Dy orë para mesnatës, Ministria e Kulturës ka njoftuar se Teatrin Kombëtar të Kosovës e ka bërë me Këshill të ri Drejtues. Kësisoj, edhe udhëheqësia e tanishme e MKRS-së e vazhdon praktikën e ndërrimit të organeve drejtuese. Praktikën e qeverisjeve të mëparshme e ka vazhduar edhe sa u përket emërimeve të anëtarëve partiakë në organe drejtuese të institucioneve. E ka nisur me atë të institucionit më të lartë teatror në vend, duke shkarkuar këshillin që e kishte emëruar tash ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi. Në përbërjen e re nuk ka vend asnjëri prej anëtarëve të përbërjes paraprake, mandati i të cilëve nuk zgjati as një vit. Qe emëruar në tetor të vitit të kaluar.
Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi – si përfaqësuese e MKRS-së, janë shtatë anëtarët e emëruar prej ministrit Hajrulla Çeku.
Vetë ministri Çeku gjatë fushatës elektorale kishte thënë se do të bëjë departizim të institucioneve kulturore. Por me emërimin e regjisores Shkurte Aliu në organin më të lartë drejtues të TKK-së, e ka bërë të kundërtën. Aliu është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilës i takon edhe ministri Hajrulla Çeku. Në zgjedhjet e vitit 2017, Aliu ka qenë edhe kandidate e VV-së për deputete. Ajo mbante numrin 42. Nuk ia kishte dalë që të ulej në Kuvendin e Kosovës.
“Këshilli Drejtues emërohet me mandat 4 (katër) vjeçar dhe është përgjegjës t’i ushtrojë të gjitha kompetencat e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi”, shkruhet në vendimin e nënshkruar nga ministri Çeku, dërguar mediave të premten pas orës 22:00.
Mandati, detyrat e kompetencat e Këshillit Drejtues të TKK-së përcaktohen me Ligjin për teatro, të miratuar më 2012. Po i njëjti ligj e vë nën kompetencë të ministrit të Kulturës shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit.
Në 10 tetorin e 2020-s, anëtarë të KD të TKK-së qenë emëruar Agron Shala, Ramadan Musliu, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Samka Ferri e Ismet Azemi. Poeti e kritiku letrar Ramadan Musliu vdiq pak ditë më vonë, e në vend të tij qe emëruar Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës së qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”. Samka Ferri u tërhoq në shkurt për t’u zëvendësuar me drejtorin e Teatrit të Podujevës, “Avdush Hasani”, Agron Gërguri. Këshilli tashmë i shkarkuar, më 11 mars të këtij viti, e vlerësoi Naser Shatrollin për drejtor të përgjithshëm të TKK-së. Në garë ishin edhe Kushtrim Sheremeti e Blerim Krasniqi. Një “finale” e tillë qe paralajmëruar ende pa nisur procesi. Ministrisë së Kulturës s’do t’i bënte përshtypje se po favorizohej punonjësi i saj, e kur edhe u zyrtarizua shpërthyen akuzat për politizim.
Ndërrimi i këshillave drejtuese deri më tash u ka hapur rrugë edhe shkarkimeve të drejtorëve në çdo “rotacion” në krye të Ministrisë së Kulturës. Aktualisht, TKK-ja s’ka as udhëheqës artistik, përderisa pa drejtorë janë edhe Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës.