Kulturë

Forumi kundërthënës i Humboldtit hap dyert

Descriptive Text

Pas vonesash ndër vite, Forumi i ri i Humboldit në Berlin më në fund ka mirëpritur publikun, megjithëse ende vazhdon të jetë në qendër të debatit mbi kolonializmin dhe koleksionet muzeale

(Deutsche Welle) – Në brigjet e lumit Spree mes urës së Brandenburgut dhe Alexanderplatzit, një ngrehinë e re masive lartohet në qiellin e Berlinit. Ajo rri aty ku dikur ishte Pallati i Qytetit, mbetjet e të cilit, të dëmtuara nga lufta, u hodhën në erë më 1950 dhe u zëvendësuan nga Pallati i Republikës në Gjermaninë Lindore. Në Forumin e sapondërtuar të Humboldit, që ka hapur dyert të martën, gjithçka ka ende erë fresku.

Vetëm pak ditë më parë, stacioni i ri hekurudhor u hap këtu me goxha pompozitet: ai mundëson qasje te Museumsufer apo “Bregu i muzeut”.

Më 2002, Kuvendi i Gjermanisë u pajtua që të ndërtohej një kompleks kulturor, me përmbylljen e punimeve më 2019, që ishte përvjetori i Humboldit. Por punimet u zvarritën dhe çmimet e ndërtimit shpërthyen. Pas një hapjeje virtuale në dhjetor të vitit të kaluar, pjesa e dytë e hapjes vijon tani me instalacione, me bazamentin, përdhesen dhe katin e parë nga tre sosh sipër tij që tashmë janë të qasshëm publikisht.

Debati mbi kryqin e kupolës

Forumi prej kohësh ka qenë subjekt kritikash, përfshirë edhe ato sa u përket zgjedhjeve të dizajnit. Ylli italian i arkitekturës, Franco Stella, ka rindërtuar një fasadë baroke për tri anët e Forumit Humboldt. Ngrehina mbyllet me një kupolë me figura engjëjsh dhe një kryq që shihet nga larg. Një deklaratë e zbukuruar me ar e mbretit prus Frederick William IV (1795-1861) bën thirrje që njerëzimi t’i shtrohet krishtërimit.

Fakti që Muzeu Etnologjik dhe Muzeu i Artit Aziatik të Dahlemit do të zhvendosen në rindërtimin pjesor të pallatit prus ka zhgrehur njësoj kritika, meqë pallati origjinal, të cilin po e replikon ndërtesa, ishte simbol i pushtetit dhe gjenocidit kolonial.

Edhe koleksioni i Forumit Humboldt ka qenë pikë e nxehtë për debatin e tashëm mbi kolonializmin. A është ende e mundur sot që të shpalosen vepra arti dhe artefakte që përfunduan në muzetë gjermanë në rrethana të pasqaruara, në të cilat kolonializmi me gjasë luajti një rol të rëndësishëm?

Bronzet e Beninit dhe varka e Lufit

Hëpërhë, debati strumbullohet kryesisht rreth bronzeve të Beninit dhe varkës së ashtuquajtur “Luf”, nga ajo që tash është Papua New Guineja. Bronzet e Beninit, panele metalike me vlerë, si dhe skulptura nga Pallati Mbretëror i Beninit arritën me mijëra sosh në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, pasi britanikët plaçkitën qytetin e Beninit më 1897. Disa prej tyre hynë në koleksionet e muzeve gjermanë nëpërmjet tregut të artit dhe ankandeve.

Sipas një interviste për DW-në të komisioneres federale për Kulturë dhe Media, Monika Grütters, “konteksti i prejardhjes është kontekst i padrejtësisë”. Gjermania ka vullnet që t’i rikthejë bronzet dhe negociatat me Nigerinë – vendi i sotëm ku ndodhej Mbretëria e Beninit – tashmë janë në zhvillim e sipër. Por tani për tani, bronzet do të shpalosen në dy salla të Forumit Humboldt, ashtu sikurse edhe varka Luf.

Mendohet se kolonistët gjermanë mund ta kenë grabitur varkën nga populli indigjen i ishullit Luf, pjesë e Arkipelagut të Bismarkut në Papua New Guineja, në fund të shekullit të 19-të, gjatë regjimit të tyre të dhunshëm kolonial.

“E kaluara koloniale e Gjermanisë ka qenë prej kohësh një pikë e verbër në kulturën tonë të kujtesës”, ka thënë Grütters.

Më shumë se sallë ekspozitash

Forumi Humboldt pritet që të ndihmojë në ndryshimin e kësaj. Drejtori i përgjithshëm, Hartmut Dorgerloh ka theksuar se synojnë të shkojnë përtej rolit tradicional të ekspozitave dhe do të jenë një vendtakim dhe hapësirë eksperimentesh.

Programet e muzeut do të reflektojnë tri tema themelore: historinë e vendit, zbulimet globale të vëllezërve Wilhelm dhe Alexander von Humboldt dhe qëmtimin e kolonializmit dhe pasojave të tij.

“Tema komplekse dhe të dhimbshme si arti i grabitur, kërkimi i proveniencës dhe çështjet e rikthimit sigurisht do të trajtohen këtu”, ka thënë Dorgerlog, “por ne duam të përfshihemi gjallërisht në këto debate”.

Pavarësisht fasadës së saj historike, ndërtesa në brigjet e lumit Spree strumbullohet rreth transparencës. Boshte pamore kryq e tërthor oborrit mundësojnë një pamje të lagjeve fqinje. Brenda saj ka teatro filmi, skena për muzikë dhe vallëzim, salla për ekspozita, konferenca dhe simpoziume, që të gjitha të pajisura me fjalën e fundit të teknologjisë. Hapësira e brendshme është mbi 40 mijë metra katrorë.

Një ekspozitë për tregtinë e fildishit

Deklarata e Dorgerlohit tashmë është e dukshme në ekspozitën e hapjes “Terrible Beauty: Elephant – Human – Ivory”. Me 200 eksponate nga muze gjithandej botës, paraqitja e vë në pah historinë brutale të tregtisë së fildishit. Vizitorët mund të shohin gdhendje të hollësishme, të marrim pjesë në një seri të gjerë diskutimesh e të shikojnë filma. Forumi Humboldt ka bashkëpunuar me muze dhe ekspertë nga mbarë bota për të krijuar ekspozitën.

Përktheu: Salih Mehmeti

Image
Pjesë e programit të ekspozitës së Forumit Humboldt: Varka historike që vjen nga Papau New Guineja e sotme