Kulturë

Muzeu gjerman riatdheson këmishën e prijësit të fisit Lakota

Muzeu “Weltkulturen” në Frankfurt ka bërë të ditur se këmishën prej lëkure të prijësit të fisit Lakota, Daniel Hollow Horn Bear (Mato He Oklogeca), tashmë ia ka dorëzuar stërnipit të tij
 

Në kohën kur institucionet gjermane e kanë theksuar rëndësinë e riatdhesimit të artefakteve të ndryshme që janë në pronësi të tyre, muzeu “Weltkulturen” në Frankfurt ka bërë të ditur se këmishën prej lëkure të prijësit të fisit Lakota, Daniel Hollow Horn Bear (Mato He Oklogeca), tashmë ia ka dorëzuar stërnipit të tij, prijësit Duane Hollow Horn Bear. Në një njoftim për shtyp, si shtysë për kthim, muzeu ka përmendur “arsyet morale dhe etike”.

Këmisha prej lëkure i është dorëzuar Duane Hollow Horn Bear më 12 qershor në Rosebud, Dakota e Jugut. Duane Hollow Horn Bear kishte vizituar muzeun “Weltkulturen” në vitin 2019 dhe kishte paraqitur një kërkesë për kthimin e këmishës tek paraqiti disa fotografi historike, që John Alvin Anderson e kishte realizuar në vitin 1900. Në fotografi shihej prijësi Daniel Hollow Horn Bear, i cili vdiq në vitin 1913, me të njëjtën këmishë të veshur. Prijësi Daniel Hollow Horn Bear ishte një udhëheqës dhe politikan i respektuar që mbrojti të drejtat e popullit të tij dhe shpesh ishte një negociator kryesor me Qeverinë e SHBA-së.