Kulturë

Peçi: Në raport me folklorin, kompozitori duhet të dijë të shkruaj sikur e ka shkruar vetë populli

I lindur në Tiranë, ai ishte transferuar në moshën 10-vjeçare në Sarandë kur edhe filloi dëshira e tij për muzikën. Në kravatën e tij mban simbolin e klarinetës, duke e dëshmuar që është shumë i lidhur me polifoninë. Ai thotë se jugu është vendlindja e tij muzikore prej nga inspirohet.

“Unë kam punuar edhe me valle të Rugovës, më pëlqejnë edhe motivet e Kosovës. Në përgjithësi Ballkani ka folklor mjaft të pasur, por nuk dua të tregohem pak nacionalist. Polifonia shqiptare zë një vend të vecantë”, ka thënë Peçi gjatë intervistës në emisionin “PRO X” të KTV-së.

Peçi ka insistuar që folku duhet të arrijë në nivelin e artit universal. Kurse muzika, sipas Peçit, ka nevojë për gravitet dhe një udhëtim në hapësirë.

“Është privilegj për kulturën tonë që kemi këto vlera, siç kemi Lahutën, çiftelinë e Ndue Shytit e sharkinë dhe zërin e bukur të Aziz Ndreut”, ka thënë tutje Peçi.

Aleksandër Peçi, i lindur më 11 korrik 1951, që nga viti 1979 deri në vitin 1986 ka qenë drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1992, ai ka qenë profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ndërsa tani në pension akoma e vazhdon kontaktin e tij me studentët. Krijimtaria muzikore e Aleksandër Peçit shtrihet në të gjitha gjinitë e muzikës duke përfshirë këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, “Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, “Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”.

Aleksandër Peçi është nderuar me mbi 20 çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është shpallur Mjeshtër i Madh, Artist i Merituar, si dhe Qytetari Nderi i Përmetit. Një mirënjohje për kontributin dhënë muzikës artistike shqiptare Peçi e mori edhe nga shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë.