Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka shpalosur programin dhe prioritetet për fushat që kjo ministri mbulon.
Ai ka thënë se MKRS deri tani ka funksionuar si ministri e skemave sociale për artistë, sportistë dhe të rinjtë.
Çeku ka thënë se vizon e kanë zhbllokimin e potencialit zhvillimor të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.
Sipas tij, fokus në kulturë janë institucionet kombëtare të kulturës dhe skena e pavarur kulturore.
“Do të rishikojmë kornizën ligjore, aktet e brendshme do t’i sigurojmë llogaritë bankare. Do të kujdesemi që në krye të institucioneve të kulturës të zgjedhën profesionistë dhe do të sigurojmë buxhet për ta. Ndër nismat me interes të veçantë është edhe zbatimi i programit shkollor në rritjen e pjesëmarrjes së nxënësve në ngjarjet kulturore”, ka thënë ai.
Çeku ka shtuar se do të përmirësojnë praktikat për mbrojtjen e të drejtës së autorit.
“Shumë punë na presin edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Urgjente është ndërhyrja në rreth 200 monumente në rrezik. Kujdes të veçantë do t’i kushtojmë rregullimit të statusit të të gjitha kategorive të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
Në sport, ai ka thënë se synojnë hartimin e strategjisë kombëtare të sportit, rishikimin e ligjeve dhe funksionalizimin e mekanizmave për monitorim sistematik të të dhënave në fushën e sportit.
Çeku ka shtuar se do të mbrojnë integritetin e sportit dhe do t’i luftojnë manipulimet.
Me prioritet ai ka thënë se do të jetë mbështetja e organizimit të garave ndërkombëtare të sporteve me sukses në arenën ndërkombëtare.