Kulturë

Filmi i shkurtër “Schauerfilm” me regji të Lorena Sopit fiton dy çmime

Filmi i shkurtër “Schauerfilm” me skenar e regji të Lorena Sopit, ka fituar dy çmime kryesore në dy festivale ndërkombëtare.

Në Festival de Indie më 18 maj në Chennai të Indisë, ‘Schauerfilm’ ka fituar çmimin e filmit më të mirë të zhanrit horror, kurse në edicionin e nëntë të festivalit Twilight Tokyo Film Festival i cili ka përfunduar mbrëmë në Tokio të Japonisë, ‘Schauerfilm’ ka fituar çmimin e filmit më të mirë të shkurtër /Best Short Film/.

Komedia e zezë me elemente të zhanrit horror trajton zhdukjet e çuditshme të studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinti misterioz, rreth së cilës thuren tregime të çuditshme. ‘Schauerfilm’ mban titullin e përdorur si parashenjë për ekspresionizmin gjerman të viteve të tridhjeta në kinematografi. Është ky çmimi i trembëdhjetë për këtë film nga mbi 30 festivale ndërkombëtare në të cilat është shfaqur deri më tani.

Filmi ‘Schauerfilm’ është prodhim i kompanisë AS Film Production nga Prishtina.

Në rolet kryesore të këtij filmi paraqiten: Agron Shala, Afrim Muçaj, Beslidhje Bytyqi, Ylber Bardhi, Kreshnik Malushi, Flutura Mustafa, etj.

Drejtor fotografie është: Besnik Hasolli. Zëri: Beslidhje Bytyqi. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Skenariste dhe regjisore: Lorena Sopi.

{gallery}