“Luaneshat e Kodrës” është filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin e rëndësishëm të filmit, atë në Cannes , ka njoftuar Qendra Kinematografike e Kosovës të martën.
“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Cannes në Francë. Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, është shpreh Luana Bajrami, regjisorja e filmit.
Siç bën të ditur QKK-ja, “Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.
Ky film tregon tri të reja, në një fshat të vogël në Kosovë, që shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë.