Kulturë

Pompei, qyteti që jep mesazhe edhe sot

Hiri vullkanik i Malit Vezuv do të shuante jetën në qytetet poshtë tij: në Pompei, Herculaneum e qendërbanime të afërta. Në ato ditë tmerri të vjeshtës së vitit 79 të erës sonë, mijëra njerëz do të humbnin jetën nga ajri i helmatisur prej gazeve vullkanike. Duke rindërtuar pak nga pak gjithë jetën në Pompei, arkeologët ia kanë dalë të kuptojnë shumëçka nga trupat e gurëzuar në këto vise të Kampanjas. Dokumentari “Pompei – një udhëtim në kohë”, me autore Majlinda Bregasin, është kthyer prapa në kohë për të parë se si ishte jeta para shpërthimit, çfarë ngeli nga ajo kohë, çfarë është harruar e çfarë mund të mësohet ende

Jeta po lëvrinte e qetë në Pompei, qytetin e qeshur afër Napolit me ngrehat publike, shtëpitë luksoze private, banjat, amfiteatrin, kolonadat e stisje gjithëfarsoj. Për kronologjinë e sotme, tetori i vitit 79 pas Krishtit do të sillte gjëmën për disa mijëra njerëz. Nga horizontet e afërta të Gjirit të Napolit, aty ku lartohej mali i Vezuvit, dridhjet dhélëkundëse do të nxirrnin nga thellësitë e tokës diçka skëterrore.

Në ato dy ditë të “fundit të kohërave”, Vezuvi do të villte shi shtufi e më pas edhe vrushkuj gazesh të nxehta. Sipas shkencëtarëve, llava, shtufi e hiri i nxehtë në një sasi prej 1.5 milionë tonësh në sekondë e tejkalon për 100 mijë herë energjinë termike të bombave atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki.

Një shëtitje në Pompein e ngrirë në kohë është shpalosur nëpërmjet dokumentarit 24-minutësh “Pompei – një udhëtim në kohë”, me autore profesoreshën e Fakultetit Filologjik, Majlinda Bregasi.

Premiera e këtij filmi dokumentar, paraditen e së enjtes në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë ka shënuar, në fakt, edhe rikthimin e studentëve në mjediset universitare pas një shkëputjeje më shumë se njëvjeçare.

“Histori e trishtë dhe madhështore”

Profesoresha e italishtes në këtë fakultet i ka cilësuar dokumentarin e bashkëbisedimin rreth subjektit të tij, Pompeit, si një katapultim në një botë tjetër për pak kohë.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova, e ka përshkruar si interesant rikthimin e studentëve në sallë. Në fjalën e saj përshëndetëse, ajo ka falënderuar shtetin italian i cili, sipas saj, jep aq shumë përkrahje për studentët nga Kosova.

“Në Fakultetin e Filologjisë, ndër tjerash, mësohen edhe gjuha, letërsia e kultura italiane që nga vitet ‘80”, ka thënë dekania Sejdiu-Rugova.

Duke folur për dokumentarin, ajo ka shtuar se brenda tij paraqitet një histori “sa e trishtë, po aq edhe madhështore”. “Të kaplojnë mërzia e dhimbja kur sheh një qytet të mbuluar nga hiri vullkanik”.

Ranieri: “Pompei vërtet magjepsës”

Image
Një shëtitje në Pompein e ngrirë në kohë është shpalosur nëpërmjet dokumentarit 24-minutësh “Pompei – një udhëtim në kohë”, me autore profesoreshën e Fakultetit Filologjik, Majlinda Bregasi

Me një lidhje të drejtpërdrejtë është inkuadruar edhe një nga njohësit më të mirë në botë të latinishtes e greqishtes së vjetër, Luke Ranieri. Teksa i ka përshëndetur të pranishmit, ai ka thënë se mësimi i latinishtes është një nga gjërat më të çmueshme për secilin.

“Ishte një nga vendimet më të mira që kam bërë në jetën time”, ka thënë amerikani i lindur në Pennsylvania e që është i angazhuar në Ancient Language Institute.

Duke folur për dokumentarin e Bregasit, në të cilin ishte përkujdesur për insertet në latinisht, Ranieri ka thënë se Pompei është vërtet magjepsës e falë tij njihen detaje kaq të shumta nga kultura e lashtë. Si poliglot, ai ka thënë se njeh ca fjalë edhe nga gjuha shqipe.

“Është vërtet një gjuhë tërheqëse”, ka shtuar ai.

“Një minierë arkeologjike”

Image
Premiera e këtij filmi dokumentar, paraditen e së enjtes në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë ka shënuar, në fakt, edhe rikthimin e studentëve në mjediset universitare pas një shkëputjeje më shumë se njëvjeçare

Si prodhim i Institutit “Pro Arte”, dokumentari është përkrahur financiarisht nga Ambasada italiane në Prishtinë, përderisa skenari ka si pikëmbështetje librin “Pompei” të latinistes së mirënjohur angleze, Mary Beard.

“Pompei është makinë e kohës, qyteti ku jeta ka mbetur si e prerë me thikë në 24 tetor të vitit 79 nga shpërthimi i Vezuvit. Sot Pompei është një minierë arkeologjike e një nga pasuritë më të mëdha të antikitetit”, thuhet në përshkrimin e dokumentarit.

Gjatë minutave të shfaqjes, duke e rikrijuar tekstualisht e vizualisht erën e squfurit, dokumentari ka sjellë rrëfimin e trishtë për një furrtar i cili sapo kishte pjekur 80 bukë: ato mbetën në atë formë, por të karbonizuara që t’i qëndronin kohës si dëshmi e asaj gjëme.

Me pamje nga rrugët e Pompeit të konservuar nga shtresat e llavës së hirit vullkanik, dokumentari ka ndërthurur informacionin historik me përshtypje e dromca nga e sotmja.

“Aty ku flitet latinishtja e gjallë”

Ishte shekulli i 17-të kur Francesco Picchetti zbuloi një mbishkrim, por vetëm në shekullin pasues mbreti i Napolit, Çarli III Burbon, do të shprehte interesim të gjallë mbi ato rrënoja që paralajmëronin një qytetërim fascionant.

“Këtu nuk flitej latinishtja e Virgjilit, por latinishtja e gjallë”, thotë diku narratorja e dokumentarit.

Për shumë kohë, historianët kishin besuar që Mali Vezuv shpërtheu më 24 gusht të vitit 79 të erës sonë, duke shkatërruar Pompein, Herculaneumin, Oplontisin dhe Stabiaen. E gjithë kjo erdhi pas dëshmisë së Plinit të Ri, që shkroi edhe për vdekjen e të ungjit të tij të njohur, Plinit Plak.

“Më 24 gusht, kah mesdita, nëna ime deshi që ai të shihte një re…”, i shkruante ai në një letër Tacitit, senator dhe historian romak.

Sipas përshkrimit të tij, Plini Plak asokohe ishte komandant flote në Misenum. Ai kishte marrë një anije për t’i shpëtuar ata që ishin në rrezik, por që humbi jetën edhe vetë.

Sidoqoftë mbishkrime të gjetura së fundmi, bashkë edhe me ndonjë person të gurëzuar që mbante gunë leshi, ka shtyrë studiuesit ta datojnë shpërthimin namkeq meë 24 tetor.

Hajdari: “Qyteti që rindërton përditshmërinë romake”

Image
“Është interesante të shihet nga këto mbetje se si është ruajtur edhe mimika e njerëzve të frikësuar...”

Pas shfaqjes së dokumentarit, studentët e pranishëm kanë bashkëbiseduar me profesorin e arkeologjisë dhe historisë antike në Departamentin e Historisë dhe atë të Antropologjisë, Arben Hajdari.

Teksa ka vlerësuar lart punën e bërë nëpërmjet dokumentarit, ai ka thënë se aty janë ofruar plot gjëra të reja edhe për të që është specialist i fushës.

“Është depërtuar mjaft mirë në përditshmërinë romake në gjysmën e dytë të shekullit të parë”, ka thënë Hajdari. “Nëpërmjet Pompeit, studiuesit kanë kuptuar se si zhvillohej jeta asokohe në Perandorinë Romake”.

Arkeologu ka shtuar se Pompei është shembulli më i mirë mbi fatkeqësinë e një qyteti, por që ruan edhe dëshmi mbi kategoritë sociale që jetonin aty.

“Përmes Pompeit në arrijmë të depërtojmë edhe në skajet më të vogla të qytetit ku jetonin skllevër”, ka thënë ai.

Në qytetërimin e Pompeit spikat edhe amfiteatri që, sipas tij, “është më i madhi i punuar me gurë në Perandorinë Romake”.

I përfshirë nga UNESCO në listën e trashëgimisë botërore, Pompei është kthyer prej dekadash në një nga caqet më të lakmuara të turizmit në Itali me rreth 2.5 milionë vizitorë çdo vit.

Me vlerësimet e përgjithshme se Pompei dhe Herculaneumi kishin bashkërisht mbi 20 mijë banorë, deri më sot në to janë gjetur mbi 1.500 njerëz të “relikosur” ani pse shkalla e vdekjeve ende është e paqartë.

“Është interesante të shihet nga këto mbetje se si është ruajtur edhe mimika e njerëzve të frikësuar, e plot syresh edhe që e mbanin hundën të zënë që të mos thithnin ajrin e helmuar”, ka thënë Hajdari.