Kulturë

Koncepti shqiptar mbi fqinjësinë – mesazhi artistik për dekadën e re

Me 20 maj, në edicionin e sivjetmë të Bienales së Venecias, do të jetë i hapur edhe Pavijoni i Shqipërisë me projektin që bën pyetjen “Si do të jetojmë së bashku?”
 

Historitë shqiptare e tejkalojnë konceptin urban dhe në Venecia shkojnë të veshura artistikisht me idenë e fqinjësisë. Fëmijëria gjatë viteve ’90 evokohet nga kuratorët si shembull për të njohur domethënien e të jetuarit bashkë, pa mure fqinjësh. Projekti “Apart – Në shtëpinë tonë”, që përfaqëson Shqipërinë, i mëshon një koncepti autentik shqiptar, ku nuk kishte mure mes fqinjëve. Edhe në agimin e një dekade të re, pyetjes se si do të jetohet së bashku, artistët shqiptarë i përgjigjen me “Njihni fqinjin tuaj!”

Njihe fqinjin tënd! Dekada më parë, skena të tilla ishin të kudondodhura, kurse sot ndodhin rrallë e përmall. Të qenit bashkë fillon në shtëpitë tona dhe mjediset rrotull – aty është vendlindja e sensit tonë të përkatësisë, vendit dhe komunitetit.

“Njëzet vjet më parë fqinjët ishin më afër se të afërmit”, është përshkrimi kuratorial për projektin e pavijonit, me të cilin Shqipëria paraqitet sivjet në Bienalen e Venecias.