Kulturë

“Luaneshat e Kodrës”, premierë në Cannes

Filmi i Luana Bajramit u shfaq në festivalin prestigjioz

Regjisorja Luana Bajrami i ka dhënë vulë të fortë filmit debutues të metrazhit të gjatë. Ka sjellë një film të gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutësh për t’i shpëtuar fatit që u është përcaktuar.

Filmi “Luaneshat e Kodrës” të enjten është dhënë premierë botërore në Festivalin e Filmit në Cannes. Duartrokitjet kanë qenë të shumta me të përfunduar filmi. Ky është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë, që shfaqet në ngjarjen e madhe të filmit në botë.

“Luaneshat e Kodrës” nuk është në garën kryesore, por në atë për “Kamerën e Artë”, që ndahet për regjisorët debutues në kuadër të programeve përcjellëse të festivalit.

Por në garën kryesore Kosova sivjet bën histori me filmin e shkurtër “Pa Vend” të Samir Karahodës, që garon për “Palmën e Artë”. Premiera e tij do të jepet javën e ardhshme.