Kulturë

Finalja e “Eurovisionit” me dy këngëtarë shqiptarë

Anxhela Peristeri me “Karma” e ka çuar Shqipërinë në finalen e “Eurovisionit”. Këtë e ka bërë për Zvicrën edhe këngëtari shqiptar Gjon’s Tears, me “Tout l'Univers” (Foto: EBU)
 

Në një natë të paharrueshme në “Ahoy Arena” të Rotterdamit, dy këngëtarë shqiptarë kanë çarë rrugën tutje për finalen e garës së njohur evropiane të këngës “Eurovision”. Me performanca unike të 17 vendeve garuese në gjysmëfinalen e dytë, Anxhela Peristeri dhe këngëtari me prejardhje nga Kosova, Gjon Muharremaj, i njohur edhe si Gjon’s Tears, kanë renditur Shqipërinë dhe Zvicrën në dhjetëshen e vendeve fatlume që morën votat e publikut dhe jurive kombëtare

Shqipërisë i ka buzëqeshur fati të parës nga dhjetë vendet të cilave u janë hapur dyert për në finalen e madhe të së shtunës të garës së këngës “Eurovision”. Mbledhja bashkë e votave të publikut dhe jurive kombëtare ka bërë që kënga “Karma”, e interpretuar nga Anxhela Peristeri, të përzgjidhej e para në gjysmëfinalen e dytë të enjten mbrëma. Trenit të vendeve fituese u janë bashkuar edhe Serbia, Bullgaria, Moldavia, Portugalia, Islanda, San Marino, Zvicra, Greqia dhe Finlanda.

Këto vende në finalen e madhe do ta kenë përballë dhjetëshen tjetër që kishte qenë fatlume gjatë gjysmëfinales së parë të mbajtur të martën: Azerbejxhani, Belgjika, Qipro, Izraeli, Lituania, Malta, Norvegjia, Rusia, Suedia dhe Ukraina.