Kulturë

“Gjithçka është e mundshme” me operën e parë virtuale në botë

 “Fillo me këmbët e tua njeri i tokës”, mërmërit në veshin tim sopranoja Anna Deniss. Unë po qëndroj në një hapësirë të vogël që po e mirëpret operën e parë virtuale në botë. Kam kufje dhe një çantë krahu. “Royal Opera House” është duke e quajtur këtë operë “Tardis” (një makinë udhëtimi në kohë); për mua është më shumë si një shëtitje përgjatë një instalacioni artistik me kolona zanore. Çfarëdo që të jetë kjo, nuk është opera në kuptimin e asaj që ne jemi mësuar ta shohim.

“Current, Rising” ishte realizuar para dy vjetësh, shumë kohë para epokës së pandemisë, por tani është aktuale. Eksploron atë që e quaj “ide të izolimit, lidhjes dhe riimagjinatës kolektive”. Nuk ishte e dizajnuar si një operë për këtë epokën e distancimit social, por është duke funksionuar në këtë mënyrë. Vetëm katër njerëz mund ta ndjekin operën “Tardis” në të njëjtën kohë dhe na është thënë që të qëndrojmë një metër larg njëri-tjetrit (diçka e ndërlikuar, pasi në një hiperrealitet gjykimi i distancës në mënyrë të saktë nuk sjell rezultate të mira”. Por, kjo nuk është vetëm një operë për këtë periudhë të koronavirusit, por viktimë e saj: e caktuar për t’u hapur në dhjetor të vitit 2020, ra pre e pandemisë.

Njoftimet në radio nga transmetuesit e lajmeve dhe udhëzuesit kanë përfunduar. Titujt e gazetave që mbulonin muret, tavanin dhe dyshemenë janë zhdukur. Një shumëllojshmëri efektesh transmetohen në kufjet tona nga pajisje që nuk shihen, përmes kompjuterëve në çantat që i kemi në shpinë. Jemi bërë avatarët e realitetit virtual: tre të tjerët e grupit tim tani duken si vëllezër e motra grupit “Blue Man”. Opera, mbase, ka filluar.

Harkorët e ansamblit “Chroma”, që ka shtatë anëtarë, e kanë shoqëruar sopranon Dennis që po këndonte një pjesë melodie të incizuar më parë. Muzika e Samantha Fernandos me fjalët e Melanie Wilson është dëgjuar në kufjet tona përgjatë gjithë përvojës 15-minutëshe. Një portë në të majtë është e kornizuar me drita. Na është thënë se ky është një sugjerim vizual dhe se mund të ecim nëpër secilën derë me korniza të lehta në këtë udhëtimin tonë të natës. Frymëzuar nga pjesa e fundit e “Shtrëngatës” e Shakespeareit, kur Prospero e liron shpirtin me emrin Ariel. Ne jemi kthyer në Ariel virtual, duke bredhur natën në një glob të simuluar.

“Current, Rising” është e shkurtër, por aq shumë ka brenda saqë të krijon ndjesinë se është pak e mbingarkuar. Në dhomën e parë shfaqen projeksione të shkallëve të pamundshme e të ndërtesave që shtrihen pafundësisht në të gjitha drejtimet si të Escher, por ku rruga jote është shënuar qartë, pasi ka pak liri për t’i eksploruar këto botë të reja të çuditshme. Në një tjetër, avatarët kërcyes të realizuar me teknologji të fjalës së fundit, të shfaqur në ekrane të mëdha, janë në sinkronizim me muzikën. Në një tjetër, grafika të tjera të animuara rriten e bien si lëvizjet në monitorin ECG, bashkë me ritmin e muzikës.

Është një çerek ore e çuditshme, e përqendruar, herë pas here lëvizëse dhe hutuese. Këngëtarët dhe muzikantët nuk janë ata që udhëheqin, siç do të ishte e zakonshme për një operë.

"Kjo nuk është e ardhmja e operës”, më thotë drejtoresha Netia Jones, “por mund të jetë një pjesë e saj”. Jones dhe pjesa tjetër e ekipit krijues përdorin fjalë të mëdha, si “gesamtkunstwerk” dhe “verfremdungseffekt”, për ta shpjeguar atë që po përpiqen ta arrijnë.

E para, që do të thotë vepër arti e plotë ose e integruar, u adaptua nga Wagneri për revolucionin e tij në operë në Bayreuth, që do të bashkonte muzikën, dramën, vallëzimin dhe efektet dramatike. Përderisa Johes nuk merakoset për Wagnerin, ajo po përpiqet të sjellë diçka neo-wagneriane, një “gesamtkunstwerk”, duke e përdorur virtualen.

“Çfarë është opera?”, pyet ajo. “Definicioni i vetëm që unë mendoj që ka kuptim është ‘një eksperiencë teatrale e udhëhequr nga muzika’. Përtej kësaj, ju mund të bëni çfarëdo.” Të bësh regjinë e kësaj opere me siguri nuk është sikur të bësh tenorin të qëndrojë në vendin e vet. “Unë shpesh e gjeja veten duke e pyetur Simonin (Reveley, drejtor i ‘Figment Production’) nëse mund të bënte diçka të çuditshme, si për shembull të bësh të bjerë shi nga poshtë-lart dhe ai do të thoshte ‘sigurisht, pse jo?’”

Por, unë kam dyshime se ajo që është më radikale për “Current, Rising” nuk është teknologjia, por ajo se si është shtrirë procesi kreativ. Në vend që kompozitori t’i kthejë fjalët e libretistit në muzikë dhe ta lërë muzikën që të interpretohet nga regjisorët, disenjatorët dhe muzikantët, ishin Annette Mees, drejtuese e “Covent Gardens Audio Laba” dhe Revely, që zhvilluan idenë e një opere hiper-reale dhe veç më vonë sollën në bord kreativët si Jones, Fernando dhe Wilson, drejtoreshën e CGI-së, Joanna Scotcher, dhe koreografen Anna Morrissey.

E sa për fjalën tjetër të madhe verfremdungseffekt (efekti i largimit), kjo është arritur duke na nxjerrë nga përditshmëria në sfera të çuditshme transcendentale, ku gjithçka, me sa duket, mund të ndodhë.

Jones argumenton se realiteti virtual “sfidon hierarkitë tradicionale të operës dhe muzikës klasike... Është më demokratikja nga të gjitha mediumet – mund t’i përmbysë ligjet e fizikës, prandaj pse duhet t’i ndjekë rregullat e zakonshme të shkëmbimit kulturor?"

Për të, aspekti ndryshues i lojës është aspekti se e vendos spektatorin në qendër të skenës. Sidoqoftë, lojtarët e mësuar të jenë protagonistë me detyra që duhet t’i plotësojnë e me përbindësha, mund ta gjejnë këtë eksperiencë pak të mbingarkuar, pasi ne në thelb mbesim vrojtues, ani pse në zemër të aksionit si asnjëherë më parë. Kjo nuk është një operë ku ju mund t’i mbyllni sytë dhe t’i injoroni budallallëqet e regjisorit dhe ta shijoni muzikën, por një vepër arti më e sintetizuar që i kërkon vrojtuesit të krijojë lidhje midis asaj që po sheh, ndjenjës dhe dëgjimit.

Ndërkohë, Jones më thotë se ajo tashmë po zhvillon një operë të re VR. “Puna me këtë medium ia ka vënë flakën imagjinatës sime”, thotë ajo. Ajo shpreson që audiencat që dalin nga karantina do të ndihen ngjashëm kur ta vizitojnë operën “Tardis” (makinë kohe). “Për vete, mezi pres të kthehem – ka qenë e çuditshme të jem në botën reale për kaq gjatë". “Current Rising” është e qasshme në teatrin “Linbury” në Londër, prej 21 majit.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Alberina Haxhijaj