Kulturë

“Gruaja, arkitekte e shoqërisë” me ngjyra kulturash e thirrje për barazi

Paragjykimeve të shoqërisë diskriminuese kanë vendosur t’i dalin përballë me shumëdimensionalitetin artistik. Kombinimi i ngjyrave që përçojnë realitetin e ngrirë në një moment, fletët e mbushura me vargje e rreshta me mesazhe të fuqishme, aktivizmi ndaj fenomeneve negative, ngritja e zërit për drejtësi e barazi shoqërore dhe shpërfaqja e kulturës së tyre përmes artizanaleve të ndryshme përthekuan edicionin e tretë të festivalit multikulturor “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”.

Me pjesëtarë kryesisht nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian, e një pjesë edhe boshnjak, turk, serb e shqiptar, ky festival organizuar nga “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve, Egjiptianëve” gjatë ditës së mërkurë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, shpalosi thirrjen publike për gjithëpërfshirje sociale.

Me emërtimin simbolik për ndërtimin e zhvillimin e shëndoshë të shtetit nëpërmjet rolit të gruas, e quajtur si “arkitekte e shoqërisë”, ky organizim i sivjetmë solli mediume të ndryshme, që përmes tyre shpaloseshin talentet në fusha të ndryshme.

Ajo që i jepte ngjyrim Festivalit ishte shtrirja rreth e qark hapësirës organizuese me pikturat shumëngjyrëshe të piktorëve motër e vëlla, Farija dhe Bajram Mehmeti.

Romët me banim në Graçanicë përmes brushave kanë sjellë kombinimin midis portreteve e peizazheve të ndryshme. Aty dallohen nga fytyra te natyra, mirëpo e përbashkëta e tyre qëndron te motivet rome.

“Përmes shfaqjes së pikturave ne duam t’i shfaqim kulturën dhe traditën rome”, ka thënë në gjuhën e saj Farija Mehmeti.

Image

Portrete grash të ndryshme, të cilat i bashkon gjallëria e elementeve dekoruese si ngjyrat e shallit apo elementet e tjera femërore, bënë që ato të jenë një përfaqësim artistik i pamjeve të grave të komunitetit. Ndërkaq ajo që kalon nga personalja në natyralen janë peizazhet e realizuara nga Bajram Mehmeti, i cili nëpërmjet ngjyrave shkrin relieve të ndryshme.

Mundi artistik i tyre gjatë një viti u shpalos publikisht, duke qenë bartës të kulturës rome.

Por, pjesëmarrja e tyre në fusha të kulturës nuk mbaron me kaq.

Nxënësja e shkollës së mesme, Mehreme Goliqi, talentin e saj e ka shtrirë në tre libra. Si autore e përmbledhjeve “Arsimtarja Meritë”, “Nëna”, “Fuqia e fjalës”, Goliqi i ka hyrë thellësisë së fjalës së shkruar në moshën 15-vjeçare.

“Arsimtarja Meritë” ishte libri i parë i saj, i cili tregon mungesën e një mësimdhënëseje në jetën e saj, pasi që ajo largohet nga mësimdhënia.

“Më vonë kam filluar ta shkruaj librin ‘Nëna’, sepse mendoj që as fjalët e autorëve më të mëdhenj nuk mjaftojnë për ta përshkruar nënën”, ka thënë ajo për veprën prej tre kapitujsh.

Ndërkaq “Fuqia e fjalës” është adresa e lexuesve të Goliqit, e cila brenda faqeve të tij ka ndërtuar tregime me mesazhe në fund.

Përveç pjesëtarëve që organizuan këtë festival, e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka përmendur se pavarësisht arritjeve shoqërore, pa një barazi konsistente nuk ka shtet të shëndoshë.

Image

“Suksesi do të jetë i garantuar vetëm atëherë kur gjysma e shoqërisë sonë trajtohet si plotësisht e barabartë, kur gratë dhe vajzat janë të sigurta, kur çdo komunitet ndihet i lirë, ku të gjithë punojmë krah për krah njëri-tjetrit e pa dallim”, ka thënë Osmani.

E pikërisht realizimin e kësaj thënieje të Osmanit e dëshiron edhe pjesëtarja e komunitetit ashkali, Lirije Berisha.

“Kam dashur ta sfidoj veten në diçka të re”, ka thënë ajo kur ka treguar se muaj më parë filloi të punonte në një biznes pastiçerie.

Brenda përballjes së përditshme për përmirësimin e jetës së saj dhe imazhit të vajzave nga komuniteti i saj, Berisha ka arritur ta ndajë të mirën me të keqen.

“Unë mendoj që krejt vajzat e komunitetit duhet të vazhdojnë të merren me ndonjë profesion cilido qoftë ai, t’i parandalojnë martesat e hershme, sepse neve na duhet guxim. E guximin duhet ta fitojmë me përkrahjen e të tjerëve, e që na duhet përkrahje më e madhe”, u shpreh ajo.

Pikërisht kjo temë kishte qenë edhe kauza e aktivizmit të Remzie Makreshit. Ajo bashkë me një grup punues kishin ngritur zërin e tyre për parandalimin e martesave të hershme. Përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, shpërndarjes kolektive të qëllimit e ngritjes së kësaj teme në media, Makreshi ishte kthyer në zërin e fatit të vajzave.

Kjo e kishte bërë atë të jetë fituese e çmimit kanadez “IdealMe Humanitar” në vitin 2020.

“Ti duhet të kesh një jetë tënden, duhet të ndërtosh karrierë. Në rast se martohesh herët kalon në njëfarë forme vazhdimi i jetës tënde”, ka thënë Makreshi.

Festivali “Gruaja, arkitekte e shoqërisë” organizohet me pjesëmarrjen e pjesëtarëve nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian, si dhe me pjesëmarrëse shqiptare, serbe, turke e boshnjake.

Image