27 qershor 1944 - 27 qershor 2017, janë 73 vjet nga gjenocidi grek ndaj Çamërisë martire.
Studiuesja Kosovare Krasniqi aktualizon këtë ditë duke analizuar veprën e shkrimtarit çam, Arben Kondit, e cila e tëra ka për subjekt fatin tragjik të kësaj pjese të kombit tonë, transmeton Koha.net.
Po e transmetojmë të plotë këtë shkrim.
Akademik Rexhep Qosja, teksa flet për historinë, thotë: “Historia mësohet jo vetëm për t’u ditur e shkuar, por edhe për të qenë mësuese e së ardhmes”. Në truallin e letërsisë shqipe, temat e marra nga historia zënë një hapësirë jo të vogël, ku ka mjaft vepra të cilat si bazë në subjektin e tyre marrin faktet historike. Njëri nga shkrimtarët i cili krijimtarinë e tij në përgjithësi e vë mbi historinë dhe të vërtetat çame është shkrimtari Arben Kondi. Faktet historike bëjnë që edhe Çamëria të hyjë si temë e veçantë në letërsinë shqipe. Arben Kondi ka krijuar lidhje të forta me vendin e origjinës, kështu që subjektet rreth saj bëhen edhe ushqimi shpirtëror i tij. Pra, pothuajse e tërë krijimtaria e Arben Kondit lidhet me Çamërinë dhe fatin e saj tragjik. Çamëria është kthyer në objekt frymëzimi për Arben Kondin jo vetëm në letërsinë dokumentare, si në librin “Rikthimi në Çamëri” i ribotuar plot njëmbëdhjetë herë, por edhe në atë artistike, me romanet e tij të shumtë. Motivin e tragjedisë çame te Arben Kondit e gjejmë edhe në poezi. Ja katër vargje të fuqishme nga krijimtaria e tij, subjekti lirik i të cilave pos që na paraqet lashtësinë e Çamërisë, shpreh dhembjen për vuajtjet që e përcjellin Çamërinë më shumë se një shekull:
Çamëria / Trëndafil antik / Që prej gati një shekulli / Veson gjak pikë, pikë…
Shkrimtari Arben Kondi përmes librave të tij ka arritur të na paraqesë hapur politikën e egër dhe shoviniste të shtetit grek, në raport me shqiptarët dhe qëndrimin zyrtar të tyre ndaj popullit etnik shqiptar në Çamëri. Dy historitë që do t’i shpalos para jush janë subjektet e dy romaneve: “Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva” dhe “Mëhalla e muhaxhirëve”. Thurrjet e të dy subjekteve janë të goditura mjaft bukur dhe si emërues të përbashkët kanë gjendjen dhe vuajtjet e popullit çam që nga mbetja nën Greqi, po edhe pas depërtimit të tyre në Shqipëri, më 1945. Përderisa në librin e parë “Shqiptarovrasesi Napoleon Zerva” trajtohet një temë mjaft e ndjeshme ku paraqiten, vrasjet, masakrat e dëbimet e çamëve nga greket, në librin e dytë “Mëhalla e muhaxhirëve” përsëri paraqitet dhunë, keqtrajtime, internime, por që kësaj here ushtrohen nga sistemi diktatorial në Shqipëri, pikërisht mbi të përndjekurit çamë.
Në romanin “Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva”, Greqia paraqitet si një shtet i dhunshëm, i pamëshirshëm dhe dinak. Ajo projektoi politikën e asimilimit, politikën e gjenocidit, mohimin e etnisë ndaj shqiptareve të të dy besimeve në Çamëri. Qëllimi i politikës greke ishte të shkatërronte gjithçka shqiptare në Çamëri. Me qëllimin e ndarjes së shqiptarëve në mes vete, ushtria greke nxiste konflikte në mes besimeve të ndryshme fetare të të njëjtit popull. Shqiptarët me fe ortodokse i thërrisnin si grekë, ndërsa ata me fe myslimane, pos që i quanin turq, i keqtrajtonin me mjetet nga më të ndryshmet. Ata i frikësoheshin bashkimit të çameve, andaj i përçanë. Kjo dëshmohet edhe në roman, përmes fjalëve të kryexhelatit Napolon Zerva, (Millosheviçit të Çamërisë) që thotë: “Fshirja e konflikteve në mes çameve, – u shpreh i acaruar Zerva, – shënon fundin tonë. Nënkupton vetë fillimin e bashkimit të Çamërisë me Shqipërinë”. (f. 32) Kështu, duke shkatërruar gjithçka shqiptare, ata mund ta zhduknin përgjithmonë fjalën shqiptare nga trojet çame.
Subjekti dramatik në roman shënon përmasat e një tragjedie të vërtetë, që e përjetuan shqiptarët çamë. Autori me mjeshtri ka arritur që Napoleon Zervën, nga një personazh historik, ta kthejë në personazh letrar. Në të dyja rastet, Napoleon Zerva e gëzon epitetin e një gjakpirësi, të një dhunuesi dhe të një vrasësi. Ai ishte betuar se “luftën do ta çonte deri në fund. Çamëria do të kthehej në gërmadhë” (f. 50). Urrejtjen ndaj shqiptarëve çamë e lau me gjakun e tyre duke mos kursyer asgjë, që nga vrasjet nga më mizoret, përfshirë këtu edhe vrasjet e pabesa të cilat ishin bërë dukuri në atë kohë. Ata më të shquarit të cilët guxuan të kundërshtonin dhe të këmbëngulnin për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, vriteshin në mënyrat më mizore. Nga barbaria greke asgjë nuk kursehej, as fëmijët, as pleqtë e as plakat. Kjo lloj barbarie na sjell pranë imazhet e Kosovës në vitin 1999. Dhembja në romanin e Kondit është e dhënë me ngjyra të forta dhe pa ndonjë element, as më të voglin, zmadhues. Ngjarjet e romanit vendosen në qytetet e jugut të Shqipërisë, (Çamërisë): pra në Paramithi, në Filat, në Margëlliç, qytete të cilat ishin në pjesën më kufitare Shqipëri-Greqi.
Ndër të këqijat, tjetra ishte se shqiptarët çamë s’kishin mbështetje nga askush, ishin lënë në mëshirë të fatit. Rrethanat historike dhe politike nuk i dhanë aleatë Shqipërisë. Personazhi i cili paraqitet në roman si koloneli Vudhauz, ushtarak britanik, bashkëpunon me Napoleon Zervën dhe haptas lejon që Zerva mllefin e tij, ta kthejë në krim, në një tragjedi të thellë. I huaji thotë: “Për ne çështja çame nuk është parësore. Ajo mbetet çështja e juaj e brendshme” (f. 40). Shovinistët grekë, pasi kuptuan që tashmë i kishin duart e lira bënë terror të përmasave të tilla, saqë i detyruan çamët që t’i braktisnin shtëpitë e tyre në Çamëri dhe t’i drejtoheshin shtetit amë, Shqipërisë. Por, për fat të keq një situatë e re pothuajse e njëjtë i pret edhe në shtetin amë, në Shqipëri. Sistemi në fuqi i asaj kohe u tregua i pamëshirshëm me çamët. Nga masakrat, vrasjet e dëbimet të cilat i përjetuan nga grekët, ata kaluan në internime e vrasje nga shteti i diktaturës. Ata të cilit nuk i bindeshin politikës së sistemit komunist pësonin me varje, internime ose vrasje në shesh.
Përmes rrëfimit të romanit “Mëhalla e muhaxhirëve” mësojmë që çamët pas ardhjes në Shqipëri, i ka përcjellë një jetë e trazuar e plot drithërima, ata ishin njerëz që jetonin në mes jetës dhe vdekjes. Kujtimet janë ato që ngrohin dhe copëtojnë zemrën, dhe janë ato të cilat e rikthejnë autorin në fëmijëri, prej ku edhe i rrëfen ngjarjen e romanit. Imazhet e zymta të shtëpisë së braktisur ia shpalosin autorit gëzimet dhe hidhërimet që i solli ajo kohë, i risjellin autorit kohën kur si fëmijë, jetonte në “Mëhallën e muhaxhirëve”. Edhe pse në roman çamët paraqiten si njerëz shumë paqedashës, përsëri ata në Shqipëri u përballën me ndëshkimin e sistemit komunist. Familjet të cilat binin në kundërshtim me politikën shtetërore i priste internimi ose edhe dënimi me vdekje. Subjekti i romanit rrëfehet vetëm në një vije lineare, ku shkrimtari mjeshtërisht nëpërmjet retrospektivës fëminore na krijon një atmosferë të ndjeshme me paraqitjen realiste të jetës së çamëve në Shqipëri. “Atje sipër ne çamëve nuk na duan. Na kanë zët, halë syve na kanë”, thotë babai i personazhit kryesor të romanit derisa i tregon gjyshes për Teme Sejkon dhe shumë të tjerë që sistemi komunist i kishte dënuar me vdekje duke i shpallur spiunë dhe quajtur “armiq të popullit”. Në roman si personazhe të cilët i shërbejnë aparatit ideologjik të pushtetit komunist paraqiten kapter Feridi, nëndrejtoresha e shkollës Drita, ndërsa në anën tjetër ishin familjet çame si ajo e Nusë, Didiut, Naimit e tjerë.
Në romanin “Mëhalla e muhaxhirëve”, autori përveç që ngre probleme të jetës së përditshme dhe atë social, vë gjithashtu edhe keqtrajtimet që i pësuan çamët nga sistemi diktatorial. Ata të cilët ishin më të goditurit nga sistemi ishin intelektualet, pra, siç ishte rasti me personazhin e romanit, Teme Sejkon, e që në të vërtetë ky personazh është real. Teme Sejko ishte kundëradmirali i flotës ushtarake detare shqiptare, i cili akuzohet nga sistemi për spiunim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe si spiun i Greqisë. Vrasja e tij bëri bujë të madhe, duke u transmetuar nëpër radio e gazeta, me qëllimin t’i frikësojnë të tjerët dhe t’iu ulin moralin si shqiptarë çamë, ndërsa për të vazhduar edhe me tej të keqën, të afërmit e tij i internojnë. Për të mos gjurmuar në rrënjët e historisë së tyre kombëtare, çamët akuzoheshin e fyheshin rëndë nga sistemi komunist, andaj autori në romanin e tij “Mëhalla e muhaxhirëve” paraqet vetëm një pjesë të asaj historie të dhembshur, që e përjetuan shumë familje çame.
dhe poeti i njohur Agim Vinca për letërsinë dhe historinë thotë, “Edhe historia, edhe letërsia na ofrojnë informacion për të kaluarën, por mënyra se si e bëjnë këtë ndryshon thuajse rrënjësisht. Historia jep të dhëna të sakta, precize, por edhe të ftohta racionale. Letërsia e bën të kundërtën. Ajo e ngjyros informatën emocionalisht, sepse qëllimi i saj është të ndikojë në vetëdijen e lexuesit; në formimin e tij ideor, etik dhe estetik”. Mirëpo në romanet e Arben Kondit nuk kishte nevojë të ngjyrosej informata, sepse ngjarjet që kishin ndodhur ishin të ngjyrosura me gjakun e pafajshëm çam. Se sa e fuqishme është ndjenja e atdhetarizmit dhe e kombëtarizimit te shkrimtari Arben Kondi, e kuptojmë kur i lexojmë librat e tij. Kondi nuk e harroi gjenezën prej nga erdhi andaj ai me shumë përkushtim i kushtoi vepra asaj pjese të mbetur nën pushtimin grek. Por edhe Kosova si një nga dy nga pjesët kryesore të cilat mbeten jashtë trungut shqiptar e ka shqetësuar thellë këtë autor. Kujtojmë këtu romanin e rrallë “Tmerri”. Kështu Arben Kondi në opusin e tij krijues, pos Çamërisë një vend të veçantë i lë edhe Kosovës. Arben Kondi është një zë i fuqishëm, i cili duke vënë realitetin tragjik çam në bazë të krijimtarisë së tij, na bën që ne si komb shqiptar ta kthejmë kokën edhe nga historia dhe të përpiqemi t’i shërojmë plagët, aq sa mundemi, që na i ka shkaktuar ajo. Tashmë po vjen koha kur neve nuk na lejohet të jetojmë me ideale për Shqipërinë e bashkuar, por të punojmë sa më shumë në zgjidhjen e këtij problemi dhe ta jetësojmë atë ideal për të cilin kanë ëndërruar, po edhe sakrifikuar, shumë gjenerata para nesh.