ime si sekretare e kabinetit për Turizëm, Art dhe Trashëgimi më 2013, unë gjeta një botë krejt të re që m’u hap përmes artit”, ka thënë ajo. “Akuarelet e ujit janë mediumi im i parapëlqyer. E dua mënyrën sesi ngjyra lëviz në letër. Me vetëm një bllok letrash, ngjyrash e brushash, unë mund të zgjeroj çdo ditë horizontet e mia”.