Kulturë

Qena – artisti që solli “yjet dhe hënën” në Teatër

Fiks 15 vjet pas vdekjes së Muharrem Qenës, nga hiri i kujtimeve të familjarëve, kolegëve e rrethit është artisticizuar në dramë muzikore një rrëfim shqeto për njeriun jonkonformist e jokonvencional të teatrit shqiptar e më shumë sesa kaq

Ëndërrimtar deri në frymën e fundit, Muharrem Qena pati fatin e atyre të paktëve që janë soji i tij: vetminë. Aktor, regjisor, dramaturg e këngëtar, me krejt larushinë e tij krijuese, mitrovicasi edhe sot vazhdon të ofrojë një larushi mundësish që, përmes shembullit të tij, të frymëzojë e të frymëzojë. “Teatri edhe dyshemenë e ka të shenjtë”, është vetëm një nga linjat e dialogëve të gjallë tok me situata ironike gjithëfaresh, që te shfaqja “La Rrém” e bëjnë të prekshëm profilin e antikonformistit që mëtoi përsosurinë

Gjendjet e dehura të njerëzve shpesh janë më të vërteta se gjithçka tjetër. Fjalët që gati lidhen në grykë, shpesh qesharakisht mezi të shqiptueshme, dhe heqja e çdo droje sjellin në një mënyrë komike ato që nuk thuhen në përditshmëri. Është një rast që i jep të drejtë fjalëurtës romake “in vino veritas” (në verë e vërteta).

Episode të tilla i të qenit tapë mund të jenë të vendosura në fillim, në mes ose kah fundi, porse theksi nuk është aty. Ato janë vetëm disa pjesë nga shumë sosh që e shpërfaqin një të vërtetë për një emër të pazakontë të skenës teatrore dhe këngës së lehtë shqipe. Me premierën e dhënë mbrëmjen e së hënës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shfaqja “La Rrém”, nën regjinë e Kushtrim Koliqit, është shpalosur si rekuiem për artistin shumëpërmasor, regjisorin e këngëtarin, Muharrem Qena.