Kulturë

“Skena Iuvenis” promovon kuadrot e reja të muzikës

Tri pjesë koncertesh të kompozitorëve me nam botëror janë në programin e mbrëmjes koncertale të Filarmonisë së Kosovës.

Sonte (e shtunë) ky institucion do të promovojë tre studentë të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve duke ua dhënë mundësinë që të interpretojnë si solistë me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

Absolventja, Arzije Rifati do të interpretojë në flaut “Koncertin për flaut dhe orkestër në G-dur” të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart. Pas saj, radha për t’u ngjitur në skenë do të jetë e pianistit Melos Buza, i cili këtë vit përfundon studimet në master për piano.

Buza së bashku me organizatorët kanë zgjedhur që para publikut në koncertin “Skena Iuvenis” të interpretojnë si solist “Koncertin për piano dhe orkestër Nr.1 në B-mol” të kompozitorit rus Pyotr Ilyich Tchaikovsky. E mbrëmja do të mbyllet me “Simfoninë Nr.1 në C-mol” të kompozitorit gjerman Jakob Ludwig Felix Mendelssohn Bartholdy, ku Orkestrën e Filarmonisë do ta dirigjojë absolventi i dirigjimit në Fakultetin e Arteve, Hajrullah Syla.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka thënë se ky koncert që do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është një vazhdimësi dhe një traditë që tashmë realizohet vit pas viti midis Filarmonisë dhe Fakultetit të Arteve. Sipas tij, kjo tregon një përkushtim institucional ndaj kuadrove të reja. Ka përmendur se anëtarët e Filarmonisë vijnë nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës. (Më shumë detaje, në numrin e sotëm të Kohës Ditore)