Kulturë

Fahri Beqiri – emblemë e kulturës, figurë qendrore e muzikës profesioniste

Si krijues, është vlerësuar i pashoq, kurse si edukues brezash, profesor i përhershëm. Një prej veprave të tij ishte pjesa qendrore e koncertit festiv të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, puna e Beqirit për shtetin kishte nisur herët duke vendosur në partitura historinë e kombit të cilit i takonte. Beqiri është varrosur pasditen e së martës. Me tingujt e një vepre të përzgjedhur në të gjallë, i është dhënë lamtumira

Kur përmendet muzika klasike në Kosovë, ai bën pjesë te të parët që nisën të hedhin nota në mënyrë profesionale. E te muzika popullore, jo veç që e afirmoi atë në kohë jo të lehta, por edhe e çoi në nivele profesionale. Kompozitor, drejtues festivalesh e institucionesh e profesor, Fahri Beqiri, vdiq të martën. Ai ishte 85 vjeç. Me vdekjen e Beqirit humbi shumë muzika klasike e këtyre anëve e ajo popullore shqiptare.

Si krijues, është vlerësuar i pashoq, kurse si edukues brezash, profesor i përhershëm. Një prej veprave të tij ishte pjesa qendrore e koncertit festiv të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, puna e Beqirit për shtetin kishte nisur herët duke vendosur në partitura historinë e kombit të cilit i takonte. Beqiri është varrosur pasditen e së martës me një ceremoni ku është luajtur balada e Edvard Gried nga ansambli “Prishtina Brass”.

Përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës

I vlerësuar si figurë emblematike e kompozimit të shekullit XX dhe filleve të gjeneratave të para të kompozimit në Kosovë, Beqiri ka lënë prapa një veprimtari të bujshme që ndihmoi në zhvillimin e gjithmbarshëm të krijimtarisë dhe prodhimit muzikor.

I lindur në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës, si fëmijë do të ishte i shkathët në not. Jetonte breg Ibrit. Pas përfundimit të shkollës fillore, rrugëtimin e tij profesional e filloi në shkollën e mesme të muzikës në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970, diplomoi në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”. Kjo vepër u shndërrua në debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e kompozitorit, por për krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në tërësi. Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionistë në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës, e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit, ku deri në vitin 2011 ishte i angazhuar si profesor.

Sipas biografisë së tij, Fahri Beqiri është kompozitor i veprave si “Erdh misiti”, “Kënga e rinisë”, “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, “Shkoj e vij fluturim si zogu”. Krejt këto janë edhe këngë në repertorin e zhanreve të ndryshme muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Veprat e tij si Kuinteti frymor, Sonatë për klarinet e poema simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike.

Sipas biografisë, në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Beqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomës kombëtare. Por, Beqiri nuk ndalej vetëm në krijimtari e edukim. Shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës te Radio Prishtina e ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai është themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio-Prishtinës, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë.

Tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend.

“Padyshim, dominimi i vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore dallojnë Beqirin për fanatizmin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone – shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik”, ka vlerësuar Ministria e Kulturës në njoftimin për vdekjen e tij.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave si dhe çmimin kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”.

“Fahri Haxhibeqiri do të vazhdojë të jetë njëra nga figurat më të nderuara në Kosovë, përjetë”, ka vlerësuar MKRS-ja.

Artist i majave në muzikë klasike e popullore

Njihej si person i afër e vullnetmirë. Respektohej gjithandej midis kolegësh. Dirigjenti i kompozitori, Rafet Rudi e ka vlerësuar Beqirin si “personazh emblematik të muzikës sonë”. Sipas tij, kompozitori Fahri Beqiri, sigurisht gjatë do të mbahet mend si personalitet i veçantë i botës së muzikës shqiptare në Kosovë. Sipas Rudit, ai u takon dy botëve të muzikës, asaj klasike dhe muzikës popullore. “Në të dyja ai ka arritur majat”, ka vlerësuar ai.

Ka treguar se në fillim të karrierës së tij, Beqiri i është kushtuar muzikës klasike. Ka përmendur veprat e tij si Sonata për klarinetë dhe piano, Kuntetin frymor dhe poemën dramatike “Skënderbeu”.

“Në kohën kur u krijuan, ato zgjuan vëmendjen e profesionistëve të të gjitha qendrave të mëdha jugosllave. Me këtë, për herë të parë muzika klasike kosovare dhe niveli i saj profesional bëhet konkurruese në ambientin kulturor jugosllav”, ka shkruar Rudi në Facebook. Ka përmendur se krahas punës si profesor në Akademinë e Muzikës, Beqiri i është përkushtuar segmentit tjetër të krijimtarisë, të cilën e njihte shkëlqyeshëm, muzikës popullore, si aranzher, kompozitor, udhëheqës i ansambleve popullore, udhëheqës i festivaleve të muzikës popullore.

“Në pesëdhjetë vjetët e fundit, Fahri Beqiri, me të drejtë, konsiderohet babâ shpirtëror i muzikës popullore shqipe në Kosovë, autoritet i pakontestueshëm”, ka shkruar Rudi. Sipas tij, ambienteve koncertore dhe artistëve që performonin në të, sigurisht do t’u mungojë njeriu që ishte dëgjues i pashmangshëm dhe çuditërisht i pasionuar.

“Fahri Beqiri ishte zëri i parë kritik, që vërente çdo detaj të rëndësishëm në realizimin e koncertit, dhe asnjëherë nuk hezitonte që ta thotë drejtpërdrejt”, ka shkruar ai. ka treguar se të gjithë i dëgjonin me kujdes këshillat dhe i besonin fjalës së tij, meqë e thoshte njeriu që dëgjonte jashtë mase, me aftësi absolute.

“Mbi të gjitha, e thoshte njeriu më dashamirës dhe më i sinqertë i botës sonë muzikore”, ka shkruar Rudi.

Ikona e muzikës simfonike

Image

Të martën, për një orë në Teatrin Kombëtar të Kombëtar të Kosovës janë bërë homazhe në nderim të Fahri Beqirit (Foto: Alban Bujari)


I sinqertë dhe dashamirës për secilin, Beqiri është përshkruar edhe në kohën kur të martën, për një orë janë bërë homazhe për të në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Komuniteti muzikor, artdashësit e qytetarë të shumtë janë ngjitur shkallëve të TKK-së për të nderuar Beqirin si njeri e si krijues. Të shumtë kanë qenë ata që kanë thënë se në ditë të tilla nuk mund të vlerësohet kontributi i një profesionisti si Beqiri. Veprat e tij do të “flasin” edhe më në të ardhmen.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se lajmi për vdekjen e Fahri Beqirit, është me i hidhur jo vetëm për institucionin që drejton, por për mbarë kombin shqiptar. Sipas tij, bëhet fjalë për një personalitet të rëndësisë së veçantë për historiografinë muzikore mbarëkombëtare.

“Fahri Beqiri është emër i madh i muzikës shqiptare.

“Shkollimi i tij profesional ka ndikuar në breza të shumtë. Ka pasur një gamë të gjerë angazhimesh. U ka takuar dy botëve muzikore. Fillimisht muzikës serioze klasike ku ka lënë edhe një numër të konsideruar të veprave që janë mjaft të interpretuara”, ka thënë ai. Ka përmendur botën e muzikës popullore, ku Beqiri sipas tij, ai ka bërë një punë të mrekullueshme duke udhëhequr ansamble e festivale.

“Me t’u kthyer nga Sllovenia kam hasur në përkrahjen e tij të madhe. Mikpritja e tij ka qenë e shumanshme. Gradualisht ka filluar edhe bashkëpunimi i ndërsjellë”, ka treguar ai. Jo rastësisht kishte zgjedhur që vepra e tij “Skënderbeu” të interpretohet në ditën më të veçantë të shtetit. Në atë të themelimit.

“Me rastin e shpalljes së pavarësisë pata zgjedhur poemën e tij ‘Skënderbeu’. Ajo është ikonë e muzikës simfonike në Kosovë. Vepër e përkryer si përmbajtje dhe mesazh. Ka qenë vepër ideale për të shënuar shpalljen e Pavarësisë”, ka thënë ai. Ka kujtuar se pas njërit prej koncerteve të Filharmonisë së Kosovës, Beqiri u kishte thënë disa anëtarëve që vepra që kishte dëgjuar do të donte t’i interpretohej kur të vdiste. Bëhet fjalë për të njëjtën vepër që kanë interpretuar anëtarët e “Prishtina Brass” të martën gjatë ceremonisë së varrimit.

Profesori udhërrëfyes jo vetëm në art

Vlerësime të larta për Beqirin kanë pasur krejt ish-studentët dhe bashkëpunëtorët e tij. Udhëheqësi artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj ka thënë se profesori ka qenë udhërrëfyes për gjithçka. E ka konsideruar si prind të dytë që në “Shotë” ka dhënë kontribut shumëdimensional.

“Ansambli në atë periudhë ka qenë shumë multinacional. Më së paku shqiptarë ka pasur. Rrjedhimisht edhe tingëllima e Ansamblit nuk ka qenë shumë e pasur me melosin popullor shqiptar. Këtë e ka rregulluar profesori. Për mua ky është një prej kontributeve të mëdha që ka dhënë. Ai e ka ngritur nivelin artistik të këtij Ansambli”, ka thënë Asllanaj. E ka përshkruar si njeri të hareshëm e gjithmonë të gatshëm për këshilla profesionale.

“Ne e kemi pasur profesor në Fakultet, por e kemi pasur profesor edhe kudo që kemi qenë. E ka pasur kënaqësi shpirtërore me i gjetë talentët e rinj dhe me i orientu”, ka thënë ai.

Vend të pazëvendësueshëm në kujtesën e komunitetit muzikor do të ketë Beqiri, sipas pianistes Lejla Pula. E ka vlerësuar atë si profesor të pashoq, përderisa ka thënë se veprat e tij kanë bërë bujë kudo që janë interpretuar.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se dhimbja për vdekjen e Beqirit nuk është vetëm e komunitetit artistik, por e të gjithëve.

“Sot po i bëjmë nderimet e fundit për njërin nga kompozitorët e gjeneratave të para, personi që ka sjellë profesionalizmin në Kosovë. Ka qenë themelues edhe udhëheqës i institucioneve të rëndësishme në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas Çekut, kur vdes një njeri i tillë humbja është e pakompensueshme.

“Ai ka lënë shumë vepra dhe ne duhet t’i ruajmë e dokumentojmë ato vepra që t’ua prezantojmë brezave të ardhshëm”, ka thënë ai.

Brezat e ardhshëm, kur do të mësojmë për historinë e muzikës në këto anë, do të hasin në emrin e Fahri Beqirit. Do ta hasin atë te klasikja, popullorja, te profesorët, drejtuesit institucionalë e krijuesit emblematikë.