Kulturë

“Dy ditarë”– dokumentimi unik i jetës në vitet jonormale

Descriptive Text

Nëpërmjet artikujve të gazetave, fotografive, detyrave të matematikës, vizatimeve, posterëve a ftesave për ndeja, Vjosa Shala – Loca “shënonte” ditët. Kështu vazhdoi për ditë, muaj e vite, deri në një dekadë. Sot ditarët e saj janë si një artefakt për periudhën prej vitit 1988-1999. Janë arkivuar edhe virtualisht, për t’u ndarë me publikun që mund të bëhet pjesë e ditarit, duke lënë komente. Faqet e ditarit, siç shkruhet në përshkrim të platformës, janë dokumentim i shpresës, ambicies, frikës, humbjes, shtypjes sistematike, protestave, dhunës, festave, dhe punkut. Tash nuk janë vetëm shënimet e një vajze nga Prishtina, por kapitull i kujtesës kolektive

Mënyra e dokumentimit të historisë ka evoluar në krejt botën. E në Kosovë, janë pikërisht dy ditarë të Vjosa Shalës – Loca, të publikuar online, që kanë bërë një hap drejt arkivimit digjital të përvojave personale, por që krijojnë lidhshmëri e ndikojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive. Ditarët janë të mbushur me copëza gazete, me fotografi, detyra të matematikës, vizatime e ftesa për ndeja. Ofrojnë një vështrim unik të një vajze që rritet në Kosovë në fund të viteve ‘80 dhe ’90, duke shpalosur njëkohësisht edhe historinë e vendit, veçanërisht ditët e vështira të luftës që mbërtheu vendin.

Përderisa shumëkush ditarët i mban të strukur në vendin më të sigurt, Loca i ka bërë të qasshëm edhe online. Lansimi i platformës u bë të mërkurën në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Aty, përmes disa kompjuterëve, publikut iu bë e mundshme qasja në ditarë, të cilët, ashtu siç shkruhet në përshkrimin e bërë në faqen zyrtare të projektit – “www.twojournals.com” – janë dokumentim i shpresës, ambicies, frikës, humbjes, shtypjes sistematike, protestave, dhunës, festave dhe punkut. Ajo nuk shkruan aty, por nëpërmjet copëzave të gazetave a materialeve të tjera, përthekon dekadën prej këndvështrimit të saj. Më pas, i ka ftuar të tjerët të komentojnë.

Kushdo që klikon në platformë gjen një përshkrim të detajuar që i bëhet projektit, kryesuar nga Nita Deda.

“Sado që këta ditarë janë dëshmi e rritjes së një gruaje të re, ato janë një bashkëdyzim i privates dhe publikes — një dokumentim personal i kontekstit të përditshëm socio-politik, një koleksion i ngjarjeve kryesore dhe një përvojë surrealiste e rritjes në një sistem opresiv”, është shkruar aty.

Theksohet edhe se ditarët sjellin në dritë një kronologji alternative të luftës së fundit, pasi që pjesë e ditarëve janë listat e personave të zhdukur, artikujt e prerë të intelektualëve, në të cilët raportohet për brutalitetin e policisë serbe ndaj tyre, pastaj protestat, kryengritjet, sulmet policore, masakrat, si dhe arti dhe performancat e vetë Vjosa Shalës.

Nita Deda në lansimin e projektit ka thënë se brenda këtij materiali personal beson se mund ta gjejë veten kushdo që e shfleton virtualisht atë.

“Është një material i cili e mbulon një dekadë të rëndësishme të vendit tonë (‘88-‘99). Një dekadë e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike dhe një dekadë e rezistencës sonë dhe një dëshirë që kemi pasur që të jetojmë normal dhe i kontradiktave të mëdha që unë mendoj se është një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë e që e shoh me shumë rëndësi të manifestohet me projekte të tilla e të ruhet për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ajo.

Image

Faqe nga dy ditarët që janë të qasshëm online në “www.twojournals.com”


Projekti është në vazhdim dhe vetëm një pjesë e faqeve të ditarëve janë të qasshme. Versioni i tanishëm është një ekspozim i kuruar e që shpalos komente që ka bërë një grup të ftuarish nga autorja, si: gazetarja e producentja e televizionit, Elida Lawton O'connell, shkrimtarja, studiuesja e ilustruesja, Rina Krasniqi, teoricieni dhe studiuesi, Sezgin Boynik, gazetari, filozofi, analisti politik e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, DJ-veterani i muzikës Toton Pllana, si dhe Vjosa Musliu, puna e së cilës përqendrohet në ndërhyrjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e jashtme të Bashkimit Evropian.

“Gjenerata e këtyre që kanë qenë 20 ose 20 e ca vjeç gjatë viteve ‘90 në Kosovë – sikurse Loca – më duket plot kontradikta, por mjaft idilike. Nuk dua të romantizoj fatin e tyre të keq, por të të mohojnë shkollimin, lirinë e lëvizjes dhe të drejtat themelore në moshë aq të brishtë, e të kesh akoma vullnet për të jetuar dhe për të shkëlqyer – është diçka e jashtëzakonshme”, është një koment të cilin e ka lënë Krasniqi.

E Toton Pllana ka treguar se pajisjet muzikore të çfarëdo lloji ishin aq të rralla saqë mendonin se zhanri muzikor math-metal ishte shpikur në Prishtinë.

“Shumë posterë të ndejave e koncerteve të tjera mungojnë, kishte koncerte të vogla në ‘Dodonë’, ku shumë grupe paraqiteshin e garonin, ishte teatër i çuditshëm dhe qesharak, i vogël, me bende death-metal që të shurdhonin. Këta posterë janë mbetje të mëdha të një epoke, jo vetëm vijë kujtese, por shumë më shumë, ato kanë esencën e pamjes industriale të Prishtinës në vitet '90”, është një koment tjetër i tij.

Rina Meta, editore e platformës online, ka thënë se presin që të shohin edhe komentet e njerëzve të tjerë, të cilët do ta degëzojnë rrëfimin e Vjosa Shalës-Loca. Ka treguar se duke i hapur revistat për publikun dhe duke ftuar shkrimtarë, akademikë, gazetarë, muzikantë dhe profesionistë të tjerë të artit që t’i komentojnë ato, tërhiqen paralele për ta lidhur përmbajtjen e tyre me një kontekst më të gjerë të kohës dhe vendit. Sipas saj, rezultati i kësaj është një shfaqje që tregon se sa thellë është e ndërthurur privatja me publiken dhe sa domethënës është ky ndikim.

Mbi një copëz tjetër gazete të 5 marsit të 1998-s, në artikullin e “Kohës Ditore”, me titullin “Familja Jashari nuk e ka braktisur shtëpinë”, Vjosa Musliu ka komentuar: “Diskutimi që familja nuk u largua nga shtëpia e vet, por vendosi të qëndronte derisa personi i fundit që qëndronte i dha një rëndësi krejtësisht të re simbolike 'shtëpisë' dhe rezistencës civile ndaj sulmeve ushtarake. Të qëndroje në shtëpinë tënde mori kuptim krejt tjetër piedestali përpara agresionit. Qëndresa në shtëpitë tona u bë kundërshtimi ynë. Akti ynë i luftimit. Jemi këtu! Kjo është shtëpia jonë; kjo është toka jonë!”.

Në një artikull tjetër gazete, që bëhet faqe ditari, është publikuar lista e personave të vrarë e të masakruar në Prekaz dhe në Llaushë prej 5-7 mars të 1998-s. Elida Lawton O'connell ka komentuar se për të lufta në Kosovë ka filluar më 5 mars të vitit 1998 në Prekaz. Aty shpalos me detaje se si një vajzë e re nga Prishtina ikte nga piceria e babait të saj për t’iu bashkuar Associated Pressit (AP) në vitin 1998, për të raportuar për luftën në Kosovë.

Image

Përurimi i lansimit të platformës “Dy ditarë” u bë edhe nëpërmjet shpalosjes së disa faqeve në ekran e duke i ofruar publikut qasje nëpërmjet kompjuterëve


Toton Pllana dhe Elida Lawton O'connell në një bashkëbisedim me autoren e ditarëve Vjosa Shala - Loca dhe regjisoren Blerta Zeqiri edhe gjatë lansimit të platformës theksuan rëndësinë e dokumentimit dhe materialet me të cilat kanë gjetur lidhshmëri e për të cilat kanë lënë komentet e tyre edhe në platformë.

Vetë autorja e ditarëve, Vjosa Shala – Loca, ka thënë se ditarin e parë e kishte nisur kur ishte 11-vjeçare. Ka treguar se ngjarjet gjatë asaj periudhe kanë prekur çdo familje.

“Prindërit e mi janë munduar që të fshehin frikën që e kanë pasur, por si duket e kanë përçuar edhe të ne si fëmijë, ani pse pa vetëdije. Unë kam filluar si fëmijë që artikujt për ato ngjarje, që në ato momente kanë qenë për mua të rëndësishme, me i pre dhe me i vendosë në ditarë”, ka thënë ajo. Sipas saj, aty shihet jeta të cilën ajo e ka jetuar, prej një syri të fëmijës.

“Më vonë edhe vetë bëhem pjesë e ditarit si 17-vjeçare, kur isha pjesë e një proteste përmes një shfaqjeje të realizuar për njëvjetorin e protestave të studentëve të vitit 1997”, ka treguar ajo. Studentja e aktrimit u dallua veçanërisht si anëtare e grupit muzikor “Terror”.

Vjosa Shala – Loca bënte muzikë në ndeja a “zhurka”, siç quheshin atëherë, e që mbaheshin ditën për shkak të kufizimeve të lëvizjeve dhe orës policore. Ka theksuar se artikujt e ngjitur në ditarë tregojnë mënyrën e jetesës gjatë atyre viteve.

“Në anën tjetër edhe pse na është privuar liria për me ecë, edukimi, prindërit na i kanë larguar nga puna, ne jemi munduar që të jetojmë një jetë normale në kushte jonormale. Ne jemi munduar ta vazhdojmë jetën thuajse nuk ka ndodhur kurrgjë”, ka thënë ajo, gjersa ka treguar për koleksionin e ftesave të ndejës që gjenden në ditarët e saj.

Platforma “Dy ditarë” nga Vjosa Shala - Loca është projekt në zhvillim e sipër nga Nita Deda, që synon të lidhet me artistë, kolektive, hulumtues, arkivistë dhe punëtorë të kulturës, duke propozuar punë të reja, për të cilat informata do të merren nga materiali apo të cilat do të frymëzohen nga ky material.
Kjo platformë është zhvilluar si pjesë e platformës “Heritage Space”, e cila zbatohet nga “CHwB Kosova” dhe financohet nga Qeveria suedeze. “Dy ditarë” është mentoruar nga Era Krasniqi.