Kulturë

BE-ja i dhuron shkollës së artit në Pejë pajisje dizajni të tekstilit, promovon riciklimin

Shkolla e mesme e arteve aplikative “Odhise Paskali” në Pejë ka kompletuar në objektin e ri të shkollës atelienë e drejtimit dizajn-tekstili me makina të qepjes dhe pajisje të tjera përcjellëse. Me pajisjet e dhuruara për kabinetin e tyre, nxënësit e këtij drejtimi do të mësojnë ridizajnimin e rrobave të vjetra të ricikluara
 

Me financim të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, shkolla e mesme e arteve aplikative “Odhise Paskali” në Pejë ka kompletuar në objektin e ri të shkollës atelienë e drejtimit dizajn-tekstili me makina të qepjes dhe pajisje të tjera përcjellëse. Në një ceremoni rasti, në të cilën të pranishëm ishin edhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxherja e projektit “Cerec”, Arba Shehu, ka treguar se ky projekt i implementuar nga organizata joqeveritare “Let’s do it Peja” është realizuar në bashkëpunim me shkollën e mesme të arteve aplikative “Odhise Paskali” dhe Komunës së Pejës, e cila është edhe bashkëfinancuese në këtë projekt.

Shehu ka thënë se projekti ka për qëllim që të promovojë ekonominë qarkore, si një model të qëndrueshëm për zhvillimin e ndërmarrësisë sociale.