Kulturë

“Anibari” në fluturim me art përtej izolimit

Prej 23 deri më 30 korrik, “Anibari” do të festojë ëndrrat, imagjinatën e lirinë nëpërmjet filmave të animuar. “Izolimi” është temë e edicionit të sivjetmë, porse gjithçka përreth festivalit ka të bëjë me të kundërtën “Ne i bëjmë njerëzit bashkë, shfaqim filma në ambiente të hapura dhe tregojmë art pa kufij”, kanë zbërthyer organizatorët

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, deklaratën për media me të cilën zbërthen temën e sivjetme e ka hapur me një fakt, që sado i hidhur, shpërfaq një të vërtetë. Ekipi ka theksuar se falë situatës me pandeminë COVID-19 e gjithë bota e ka kuptuar se çfarë do të thotë kur udhëtimi është pothuajse i pamundur.

“Kosovarët veçse e dinë. Ndërsa ne, në anën tjetër, kemi kaluar në stadin e atyre që tashmë janë bërë ekspertë të izolimit për shkak të kufizimeve të lëvizjes përtej kufijve. Por kjo do të thotë se jemi edhe ëndërrimtarë”, është shkruar në komunikatë. Tutje është treguar se tema e edicionit të sivjetmë është “Izolimi”, që “Anibari” e ka parë si një paradoks të bukur.

“Izolimi mund të jetë edhe i mirë”, është shkruar në komunikatë. Aty është treguar se gjatë pandemive, karantinimi duhet të jetë i domosdoshëm. Por edhe në kohëra të tjera, gjithnjë sipas komunikatës, gjithsecili i ka të njohura momentet kur e dëshiron vetminë, në mënyrë që të arrihet paqja me botën e veten.

“E gjithashtu për hir të disa domosdoshmërive: fokusit, përqendrimit, së vërtetës. Thelbit. Izolimi është po ashtu gjendja natyrore e animatorëve. Ajo e mbyll veten brenda studios së saj për javë e muaj. Animacioni mund të jetë goxha zanat i të vetmuarve. Por në fund, arti i saj fluturon”, është shkruar në komunikatë. Aty theksohet edhe se animacioni thyen barrierat e shoqërisë dhe kapërcen kufijtë kombëtarë sikurse të mos ekzistonin, si dhe lidh shikuesit gjithandej botës.

“Izolimi mund të nënkuptojë edhe errësirën. Tani që të huajt më shumë se kurrë mund të shihen si kërcënim, izolimi mund të shndërrohet në ksenofobi, segregim dhe intolerancë. Izolimi ynë ka qenë thirrje zgjimi në mënyrë që të bëhemi më serioz për çështjet me të cilat përballemi brenda mureve të shtëpive tona, njëjtë edhe për kufijtë e vendit tonë. Për të parë se sa të cenueshëm jemi. Dhe sa i cenueshëm është planeti ynë”, është thënë në komunikatë.

Aty është theksuar se ky lloj i izolimit është i papranueshëm për “Anibarin”, pasi që festivali ka të bëjë me përzierjen e imazheve, kulturave, gjuhëve dhe ideve. Ka të bëjë me lirinë. Me lirinë për të jetuar, dashuruar dhe lirinë që i lë njerëzit të jenë.

“Gjithçka përreth ‘Anibarit’ ka të bëjë me të kundërtën e izolimit, sepse: ne i bëjmë njerëzit bashkë, shfaqim filma në ambiente të hapura dhe tregojmë art pa kufij. Për më tepër, ne duam të tërheqim a të provokojmë ata njerëz që e izolojnë veten brenda një ideje të ngurtë, një besimi mosdurues e një ideologjie përjashtuese”, është shkruar në komunikatë.

Drejtori i fondacionit “Anibar”, Vullnet Sanaja ka thënë se edicioni i 12-të i “Anibarit” do t’u kushtohet të dyjave: vetmisë së vërtetë dhe klaustrofobisë që përjetohet gjatë izolimit.

“Festivali do të festojë ëndrrat tona. Imagjinatën tonë”, ka thënë ai gjersa ka ftuar të gjithë ndjekësit e festivalit që t’u bashkëngjiten në “ditët e (ç)izolimit, nga data 23 deri më 30 korrik”.

Pas një viti sfidues pandemie, “Anibari” në javën e fundit të korrikut sjell magjinë e botës mahnitëse të animacionit. Programi prej 300 filmash shpërndahet edhe në gjashtë kategori garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Tri kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

Për këtë edicion, “Anibar” do t’i ketë premierat botërore, si: “Raft” nga Marko Mestroviq, si pjesë e Garës Ballkanike, e “Error” nga Lucie Vostárková në Garën Studentore. Po në këtë të fundit është edhe “Red Shoes” nga Anna Paděrová, që vjen në Kosovë pas premierës në Festivalin e Filmit në Cannes.

Programi i këtij viti përfshin filma që janë shfaqur, nominuar e që kanë fituar çmime në “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë të tjerë.

Siç ishte bërë me dije nëpërmjet një kumtese të ekipit të festivalit, edicioni i dymbëdhjetë do të jetë me format të gërshetuar. Kjo nënkupton që festivali që po bën traditë mund të vizitohet si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes platformave virtuale. Gjithnjë sipas planifikimit të organizatorëve, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar”, shtrihet në pesë kinema, tri prej të cilave në ambient të hapur: kinemaja “Liqeni”, kinemaja “Kubat”, që gjendet në Parkun e Qytetit, dhe kinemaja “Urban”. Kësisoj, programi i filmave është paraparë të shikohet edhe online në platformën digjitale “online.anibar.org”.

Ndryshe, edicioni i vjetëm, nën rrethanat e pandemisë, bëri që ekipi i festivalit të përcaktohej për formën digjitale. Ai u bë si homazh për njerëzit që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë gjatë pandemisë. Pjesë e tij ishin 168 filma, 5 prezantime ndërkombëtare, 5 panele diskutimi, 3 punëtori për fëmijë dhe masterklasa, 2 koncerte muzikore, si dhe dy murale në qytetin e Pejës.