Sartri thoshte: “Shpirti ka më shumë të drejtë se asgjë”. E di se jeta është më shumë arsye se shpirt, por kur flasim për artin, e mendoj se për këtë e ka edhe Sartri, pa diskutim jeta duhet të jetë më shumë shpirt se arsye.
E them këtë sepse mendoj se arsyeja asgjëson vetveten, ndërsa shpirti është forma më e lartë e qenies njerëzore, shkruan Ledia Dushi në numrin e sotëm të Kohës Ditore.
Sot kemi një ngatërresë të madhe ndërmjet atyre që e duan letërsinë me letrarët, pra me ata që gjakojnë ta krijojnë atë. Kjo nuk ndodh vetëm ndër ne shqiptarët, por në të gjithë ato vende që nuk e kanë ndërtuar si duhet historinë e letërsisë.
Kur lexojnë një poezi, meqenëse dinë shkrim e këndim, shumë e mendojnë veten poet, fillojnë të shkruajnë dhe kështu e ndiejnë veten të rëndësishëm. Nuk kuptojnë se arti nuk e përdor shpirtin, por i shërben atij.
Krijojnë një letërsi të sforcuar, e cila shkatërrohet nga përplasja e fjalëve. Të gjithë ata që mendojnë se në letërsi suksesi lidhet me konsumin, kanë hyrë në një rrugë të pasigurt. Konsumi ndoshta edhe mund të lulëzojë, por ndërkohë arti me gjasë ka marrë arratinë.
Gjëja e parë që ndjeva pasi përfundova së lexuari dorëshkrimin e romanit “Profeti nga Praga”, është përqasja e tij si një dritare nëpërmjet së cilës kalojnë faqe nga ditarët dhe veprat e Kafkës. Është jo vetëm kujtesë, por edhe njohje me veprën e tij. Ne kemi nevojë ta shikojmë me sytë e të sotshmes veprën e Kafkës. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)