Kulturë

“DAM” nis zyrtarizimin e bashkëpunimeve me shkollat e muzikës

Rreze Kryeziu (majtas), drejtoreshë e përgjithshme e festivalit “DAM”, Jeta Dida – Bujari, drejtoreshë e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” dhe Dardan Selimaj, themelues e drejtor artistik i festivalit “DAM”
 

E ardhmja është arsyeja kryesore e nismave të reja të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike dhe eksperimentale “DAM”. Duke pasur parasysh vitet që vijnë, organizatorët janë duke u zgjeruar sa u përket bashkëpunimeve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me gjeneratat e reja. “Në 15-vjetorin e tij, festivali duhet të mendojë për të ardhmen”, ka thënë Dardan Selimaj, themelues e njëherësh edhe drejtor artistik i festivalit “DAM”, derisa ka treguar për zyrtarizimin e bashkëpunimit me shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Të hënën, palët kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit.

Kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellët në promovim dhe mbështetjen që mund t’i bëjë pala- palës në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta muzikore. Po ashtu edhe organizimin e punëtorive, programeve edukative dhe krijimin e platformave inovative për promovim dhe prezantim të nxënësve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Gjithashtu janë pajtuar edhe për shkëmbim të përvojave dhe ndërtim të dialogut ekstra kurikular me mysafirët e festivalit – muzikantë e profesionistë të fushës – nga vendet e rajonit, Evropës dhe më gjerë.