Kulturë

Nobelistja bjelloruse po shkruan libër për “revolucionin me fytyrë gruaje”

Alexievich iu bashkua eksodit të madh të kundërshtarëve të Lukashenkos, shumë prej të cilëve u shtrënguan të iknin pas represionit që burgosi me mijëra veta dhe përftoi zemëratë gjithandej Evropës. “Revolucioni ynë ka fytyrë gruaje”, ka thënë ajo, duke folur me krenari për mënyrën se si gratë iu kanë prirë protestave dhe iu janë bashkuar me mijëra gra në rrugë. “Nëse ky do të ishte një revolucion me fytyrë mashkulli, ai mbase do të ishte për luftën e gjakderdhjen”, ka thënë Alexievich, e cila prej shtatorit jeton në azil në Berlin

Svetlana Alexievich, e cila fitoi çmimin “Nobel” për letërsi për historinë e saj gojore mbi fundin e Bashkimit Sovjetik, po e dedikon librin e saj të mbramë për “revolucionin me fytyrë gruaje” në vendlindjen e saj në Bjellorusi pas zgjedhjeve të përfolura të vitit të kaluar.

Alexievich, 73 vjeçe, u bë laureate e “Nobelit” më 2015 për kronikën e saj që strumbullohet rreth sprovës sovjetike në Afganistan dhe mynxyrës bërthamore në Chernobyl.

Vjet, ajo qe në ballë të protestave masive që shpërthyen në Bjellorusi, pasi presidenti Alexander Lukashenko mëtoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Kur mijëra njerëz dolën në rrugë duke ngulmuar që jo ai, por Svetlana Tsikhanouskaya fitoi votat, Alexievich, që shihet si intelektualja prijatare në vendin e saj, iu bashkua këshillit të opozitës që bashkërendonte valën e protestave.

“Gjatë këtyre muajve ne ishim në gjendje të bënim diçka që nuk ia kemi dalë për qindra vjet”, ka thënë ajo për Reuters në Berlin, ku ajo jeton në azil që prej shtatorit, duke e përmbledhur edhe temën e librit që po e shkruan. “Ne u bëmë komb”.

Alexievich iu bashkua eksodit të madh të kundërshtarëve të Lukashenkos, shumë prej të cilëve u shtrënguan të iknin pas represionit që burgosi me mijëra veta dhe përftoi zemëratë gjithandej Evropës.

Por, duke folur në prag të premierës së filmit dokumentar të Aliaksei Paluyanit “Courage” në “Berlin Film Festival”, Alexievich ka thënë se protestuesit kanë bërë diçka unike dhe mund të llogarisin se një ditë do të ngadhënjejnë.

“Revolucioni ynë ka fytyrë gruaje”, ka thënë ajo, duke folur me krenari për mënyrën se si gratë, përfshirë Tsikhanouskayan, që mori azil në Lituani, dhe aleatja e saj e ngushtë Maria Kolesnikova, që është burgosur në Bjellorusi, iu kanë prirë protestave dhe iu janë bashkuar me mijëra gra në rrugë.

“Nëse ky do të ishte një revolucion me fytyrë mashkulli, ai mbase do të ishte për luftën e gjakderdhjen”, ka thënë Alexievich, duke lavdëruar mënyrën se si protestuesit kanë mbetur paqësor pavarësisht brutalitetit policor.

“Dhe edhe nëse nuk është efektive menjëherë, ata po punojnë si brejtës, duke e mihur një tunel kah e ardhmja. Mijëra nga ne dëshirojnë të rikthehen në vendlindje”, ka shtuar ajo. “Por nuk është për mua: ajo do të jetë vetëm kur Lukashenko nuk është më në pushtet”.

Bjellorusia, e cila një kohë të gjatë ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe për shekuj më herët është kontestuar mes Rusisë, Polonisë, Lituanisë dhe Prusisë, ende mban lidhje të ngushta me Moskën, ku presidenti Vladimir Putini e ka përkrahur financiarisht Lukashenkon, përderisa Perëndimi është përpjekur ta izolojë qeverinë e tij përmes sanksioneve.

Përktheu: Salih Mehmeti