Kulturë

“GRANFest” për fuqizimin e grave nëpërmjet artit të nëntë

Artistë e adhurues të romanit grafik këtë vit do të ribashkohen me “GRANFestin”, Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik, i vetmi i këtij lloji në Kosovë. Doajeni i romanit grafik Horacio Altuna është vetëm njëri nga mysafirët e këtij edicioni që gjithashtu do të shpalosë edhe krijimtarinë e artistit Andrija Mauroviq, që shpesh është quajtur edhe si babai i romanit grafik të Kroacisë e të Jugosllavisë

Gani Jakupi, artisti shqiptar që jeton në Barcelonë, njëri nga ideatorët e organizatorët e “GRANFestit”, ka treguar se ditët e fundit nuk ka pasur mundësi të pushojë. Me bashkëthemeluesit e Festivalit, Jeton Nezirajn e Agron Bajramin, i janë përveshur punës për të sjellë edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik në Prishtinë. Ani pse lokacioni i saktë se ku do të mbahen aktivitetet ende nuk është caktuar përfundimisht, datat e misionit të sivjetmë tashmë dihen.

Synim i Festivalit prej 8 deri më 10 tetor është prezantimi i mjeshtërve të artit të nëntë dhe ngjallja e kureshtjes dhe dëshirës për krijim. Por sivjet është edhe një pikë kryesore: fuqizimi i grave nëpërmjet artit. Këtë e ka bërë të ditur pikërisht Jakupi, i cila ka zbuluar edhe emrat e mysafirëve të këtij edicioni.

Ai ka shtuar se është i lumtur që artistë e adhurues të romanit grafik këtë vit do të ribashkohen përsëri në kuadër të “GRANFestit”, i vetmi i këtij lloji në Kosovë.

“E kisha të vështirë të vendosja që të mbajnim festivalin, derisa erdha në Prishtinë dhe u binda me sy të mi se situata sanitare ishte e volitshme. Tash po duhet që të vrapoj për t’i bërë krejt përgatitjet e duhura. Ky edicion do të jetë me i vogël sesa e parashihnim, por megjithatë ambicioz”, ka thënë ai.

Ka treguar se do të kenë disa emra të njohur të romanit grafik si Judith Vanistendael nga Belgjika, Edith, Lili Sohn e Aude Mermilliod nga Franca, dhe Salomé Joly nga Zvicra. Po ashtu, pjesë të këtij edicioni do të jenë edhe doajeni i romanit grafik latino-amerikan, argjentinasi Horacio Altuna, dhe italiani Stefano Casini. Pastaj dy virtuozë nga gjeneratat e reja: spanjolli Josep Homs dhe francezi David Prudhomme.

“Do t’i përkthejmë dhe botojmë së paku dy vepra, do ta kemi ekspozitën me tablo nga secili autor i ftuar, e ndoshta edhe projeksionin e dokumentarit të parë nga Lilil Sohn, por ende jemi duke pritur autorizimin nga ‘France Télévision’, sepse ky do të mbahej para prezantimit zyrtar të veprës”, ka bërë të ditur Jakupi.

Ka shtuar se pjesë e edicionit të sivjetmë do të jetë edhe Sonia Déchamps bashkë-drejtoreshë artistike e festivalit “Angoulême” të Francës, më i vjetri e më i madhi festival evropian e ndër më të rëndësishmit në botë. Në program është edhe prezantimi i ekspozitës retrospektive i mjeshtrit të vjetër Andrija Mauroviq nga Kroacia, i cili ka qenë aktiv qysh nga vitet e ’30 të shekullit të kaluar.

“Tema e këtij edicioni do të jetë fuqizimi i grave përmes artit, prandaj edhe ka aq autore të ftuara. Parashohim edhe një apo dy konferenca mbi rolin dhe mundësitë shprehëse të gruas në art”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar gjendja e krijuar me pandeminë i kishte bërë organizatorët që ta shtynin edicionin. Kishin ardhur në përfundim se nuk mund të rrezikonin të kishin edhe komplikimin më të vogël shëndetësor si pasojë e mbajtjes së Festivalit.

“Kultura është esenciale për shëndetin shpirtëror të kombit, por kjo nuk e arsyeton papërgjegjësinë përballë shëndetit fizik”, kishte thënë Gani Jakupi për KOHËN. Festivali atë vit do të shënonte edicionin e dytë dhe ishte pritur që të mbahej prej 4 deri më 6 shtator.

Festivali kosovar “GRANFest” qysh në fillet e tij kishte edhe vëmendjen e shtetit francez pasi Ministria e Kulturës atje e kishte përfshirë në mesin e manifestimeve të agjendës kulturore të vitit “BD 2020”, ku hyjnë ngjarje që do të mbahen në Francë, por edhe në mbarë botën, gjatë atij viti të shpallur nga shteti i Francës si viti i romanit grafik. Ky lajm ishte cilësuar nga organizatorët e festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” si afirmim i vlerave që Festivali mundohet të promovojë. E, po ashtu, edhe një mundësi e mirë për të krijuar kontakte me autorë romanësh grafikë, por edhe me festivale të tjera.

E në vitin 2019 “GRANFest” ishte mbajtur prej 10 deri më 12 maj, krahas edicionit të nëntë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Rreth 40 artistë nga pothuajse 20 vende të botës ishin prezantuar në këto dy festivale. Emra me nam si Hermann nga Belgjika, Dave McKean nga Britania e Madhe, Ville Ranta nga Finlanda, Fumio Obata nga Japonia, Frank Margerin e Aude Sumama nga Franca, Tom Kaczinsky, Marcello Quintanilha e Ville Ranta, ishin disa prej emrave të edicionit të parë të “GRANFestit”.