Kulturë

Donika Rudi me “Insane” dhe koncerte autoriale shpalos botën krijuese në Francë

Në program do të ketë vepra akustike të cilat kompozitorja i ka realizuar gjatë 20 vjetëve të fundit, por edhe dy vepra të reja të cilat do t’i prezantojë për herë të parë para publikut francez. Kurse eksperienca me shfaqjen “Insane” në festivalin “Festival Viva Cité” është një kapitull më vete. “Jam shumë e lumtur që përpos këtyre koncerteve të mia autoriale, të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme për faktin se do të prezantohen në një festival aq serioz në Francë, do ta kemi premierën e shfaqjes të titulluar ‘Insane’, për të cilën kemi punuar ne dhe një ekip i madh artistësh, videoastësh, aktorësh, kosutomografësh e të tjerë. Këtë muaj në këtë festival më pret një periudhë shumë intensive me tri koncerte dhe një shfaqje”, ka thënë Rudi

Publiku francez do të njihet me krijimtarinë e kompozitores shqiptare Donika Rudi nëpërmjet një eksperience unike. Rudi do të ketë tri koncerte autoriale dhe një shfaqje në kuadër të edicionit të 32-të të “Festival Viva Cité”. Festivali ka hapur edicionin e sivjetmë në ditën e 11-të të këtij muaji dhe do të zgjasë deri më 27 qershor. Rudi në program të koncerteve do të ketë vepra akustike të cilat i ka realizuar në 20 vjetët e fundit dhe dy vepra të reja të cilat do t’i prezantojë për herë të parë para publikut francez. Kurse eksperienca me shfaqjen “Insane” është një kapitull më vete.

“Festival Viva Cité” organizohet nga Komuna e Sotteville Rouen nën udhëheqjen artistike të “Atelier 231”, i cili është një ndër institucionet më të rëndësishme që promovon aktivitetet në hapësira publike.

Kompozitorja Donika Rudi, e cila është e fokusuar në muzikën akusmatike e elektroakustike, meqenëse aty edhe ka specializuar, për KOHËN ka treguar fillimisht më shumë detaje për shfaqjen “Insane” nën regji të Zineb Benzekri. Ajo është regjisore, artiste franceze dhe udhëheqëse e institucionit “Collectif Random”. Vetë Benzekri ia kishte dërguar ftesën kompozitores shqiptare. I kishte kërkuar të realizonte muzikën për këtë shfaqje multidimensionale teatër, performancë, instalacion e “sound design”. Në këtë projekt Rudi kishte punuar intensivisht vitin e kaluar, mirëpo për shkak të pandemisë ky projekt do të jetësohet dhe do ta ketë premierën në “Festival Viva Cite” në Francë pikërisht në kuadër të ngjarjes ku ajo do të jep edhe tri koncerte autoriale.

“Jam shumë e lumtur që përpos këtyre koncerteve të mia autoriale, të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme për faktin se do të prezantohen në një festival aq serioz në Francë, do ta kemi premierën e shfaqjes të titulluar ‘Insane’ për të cilën kemi punuar ne dhe një ekip i madh artistësh, videoastësh, aktorësh, kosutomografësh e të tjera. Këtë muaj në këtë festival më pret një periudhë shumë intensive me tri koncerte dhe një shfaqje”, ka thënë Rudi.

Premiera e shfaqjes do të jetë më 24 qershor e po atë ditë Rudi do të ketë edhe koncertin e parë. Dy koncertet e tjera do t’i mbajë një ditë më vonë.

Sipas përshkrimit në ueb-faqen e Festivalit, “Insane” si personazh kryesor ka një djalë i cili është dëshmitar i një bote që mbahet nga një ekuilibër i ndjeshëm. Gjersa ai është në gjumë janë fantazmat që i shfaqen të cilat e shpien që të vërë në pikëpyetje shumë gjëra rreth tij. Kështu, personazhi siç thuhet në përshkrim nis një udhëtim që e transporton nëpër gjendje të ndryshme emocionale dhe kështu lind “një këngë për uturimën dhe furinë”.

Kurse koncertet mbërthejnë një koncept kurues nën titullin “Voyage Sonore” (Udhëtim tingullor). Rudi ka thënë së dëgjuesi do të udhëtojë në periudha të ndryshme kohore të veprave të saj.

“Për një moment do të shkëputemi nga realiteti dhe do të udhëtojmë bashkë në një dimension tjetër tingullor dhe përjetues”, ka thënë Rudi. Po ashtu, ka treguar se këtë rrugëtim të përbashkët me publikun do ta bëjë përmes tetë altoparlantëve të vendosur në sallë.

“Është krejtësisht një dimension tjetër i perceptimit të muzikës, sepse përmes akosmoniumit (orkestrës së altoparlantëve) mund ta përjetosh hapësirën, për shkak të numrit të madh të altoparlantëve, por edhe për shkak të ngjyrave të ndryshme që ato kanë”, ka thënë ajo. Ka treguar se pasi që do të jenë tri koncerte, do të ketë programe të ndryshme ku do të integrojë edhe disa nga veprat e saj të cilat kanë qenë shumë të suksesshme, siç është “Emotion Machine”, “Unspoken”, “Voyage vers l’inconnu” e të tjera.

“Për çdo artist, interpretues apo kompozitor, performanca dhe jetësimi i veprës janë shumë të rëndësishme. Për ne kompozitorët realizimi i veprave në koncerte është e domosdoshme, sepse aty e marrim reagimin e vërtetë nga publiku. Ne jetojmë me veprat tona, ndërtohemi dhe zhvillohemi, por asgjë nuk krahasohet me kontaktin e parë në mes veprës së kompozitorit dhe publikut”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ai moment është kontakti më i sinqertë dhe më i rëndësishëm.
“E të kesh mundësi që ta kesh një koncert të tërë me vepra tuaja, është vërtet mrekulli, është një botë e tërë”, ka thënë Rudi. Koncerte autoriale ajo ka mbajtur edhe në të kaluarën, ku veçohet pjesëmarrja në kuadër të festivalit “Balkan Contemporary Music Festival” në Shqipëri, organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve në Shqipëri por edhe në Kosovë, ku veçohet performanca e saj “Ode to Life”, në kuadër të festivalit “Hapu” në Prishtinë.