Kulturë

Maturantët e artit pamor pa mundësi në Fakultetin e Arteve në Pejë

Descriptive Text

Shkolla e mesme e arteve aplikative “Odhise Paskali” në Pejë ka emër e traditë 71-vjeçare, por 87 maturantët e këtij viti shkollor duhet t'ua mësyjnë studimeve jashtë qytetit të tyre. Peja ka Fakultet të Arteve, por s’ka drejtime për arte pamore

Në shkollën e mesme të arteve aplikative “Odhise Paskali” në Pejë, maturantët e pesë drejtimeve ekzistuese, të mërkurën ishin nën ethet e mbrojtjes së temës së diplomës. Ato përziheshin edhe në mendimet dhe ëndrrat e këtyre talenteve të pikturës, dizajnit të tekstilit, enterierit, grafikës dhe qeramikës, se cilën rrugë ta ndjekin.

Jo pak prej tyre ende kërkojnë drejtimin që do ta vazhdojnë. E disa të tjerë veç kishin bërë plane se ku do të studiojnë, si maturantja e dizajnit të tekstilit, Bleonda Morina. Ka vendosur të marrë rrugë për në Turqi, për të studiuar atje drejtimin e njëjtë që ka përfunduar në shkollën e arteve në Pejë.

“I përshtatet Turqia shumë drejtimit që e kam përzgjedhur, pasi që ka fabrika të shumta. Ka shkolla të cilat janë më profesionale se në Kosovë dhe ofrojnë mundësi më të avancuara dhe më profesionale për nxënësit”, thotë Morina.

Por, në mesin e 87 maturantëve të sivjetmë në këtë shkollë, e cila nga shtatori kalon në objektin e ri kapur me objektin e vjetër, ka edhe të tillë që synojnë majat e botës së artit.

Maturanti i pikturës, Thoti Haxha, është njëri prej tyre. Për ta përsosur talentin e tij të jashtëzakonshëm në pikturë, ai e sheh veten në ndonjërën prej akademive prestigjioze në botën e jashtme, nëse arrin të sigurojë bursë për studime.

“Për fillim po mendoj me marrë burse për me dalë jashtë diku. Do të ishte më mirë, por në qoftë se nuk funksionon, atëherë duhet të shkoj një vit në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe me këqyr me ec edhe prej aty”, tregon planin që ka ai. E talenti i tij veç ka nisur të kurorëzohet me çmime ndërkombëtare. Vitin e kaluar ai ka ngadhënjyer për pikturim të autoportretit në garën prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Proko Challange”, në të cilën kishin garuar piktorë të gjitha grupmoshave nga e gjithë bota.

“Për mua është shumë e qartë që ky është fituesi. Unë pëlqej një proces të mirë pune dhe dua të shoh materialin që përdoret, dua t’i shoh fijet e brushës, duke e shprehur vetveten. Por, në të njëjtën kohe dua ta shoh një artist që shtyn veten një hap tutje drejt hulumtimit të ngjyrave dhe shumëllojshmërisë së ngjyrave. Kur pikturon ka shumë rëndësi ta gjejmë balancën mes ngjyrave të ngrohta dhe të ftohta, dhe duhet ditur si të kombinohen ato, posaçërisht kur pikturohet ngjyra e lëkurës së trupit. Respektoj këtë punim dhe mund të them që është një portret vërtet i shkëlqyeshëm”, e kishte vlerësuar pas shpalljes së fituesit kreativitetin dhe imagjinatën e piktorit të ri pejan, gjyqtari kryesor i “Proko Challange”, Stephen Bauman.

Image
Shkolla e mesme e arteve aplikative, “Odhise Paskali”, është e vetmja e këtij lloji në Kosovë

Mirëpo, jo vetëm Thoti Haxha, por edhe maturantë të tjerë të “Odhise Paskalit” me dëshirë do të studionin në Fakultetin e Arteve në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë. E në këtë fakultet nuk mund të studiojnë, sepse aty nuk ka asnjë lloj drejtimi të arteve pamore pavarësisht se në Pejë gjendet shkolla e vetme e mesme në Kosovë e arteve aplikative, nga e cila kanë dalë kuadro ndër më të njohurat të artit në Kosovë.

Në Fakultetin e Arteve në këtë universitet, në vend të ngjyrave, sheh vetëm instrumente muzikore të drejtimit të muzikës, si departament i vetëm. E mungesa e drejtimeve të arteve pamore në këtë universitet thotë se e shqetëson drejtorin e shkollës “Odhise Paskalit”, Bujar Kelmendi, për të cilin është e pakuptimtë që në Pejë të ekzistojë Fakulteti i Arteve e të mos ketë profile të shkollës së arteve.

“Është shkolla e vetme me një traditë 71-vjeçare në Kosovë. E vetmja shkollë e artit, por prapë se prapë akademia i mungon qytetit të Pejës. Është e nevojshme për qytetin e Pejës ta ketë një akademi të arteve. Nuk është e thënë t’i ketë të gjitha profilet që i ka shkolla e mesme, por të jenë një apo dy drejtime ku nxënësit do ta vijonin akademinë e arteve në Pejë”, thotë Kelmendi për Fakultetin i cili në mungesë të drejtimeve ende nuk e justifikon emrin që ka.

Image
Që nga themelimi i Fakultetit të Arteve para një dekade, ka pasur përpjekje që të hapen edhe drejtime të arteve figurative

E në Universitetin “Haxhi Zeka” pohojnë se që nga themelimi i Fakultetit të Arteve para një dekade, janë munduar në çdo aspekt ta hapin edhe drejtimin e arteve figurative. Deri tash, siç tregon dekani i Fakultetit të Arteve, Hysen Nimani, kanë aplikuar tri herë në Agjencinë e Akreditimit për akreditim të Arteve figurative, por kanë marrë përgjigje negative.

“Jemi munduar në çdo aspekt që nga viti 2012 me u akreditu, por në fillim nuk kemi pasur sukses, ndërsa vite më vonë ka ndryshuar manuali i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës”, thotë ai. Së fundmi, siç thotë Nimani, kanë aplikuar për akreditimin vitin e kaluar, në bashkëpunim me Akademinë e Arteve të UP-së në Prishtinë.

“Por, na është kthyer negativisht, për shkak se në manualin e Agjencisë së Akreditimit janë disa kërkesa, pra kërkohet që të ketë staf të brendshëm. Ne staf të brendshëm të artit figurativ nuk kemi, sepse nuk munde të kemi sepse nuk kemi program”, tregon Nimani arsyen pse u është refuzuar akreditimi. E pa akreditim s’ka program, e pa program, siç ka thënë ai, nuk mund të angazhojnë as staf të brendshëm të arteve figurative.

Nimani ka thënë se edhe këtë vit duan të aplikojnë për akreditim dhe atë vetëm për degën e pikturës.

“Jemi në hapa të mirë. Besoj që këtë vit aplikojmë dhe shpresojmë që të kemi fat dhe të akreditohemi. Edhe këtë vit jemi munduar që të bëjmë një bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, respektivisht Akademinë e Arteve, që ta kemi një program të përbashkët dhe gradualisht të pavarësohemi ne si fakultet në kuptimin e programit të arteve figurative”, tregon Nimani. Ai shpreson se do të akreditohet piktura dhe pastaj gradualisht të shtohen edhe drejtimet e tjera të artit në objektin e ri të Fakultetit të Arteve, i cili është duke u ndërtuar.

Image

Në Fakultetin e Arteve në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë mund të shihen vetëm instrumente muzikore të drejtimit të muzikës, si departament i vetëm që ka ky Fakultet

Image