“Gama e gjerë e krijimtarisë së profesor Rudit është e larmishme dhe cilësore, ku përfshihen veprat orkestrale, kamertale, kompozimet vokale, korale, këngë solo, elektronike e deri te muzika për film e teatër”, ka thënë zyrtari i muzikës në Ministrinë e Kulturës, Sami Piraj, derisa ka lexuar arsyetimin për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në muzikë. Laureati i shumë çmimeve për muzikën klasike, Rafet Rudi, ka shfrytëzuar rastin për të folur për rëndësinë e përkrahjes së muzikantëve të rinj
Krijues i niveleve të larta, dirigjent i përhershëm i institucioneve profesionale muzikore, profesor e laureat i shumë çmimeve, biografisë së Rafet Rudit i është shtuar edhe një çmim. Më i rëndësishmi që e ndan Kosova në fushën e muzikës, çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. Në një ceremoni të mbajtur në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, pos Rudit, të hënën janë nderuar edhe muzikantë të tjerë për veprat që kanë krijuar brenda harkut kohor të një viti.
“Gama e gjerë e krijimtarisë së profesor Rudit është e larmishme dhe cilësore, ku përfshihen veprat orkestrale, kamertale, kompozimet vokale, korale, këngë solo, elektronike e deri te muzika për film e teatër”, ka thënë zyrtari i muzikës në Ministrinë e Kulturës, Sami Piraj, derisa ka lexuar arsyetimin për ndarjen e çmimit kombëtar për vepër jetësore në muzikë.
Laureati i shumë çmimeve për muzikën klasike, Rafet Rudi, ka shfrytëzuar rastin për të folur për rëndësinë e përkrahjes së muzikantëve të rinj.
“Është një plejadë e tërë e artistëve të rinj që kanë nevojë për mbështetje”, ka thënë ai.
Delikatesën e muzikës klasike e shprehu duke e lidhur me përkrahjen e domosdoshme institucionale.
“Kjo muzikë është e veçantë për shkak që nuk iu nënshtrohet rregullave të tregut, nuk mund të vetëmbahet, pikërisht për atë duhet një intervenim i veçantë që ajo të mbahet”, ka thënë Rudi.
Ai theksoi se krijimi i një vepre në këtë zhanër muzikor merr shumë kohë, ndërsa nuk ka një numër të lartë të krijuesve.
“Duhet të kemi si shoqëri një kujdes të veçantë në botime të veprave dhe botimeve si partiturë ose CD”, ka thënë për fund Rudi.
I lindur në Mitrovicë më 1949, Rafet Rudi studimet i kreu në Akademinë e Muzikës në Beograd, ku diplomoi në Degën e Dirigjimit dhe të Kompozimit. Mbaroi studimet pasuniversitare, kurse specializoi në Konservatorin Nacional të Parisit, në klasën e kompozitorit Claude Ballif. Në periudhën 1980 – 1987 ishte dirigjent permanent i Korit profesional të Radiotelevizionit të Prishtinës, me të cilin koncertoi në të gjitha qendrat dhe festivalet e rëndësishme në ish-Jugosllavi. Merret me publicistikë dhe ka mbi 400 shkrime të ndryshme. Të botuar ka disa libra shkollorë, si dhe librin teorik “Sprova estetike”. Është themelues i Qendrës Kosovare për Muzikën e Re dhe themelues i Festivalit “ReMusica”.
Rudi është laureat i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve të rëndësishme, si: Çmimi i Dhjetorit të Kosovës për Krijimtari (1983); Çmimi i Festivalit Ndërkombëtar BEMUS; Çmimi vjetor i SHKK për vitin 1982 e të tjerë. Është autor i shumë veprave të të gjitha gjinive. Veprat kryesore të tij janë “Simfonia”, “Koncert për kitarë dhe orkestër harkor”, “Kuartet harkor”, “The return” për mexosoprano dhe orkestër simfonik, “Malli për udhëtarin e humbur” për violinë dhe kor, “Laudatio Funebris” për soprano dhe orkestër harkor.
Veprat i janë botuar në Francë, Holandë, Zvicër dhe në Gjermani. Ato luhen në shumë vende të botës. Rudi ishte dirigjent i Korit të Filharmonisë që nga viti 2006 deri në pensionim. Angazhohet edhe pas pensionimit.
Në anën tjetër, juria profesionale në përbërje prej kompozitorëve Stephane de Gerandos, Kushtrim Gashit dhe Ardian Halimit me çmimin për vepër orkestrale, simfonike, vlerësuan kompozitorin Kreshnik Aliçkaj për veprën “Simfonia nr.4”.
“Stili, gjuha muzikore, teknika e të shkruarit, qasja e kompozitorit ndaj veprës në aspektin orkestral, si dhe formacioni orkestral i japin trajtimin meritor që vepra “Simfonia nr. 4” të jetë e shpërblyer në këtë kategori”, shkruhet në arsyetim.
Çmimi për vepër kamertale është ndarë mes Ersan Januzit me veprën “Përpjekja” dhe Hajrulla Sylës për veprën “Udhëtimi në mjegull”.
Sipas jurisë, veprat janë të trajtuara në mënyrë profesionale si nga ana teknike, dramatike por edhe gjuha muzikore.
Çmimi për vepër solistike iu dha Memli Kelmendit për veprën “Flas me heshtjen”.
“Ndoshta si formacion muzikor nuk duket tërheqës për kompozitorët e rinj, juria e cilëson si të arritur”, shkruhet në arsyetim.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u shpreh se kështu po e kryejnë një pjesë të obligimit ndaj kontributit të tyre.
“Është më e pakta që mund të bëjmë ndaj asaj që ju e meritoni. Përgjegjësia me vlerësua punën artistike është shumë e madhe, kjo ka qenë përgjegjësi e një jurie kredibile, nuk kisha dashtë me mbetë kjo një ministri”, u shpreh Çeku gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.
Çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” ka një vlerë financiare prej 5 mijë eurosh, ndërkaq të tjerat prej 1 mijë deri në 4 mijë euro.
Vitin e kaluar juria profesionale në përbërje prej Vaso Toles, Rafet Rudit dhe Baki Jasharit kishin ndarë çmimin e veprës jetësore “Niketë Dardani” për Vinçenc Gjinin. Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike iu kishte dhënë Valton Beqirit për veprën “Rrugëtimi”. Çmimin për vepër orkestralo-simfonike dhe koncertale e kishte marrë Kreshnik Aliçkaj me veprën “Koncert”. Vepra “Trance” nga Drinor Zymberi ishte shpërblyer me çmimin për vepër kamertale. Me çmimin për veprën korale nëpërmjet veprës së tij “Ubi Caritas” ishte nderuar Hajrullah Syla. Ndërsa çmimi për veprat solistike dhe duo i kishte shkuar Mehdi Mengjiqit me veprën “Dicantus”.